1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE ashpërson sanksionet kundër Sirisë

Në agjendën e këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së ishin dje Siria dhe Irani. Në rastin e Sirisë synohej rritja e trysnisë mbi regjimin e Assadit. Embargoja tregtare mendohet ta prekë qeverinë siriane rëndë.

Catherine Ashton bën Rusinë dhe Kinën përgjegjëse për gjakderdhjen në Siri

Catherine Ashton bën Rusinë dhe Kinën përgjegjëse për gjakderdhjen në Siri

BE-ja po e vë nën trysni qeverinë siriane, mirëpo (në rast të ndryshimeve demokratike) ajo hap edhe perspektivën për shtysa. Nga njëra anë BE-ja i ashpërsoi edhe një herë sanksionet: personave të tjerë drejtues nga rrethi i presidentit Bashar al Assad u ndalohet hyrja, llogaritë e tyre bankare bllokohen. Edhe gjithë pasuria e bankës qendrore siriane në BE po ngrihet. Blerja e arit, e metaleve të çmuara dhe e e diamanteve nga Siria është e ndaluar sikurse qarkullimi ajror i mallrave midis Evropës dhe Sirisë.

Ministri i jashtëm austriak Michael Spindelegger, e vlerëson pozitivisht vendimin. "Kur ne ngrijmë paratë e bankës qendrore, atëherë kjo ka pasoja, sepse natyrisht që preket regjimi dhe kësisoj duhet të kërkojë tani rrugë të tjera, gjë që nuk nuk ka për të qenë aq e thjeshtë."

BE-ja i ashpërsoi edhe një herë sanksionet

BE-ja i ashpërsoi edhe një herë sanksionet

Mirëpo, në rast se nis një ndryshim politik, BE-ja planifikon të ndihmojë financiarisht dhe me marrëdhënie ekonomiko-tregtare favorizuese. Kushti: Ky ndryshim nuk lejohet të ketë të bëjë më me presidentin Bashar al Assad.

Dhe për referendumin e të dielës së kaluar (26.02.) të Assadit mbi kushtetutën e re ministrat e jashtëm të BE-së patën vetëm kritikë therëse: Për ta ajo nuk shkon aq larg sa duhet. Në fakt, hiqet monopoli i pushtetit i Partisë qeverisëse Baath, mirëpo presidentit i mbeten fuqi të plota. Ministri gjerman Guido Westerwelle bëri fjalë për një "farsë", homologu i tij austriak Spindelegger për "përçmim". "Nuk mund të thuhet nga njëra anë: 'Ju lejoheni tani të gjithë të bashkëvendosni', dhe nga ana tjetër përditë ka të vdekur, të cilët vriten pa diskriminim me armë zjarri në demonstrata."

Demostrata kundër Bashar Al-Assad-it në Idlib

Demostrata kundër Bashar Al-Assad-it në Idlib

Në përpjekjet për zgjidhje BE-ja vazhdon të investojë para së gjithash te Kombet e Bashkuara, megjithëse Rusia dhe Kina i pengojnë prej muajsh rezolutat për Sirinë. Prandaj përfaqësuesja e BE-së për politikën e jashtme Catherine Ashton i bëri këto dy vende tërthorazi përgjegjëse për gjakderdhjen në Siri. "Anëtarët e Këshillit të Sigurimit duhet të mbajnë përgjegjësinë për këtë tragjedi të tmerrshme. Dhe për sa kohë nuk ka unitet, lëshohet një sinjal i gabuar për Assadin. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar!"

Autor: Christoph Hasselbach/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama