1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE dhe SHBA përshëndesin themelimin e Speciales në Kosovë

Kryeprokurori i Grupit Hetues të BE-së, David Schwendiman: "Themelimi i Gjykatës Speciale e çon Kosovën një hap më afër përballjes njëherë e përgjithmonë me dyshimet serioze në raportin e Këshillit të Evropës".

Ambasadorët e vendeve të Bashkmit Evropian dhe SHBA-së në Kosovë e mirëpritën miratimin në kuvend të amandamentit dhe ligjeve që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale. Në një deklaratë të përbashkët për media, ambasadorët e vendeve më të industrializuara, thonë se Kosova bëri hapin e rëndësishëm në rrugën e saj euro-atlantike. "Ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës. Me këtë vendim qeveria e Kosovës dhe kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë. Themelimi i tyre do të forcojë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë t'i mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë", thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve në Kosovë të vendeve të Bashkmit Evropian dhe SHBA-së.

Nuk ka munguar as vlerësimi i komisares së BE-së për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e cila vendimin (03.08)të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale e ka quajtur jo të lehtë, por të domosdoshëm për zbardhjen e së vërtetës. "Aprovimi i sotëm i amendamenteve kushtetuese dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special në Kuvendin e Kosovës është hap jetik në ofrimin e kornizës së domosdoshme ligjore për adresimin e pretendimeve të rënda që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës, si dhe zotimet e theksuara në Letërkëmbimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014. Duke kuptuar që ky hap i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës", thotë në letrën e saj Federica Mogherini. Ajo thekson, se BE-ja është e përkushtuar në ofrimin e asistencës në këtë proces dhe për të vazhduar punën me palët e përfshira për të përfunduar procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshëm ligjor në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta në një të afërme të parashikueshme.

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vendimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, e ka cilësuar si një përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare të vendit. "Themelimi i Gjykatës Speciale, bazuar në kuadrin legjislativ, dëshmon përkushtimin e Kosovës në parimin e drejtësisë për të gjithë. Gjykata Speciale do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe ajo nuk do gjykojë përpjekjen tonë kolektive për çlirim dhe liri", thotë presidentja Atifete Jahjaga.

Kuvendi i Kosovës pas miratimit të amandamentit kushtetues që mundësoi themelimin e Gjykatës Speciale, vazhdoi punën deri pas mesnate duke miratuar edhe ligjin për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit special.

Ndërkohë, vet kryeprokurori i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë, David Schwendiman, e mirëpriti miratimin e Gjykatës së Speciale nga parlamenti i Kosovës, duke thënë, se "vendimi i parlamentit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale e çon Kosovën një hap më afër përballjes njëherë e përgjithmonë me dyshimet serioze të përfshira në raportin e Këshillit të Evropës të muajit janar 2011. Nënvizojmë se procesi i ngritjes së dhomave të specializuara ende nuk është përmbyllur dhe duhen edhe hapa të tjerë. Së këndejmi nxisim të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë me përpjekjet që këta mekanizma juridik të jenë funksional sa më parë që është e mundur", thuhet në deklaratën e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë, David Schwendiman, i cili pason në këtë post amerikanin Clint Williamson. Ky i fundit para se të tërhiqet nga kjo detyrë në një konferencë për media në Prishtinë në korrik të vitit 2014, pati deklaruar se janë të paktën 10 raste të dyshuara për krime, me të cilat do të merret Gjykata Speciale.


DW.COM