1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE bie dakord për rifillimin e negociatave të anëtarësimit me Turqinë

Ndërkohë që Stambolli pas një jave të qetë të detyruar nga prezenca e policisë, sërish pati protesta, në Luksemburg ministrat e Jashtëm të BE-së debatuan për negociatat e anëtarësimit me Turqinë e çështje të tjera.

Bashkimi Europian bie dakord për rifillimin e negociatave të anëtarësimit me Turqinë. Ministrat e Jashtëm të BE-së pranuan në Luksemburg kompromisin e ofruar nga Gjermania për fillimin e bisedimeve për politikën rajonale. Por startimi i tyre do të shtyhet në Tetor, kur të paraqitet edhe raporti tjetër i progresit nga KE për Turqinë. Gjermania dhe shtete të tjera ranë dakord për një zgjidhje të tillë për të dhënë sinjal Turqisë të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj protestuesve. Sipas të dhënave diplomatike ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu ka rënë dakord me procedimin e BE-së.

Në të vërtetë Turqia priste që këtë të mërkurë (26.06) të hapte një kapitull të ri negociatash për anëtarësim me Bashkimin Europian. Kapitulli i fundit ishte hapur në vitin 2010. Asokohe të dyja palët u ndanë në grindje, negociatat mbetën të ngrira. Në këtë përpjekje të re të negociatave bëhej fjalë për një temë jo edhe aq problematike, si politika rajonale. Por aktualisht asgjë nuk është e lehtë në marrëdhëniet Turqi-BE. Që pas veprimit të dhunshëm kundër demonstruesve nga ana e kryeministrit Erdogan, nga Europa vijnë vetëm rrebesh kritikash për kryeministrin turk.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, cili nisi të Hënën në Luksemburg (24.06), edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Gogh Rasmussen kërkoi nga partneri i aleancës, "respektim të standarteve bazë të demokracisë, demonstrata paqësore, si edhe të drejtën për shprehjen e lirë të mendimit".

Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt bisedon me homologun polak, Radoslaw Sikorski

Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt bisedon në Luksembúrg me homologun polak, Radoslaw Sikorski

Jo ndryshim strategjie "vetëm sepse disa bëhen nervozë"

BE fillimish u tregua e përçarë në mënyrën e veprimit të mëtejshëm me Turqinë. Gjermania, Austria dhe Holanda madje ishin të mendimit që në kushte të tilla nuk mund të rinisin negociatat, sepse kjo do të vlerësohej si miratim i fshehtë i politikës së Erdoganit.Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger tha në Luksemburg se nuk bëhet fjalë që t'i mbyllim derën Turqisë. "Por nuk është e nevojshme të hapim çdo kufi dhe të mbyllim sytë për atë që ndodh në Turqi. Nuk duhet hapur kaq thjesht një kapitull i ri. Ndërsa homologu i tij belg, Didier Reynders është i mendimit se në negociata "ekziston mundësia për të folur drejtpërdrejt me Turqinë për disa parime." Më parimor u shpreh ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt. Politika e anëtarësimit është një politikë e suksesshme dhe afatgjatë e BE-së, "që kontinentit i ka sjellë paqe dhe stabilitet". Këtë nuk mund t'ia lemë "situatave të momentit vetëm sepse disa politikanë diku bëhen nervozë. Kështu nuk bëhet politikë e përgjegjshme europiane", theksoi Carl Bildt në Luksemburg.

Dialogu është mundësia më e mirë

Ishte Gjermania dhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle qw megjithë qëndrimin e ashpër punuan për arritjen e një kompromisi. Sipas tij është e qartë që ne nuk e duam ta këpusim fillin e komunikimit me Turqinë, por as nuk duam ta hollojmë atë". Propozimi në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së: BE t'i thotë "Po" hapjes së kapitullit të ri të negociimit, por ky hap të zyrtarizohet në vjeshtë. "Nga njëra anë nuk mund të bëjmë sikur këto konsultime zhvillohen në një hapësirë bosh, sikur të mos kenë ekzistuar ditët e fundit", tha ministri i Jashtëm në takimin e Luksemburgut, "nga ana tjetër duhet të kemi parasysh edhe interesat tona strategjike afatgjata. Ndërsa e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton tha se "isha gjithmonë e mendimit se e ardhmja e Turqisë ndodhet tek ne. Dhe përgjithësisht "dialogu është opcioni më i mirë, për sa kohë është e mundur."

Protesta në Stamboll

Protesta në Stamboll

Embargoja e armëve sërish zgjidhja më e mirë?

Edhe lidhur me konfliktin në Siri pati debat të madh të Hënën në Bruksel. Uniteti i BE-së në çështjen e embargos u thye. Që prej këtij momenti vlen, kush do të furnizojë Sirinë me armë mund ta bëjë këtë. Britania e Madhe dhe Franca kishin bërë presion për heqjen e embargos. Por tani këto dy vende qëndrojnë të rezervuara, ndërkohë që kritikët e heqjes së embargos e shohin idenë e tyre të konfirmuar. Ministri i jashtëm austriak, Spindelegger tha se furnizimi me armë "do të ishte një pikë kthese në politikën tonë. Ndërsa homologu i tij luksemburgas, Jean Asselborn është më i hapur "po qe se të gjithë do t'i qëndronim asaj që vendosëm në BE, pra një embargo armësh, atëherë nuk do t'i kishim sot në Siri këto akte të tmerrshme." Për momentin sundon konfuzion në BE në çështjen siriane. Qeveritë i kanë varur shpresat tek konferenca e paqes në Gjenevë, ndërkohë që ende nuk dihet qartë nëse ajo do të zhvillohet vërtet.