1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE 2012 - Krizë dhe forcim i ndjenjës së bashkësisë evropiane

2012 ishte sërish një vit i keq, ndoshta më i keqi i krizës së euros. Por për një kolaps të bashkimit monetar në fund të vitit thuajse nuk flet më askush.

Në fillim të dhjetorit, dukej sikur BE-ja do ta përfundonte vitin më e përçarë se kurrë. Por në samitin e fundit të BE-së, doli në pah një vrull i ri i përbashkët.

Kriza e borxheve ishte tema thelbësore e vitit 2012. Kjo i zhvendosi temat e tjera në sfond. Lufta civile në Siri, shkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, trazirat në Egjipt, të gjitha këto BE-ja i perceptoi vetëm në sfond. Dhe madje edhe për një çështje kaq të rëndësishme për Evropën, si integrimi i Serbisë dhe i shteteve të tjera ish-jugosllave, BE-ja nuk kishte forca të vërteta. Megjithëse Kroacia do të bëhet së shpejti anëtare, kancelarja gjermane Angela Merkel  tha në samitin e fundit në mënyrë eksplicite se për hapjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë "nuk ka ardhur koha", sepse "ne ndjekim me kujdes ekonominë dhe konkurrencën." Gjithçka tani del në rang të dytë në krahasim me detyrën e forcimit të unionit monetar.

Dëshmitë tregojnë se kriza arriti sivjet kulmin e saj dhe e tejkaloi. Dhe në qoftë se duhet vendosur një datë më e saktë, ajo ishte ndoshta në pranverë. Presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso paralajmëroi se: "Evropa ka nevojë për figura drejtuese dhe qytetarë që shprehen besnikë ndaj Evropës. Askush nuk duhet të mendojnë se projekti evropian dhe arritjet e tij janë të pakthyeshme."

Presidenti i Parlamentit Martin Schulz paralajmëroi për pasojat e papunësisë së shfrenuar, sidomos në mesin e të rinjve: "Fakti që ekonomitë moderne evropiane lejojnë që 40 për qind e të rinjve dhe grave janë të pa punë, nuk është vetëm një turp, por dhe një sëpatë ndaj demokracisë në Evropë."

Greqia vendi plangprishës

Vendi më problematik i BE-së gjatë vitit 2012 qe Greqia, e cila po përfiton për momentin prej paketës së dytë të ndihmave. Pas shumë diskutimesh më shumë se 85 për qind e kreditorëve privatë, si bankat, kompanitë e sigurimeve dhe fondet hoqën dorë nga më shumë se gjysma e vlerës nominale të obligacioneve të tyre greke. Pothuajse të gjitha bankat dhe institucionet, që kishin blerë obligacione të qeverisë greke ju bashkuan këtyre masave. Por shpresat për të paktën një rimëkëmbje të ngadaltë të Greqisë u zhgënjyen. Për shkak të masave të ashpra të kursimit  ecuria ekonomike e vendit ra më edhe më tej dhe borxhi për frymë mbeteti i lartë - pavarësisht faljes së borxheve.

Për shkak të ndryshimit të kursit të Bankës Qendrore Evropane për blerjen e pakufizuar të obligacioneve shtetërore dhe presionin nga Italia dhe Franca për dobësimin e masave të kursimeve që kërkonte kancelarja Angela Merkel atmosfera në Evropë u ngri dhe shumë njerëz mendonin se euros po i vinte fundi.

2012 - Intensifikim i ndjenjës së bashkësisë evropiane

As Çmimi Nobel për Paqe, nuk e përmirësoi atmosferën. Madje në muajin nëntor ajo u acarua, sepse krerët e Evropës nuk mundën të pajtohen as për buxhetin e BE-së, as për livrimin e ndihmës ndaj Greqisë, as për një kurs uniform për shpëtimin e euros. Por në javët e fundit të vitit të gjithë e kuptuan se gjenden në të njëjtën situatë të vështirë. Në fund të vitit u arrit konsensus i gjerë - dhe ky është dallimi i madh me fillimin e vitit: eurozona nuk do të shpërbëhet në asnjë mënyrë. Asnjë nga vendet e goditura nga kriza nuk do të dalë jashtë saj.

Kancelarja Merkel ka bërë të qartë se në rast se Evropa nuk do të bëjë ndryshimet e duhura dhe nuk shikon se çfarë po ndodh në pjesë të tjera të botës, apo mbyll sytë, atëherë nuk do të jetë më në gjendje të sigurojë së bashku mirëqenie për të ardhmen.

Edhe pse në vende të ndryshme të BE-së ka kundërryma ndjenja e bashkësisë evropiane është intensifikuar gjatë vitit 2012 në mënyrë të konsiderueshme.