1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Basta Berlusconi? Jo plotësisht

Finito për Berlusconin? Apo të vdekurit politikisht jetojnë më gjatë? Silvio Berlusconi mund të rikthehet, por Europa nuk e ka merituar një gjë të tillë, komenton Bernd Riegert.

Pas debatesh të nxehta senati italian ia dha më në fund Silvio Berlusconit dënimin, që meriton. Për herë të parë që prej më shumë se 20 vjetësh ish-kryeministri italian Berlusconi qëndron pa mandat deputeti e pa asnjë post qeveritar. Pa imunitet, politikisht lakuriq. Me ndihmën e përkrahësve të tij besnikë ky zombi politik 77 vjeçar u përpoq deri në minutën e fundit të lartësohej si martir. Pa sukses. Për të drejtuar një lutje për falje, Berlusconi ishte shumë krenar. Presidenti italian, Napolitano, i cili nuk ka ndonjë mendim kushedi çfarë për Berlusconin, do ta refuzonte gjithsesi. Dështoi edhe përpjekja e fundit për të prishur qeverinë e koalicionit të kryeministrit socialdemokrat, Enrico Letta.

Të gjitha shantazhet nuk i sollën asgjë Berlusconit, veçse përçarjen e kampit konservator. Silvio Berlusconi rithemeloi partinë e tij "Forza Italia". Me këtë parti të re private, që duket se ndjek thirrjet e tifozëve të futbollit, Berlusconi do që të ringjitet sërish në skenën e politikës. Biri i tij politik, ministri i Brendshëm, Angelino Alfano, u distancua prej tij dhe qëndroi me një grup të vogël deputetësh, ish-bij të Berlusconit në qeverinë Letta. Këtë nuk e kishte pritur dhelpra e vjetër e politikës. Nënkupton kjo fundin e epokës së Berlusconit, që zgjati jo pak, por 20 vjet?

Europa gëzon, Italia përçahet

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Në Europë, veç Italisë, askush nuk do të derdhë një pikë loti për Berlusconin. Në vitet e fundit të qeverisjes Berlusconi u cënua keqazi nga skandalet. Në fund të fundit në nëntor 2011 ishin kancelarja Merkel dhe presidenti i atëhershëm francez Sarkozy ata ,që e larguan nga posti Berlusconin buzëvarur. Ai ishte thjesht një pengesë në shpëtimin e eurozonës. Por epoka e Berlusconit nuk ka marrë fund plotësisht.

Miliarderi, që zotëron një kompleks firmash dhe media me shumë influencë, sigurisht bëhet gati për hakmarrje dhe përgatit kthimin në arenën politike. E kjo nuk mund të përjashtohet plotësisht. Në rast se qeveria Letta vitin e ardhshëm do të bjerë për shkak të kursit, që ndjek në ekonomi, ka gjasa që Berlusconi në zgjedhje të mundshme të rikthehet në politikë përmes një koalicioni të partive të djathta.

Përjashtimi nga postet politike për shkak të evazionit fiskal ka afat. Kështu ai duhet vetëm të jetë i duruar dhe të shpresojë që të mos dënohet ligjërisht për vepra të tjera penale. Ka sondazhe, që e shohin potencialin e zgjedhësve të Berlusconit aty tek 20%, pavarësisht skandaleve të seksit, parave dhe ryshfeteve. Miliarderi ka shumë adhurues në radhët e biznesit të vogël. Që plakushi epshor dhe kokëfortë luan rolin e mashkullit të fortë duke sharë hapur gjykatësit si "talebanë" dhe "komunistë", nuk e dëmton aspak imazhin e tij tek përkrahësit. Përkundrazi.

Ky teatër në Romë për vëzhguesit ka gjasa të duket si një teatër absurd. Por ai reflekton gjendjen e shoqërisë italiane sot: E trembur nga kriza ekonomike, e dashuruar me inskenimet dramatike politike dhe thellësisht skeptike ndaj këshillave dhe recetave të partnerëve europianë. Të mos harrojmë, jo vetëm Berlusconi, por edhe partitë e tjera fituan vota me parullat kritike ndaj Europës e kundër kursit të kursimeve.

Nga Don Zhuan në qesharak

Drama ka një akt të ri. Në instancën e tretë dhe të fundit gjykatat italiane duhet të vendosin, nëse Berlusconi do të shkojë për shtatë vjet në burg i dënuar për seks me prostituta minorene. Party-t "Bunga-Bunga" në vilën e tij në Milano mund ta shkatërrojnë përfundimisht Berlusconin nga ana politike. Më parë ish-politikani i suksesshëm kishte miq si Tony Blair dhe Vladimir Putin. Por ai nuk e kapi dot momentin për një tërheqje me nder nga politika. Sot ndoshta vlen ç'ka ka thënë ish-bashkëshortja e tij, Victoria Lario: "Në njëfarë mënyre ai është i sëmurë". Gazetat italiane me thashethemet e reja gati zgjojnë një ndjenjë mëshire për të. Sipas tyre Berlusconi urdhërohet nga e fejuara e tij 28 vjeçare, një shou-girl nga Napoli. Thuhet se ajo ia ka ndaluar, që ai të shkojë në party. Komike dhe tragjike njëherazi. Kjo na bën ta duam Italinë.