1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

BE dhe NATO kërkojnë tërheqjen e Rusisë

Rusia është një pjesë e problemit dhe duhet të kontribuojë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, kërkoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen. Ministrat e Mbrojtjes së BE mendojnë po kështu. Moska kundërshton.

Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s

Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s

Para krizës së Ukrainës, mbledhjet e ministrave të Mbrojtjes të BE kanë qenë zakonisht takime rutinë dhe që nuk zgjonin interes të madh të gazetarët. Këtë herë, në takimin në Kirchberg në Luksemburg atmosfera ishte ndryshe. Fjalori i Luftës së Ftohtë dëgjohet sërish, informojnë diplomatët e BE: frikësim, marshim trupash, gjendje kërcënuese, opsione ushtarake. "Për ne ishte e rëndësishme që t'u sinjalizojmë edhe njëherë shteteve baltike, Polonisë dhe Rumanisë, se shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona dhe se ato mund të jenë të sigurta për solidaritetin e Aleancës", tha Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen pas takimit.

Detyrë parësore mbrojtja

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen propozoi forcimin e bashkëpunimit ushtarak midis aleancës ushtarake NATO dhe BE, të orientuar më tepër në aspektet civile. Nuk është fjala për të ndërhyrë me trupa në Ukrainë, tha Rasmusseni: "Ne nuk flasim për opsione ushtarake. Ne besojmë se rruga e duhur është një zgjidhje politike dhe diplomatike. Megjithatë, në fushën ushtarake ne përqendrohemi në forcimin e mbrojtjes së aleatëve tanë. Kjo është detyra jonë bazë."

Njësi të NATO-s drejt Lindjes?

Ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak u shpreh sërish për një stacionim afatgjatë të trupave të këmbësorisë së NATO-s në Poloni, për të dhënë një sinjal. Rezistenca ruse në këtë drejtim sipas tij duhet injoruar. NATO-ja e ka siguruar Rusinë në vitet '90 me marrëveshje se nuk do të stacionojë armë bërthamore ose njësi konvencionale luftarake në ish-shtetet e Traktatit të Varshavës, siç ka qenë Polonia. Polonia ka kufij të drejtpërdrejtë me Ukrainën dhe me Kaliningradin rus. Si reagim ndaj stacionimit të rreth 30.000 ushtarëve në kufirin me Ukrainën, NATO-ja tani po rishqyrton planet tepër sekrete të mbrojtjes për shtetet anëtare në Lindje. Veç kësaj do të shtohen manovrat e përbashkëta.

Trupa ruse në kufirin me Ukrainën

Trupa ruse në kufirin me Ukrainën

Edhe stacionimi afatgjatë i trupave të NATO-s në shtetet lindore anëtare do të shqyrtohet. Anders Fogh Rasmussen tërhoqi vëmendjen për vendime përkatëse të ministrave të Jashtëm të NATO-s të fillimit të prillit: "Ne po mendojmë për hapa të tjerë, për të forcuar mbrojtjen e përbashkët. Kjo përfshin stacionime të përshtatshme, siç i quaj unë, të trupave. Por është ende herët, që të themi si do ta forcojmë me detaje mbrojtjen. Por askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë tonë për t'i mbrojtur të gjithë aleatët." Delegacioni i Polonisë bëri të ditur se Varshava pret në lidhje me këtë një vendim në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në shtator, në Wales.

Rusia duhet të jetë pjesë e zgjidhjes

Ministrat e mbrojtjes së BE dhe kryediplomati i NATO-s formuluan kërkesa të qarta ndaj Rusisë. Ata janë shumë të shqetësuar për zhvillimet dhe për dhunën e grupeve të vogla separatiste në Ukrainën Lindore. "Unë kërkoj nga Rusia që ta çtensionojë krizën, të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën dhe të heqë dorë nga destabilizimi i mëtejshëm i gjendjes në vend. Rusia duhet ta bëjë të qartë se nuk i mbështet aksionet e dhunshme të separatistëve prorusë. Rusia nuk duhet të vazhdojë të jetë pjesë e problemit, por një pjesë e zgjidhjes së problemit", tha Anders Fogh Rasmussen.

Përgjigja e ministrit të Jashtëm rus erdhi e menjëhershme nga Pekini, ku Sergej Lavrov ndodhet aktualisht për bisedime politike. Lavrovi sipas agjencive i paralajmëroi autoritetet ukrainase që të mos ndërmarrin aksione të dhunshme kundër forcave proruse. Veprime të tilla "kriminele" mund t'i rrezikojnë bisedimet katërpalëshe të planifikuara në Gjenevë midis BE, SHBA, Ukrainës dhe Rusisë, tha Lavrov. Një zëdhënës i Kremlinit në Moskë i quajti "absurde" kritikat e NATO-s.