1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Assadi bashkëfajtor

5 Prill 2017

Kush e ndërmori sulmin e dyshuar me gaz në Çan Sheiçun? Një përgjegjësi morale E ngarkuara me Politikën e Jashtme e BE, Mogherini sheh pa dyshim te qeveria siriane e Assadit.

https://p.dw.com/p/2ahKm
Syrien Idlib Giftgasangriff
Fotografi: picture-alliance/abaca/S. Zaidan

"Me sa duket, përgjegjësia kryesore për aktin është te qeveria e pushtetmbajtësit Baschar al-Assad, sepse është ajo që ka përgjegjësinë që ta mbrojë popullin dhe të mos sulmojë", theksoi e ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini. Sulmi në Çan Sheiçun në provincën veriperëndimore Idlib është një "kujtesë e faktit se gjendja në vend vazhdon të jetë edhe më tej dramatike", shtoi Mogherini në kuadër të konferencës për ndihmën ndaj Sirisë në Bruksel.

Sulm i qëllimshëm i forcave të armatosura siriane?

Qeveria e SHBA foli për një incident të papranueshëm dhe njëkohësisht tërhoqi vëmendjen në faktin se Assadi është një realitet politik. Sulmi nuk mund të injorohet nga "bota e civilizuar", tha zëdhënësi i Donald Trumpit, Sean Spicer në Uashington. Spicer bëri përgjegjëse për sulmin qeverinë siriane. Njëkohësisht ai e akuzoi ish-Presidentin Barack Obama se kishte dështuar me strategjinë e tij në Siri duke i mundësuar incidente të tilla.

Federica Mogherini
Federica MogheriniFotografi: Reuters/F. Lenoir

Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson beson se kemi të bëjmë me një sulm të qëllimshëm të forcave të armatosura qeveritare. "Kjo përmban të gjitha shenjat e një sulmi prej regjimit, i cili ka përdorur në mënyrë të përsëritur armë kimike", tha Johnson në një konferencë të përbashkët shtypi në Londër me homologun e tij gjerman, Sigmar Gabriel.

Gabriel deklaroi, se nëse konfirmohet që njerëzit janë bërë viktimë e një sulmi me gaz helmues, për të cilin e mban përgjegjësinë regjimi sirian, ky do të ishte një akt mizorie pa të dytë. Për këtë arsye, në luftë kundër terrorizmit nuk duhet të mbështetemi te qeveria e Assadit, kërkoi Gabriel. Edhe aktivistë sirianë bënë fajtor për bombardimin avionë luftarakë të qeverisë.

Qeveria siriane e Rusia distancohen

Qeveria e Damaskut hodhi poshtë kategorikisht çdo faj. Një gjeneral sirian, i cili donte të mos e thoshte emrin, deklaroi se ushtria nuk ka përdorur gaz helmues në Çan Sheiçun. Edhe forcat e armatosura ruse i kundërshtuan supozimet, se mund të kenë qenë të përfshira në sulm. Në rajonin e prekur nuk ka pasur fluturime ruse për bombardime, bëri të ditur ministria ruse e Mbrojtjes.

Sipas të dhënave të Qendrës siriane të Vëzhgimit për të Drejtat e Njeriut, në një sulm ajror të martën në mëngjes u vranë të paktën 70 civilë, midis tyre njëmbëdhjetë fëmijë të vegjël. Më shumë se 60 vetë u plagosën. Organizata siriane UOSSM foli së fundi për 65 të vrarë dhe 350 të plagosur. Ndihmës të tjerë folën për 100 viktima dhe 400 të plagosur.

I ngarkuari i OKB-së për Sirinë, Steffan de Mistura kërkoi një sqarim të gjerë sulmit, ku dyshohet se është përdorur gaz helmues. Ende nuk ka "konfirmim zyrtar dhe të besueshëm", tha de Mistura në Bruksel. Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të merret të mërkurën me incidentin. Deri tani, në luftën e Sirisë gaz helmues kanë përdorur si trupat qeveritare, ashtu edhe Shteti Islamik. Kjo është konstatuar në një raport të një komisioni hetimor të OKB-së. AUD