1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi i Gjermanisë: Muri ende ekziston në kokat e gjermanëve

Wolfgang Dick/Bahri Cani2 Tetor 2013

24 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë, shumë gjermanë kanë ende paragjykimeve për njëri - tjetrin. Pjesa lindore ende ka vend për ndihma, edhe pse shumë dallime janë zhdukur. Por a janë gjermanët një popull?

https://p.dw.com/p/19sjv
Fotografi: AP

Prej vitit 1961 deri 1989 njerëzit në Gjermaninë Lindore kanë jetuar pas një muri - si të burgosur në zonën e kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik, e cila është vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Ikja nga kjo zonë ishte gati e pamundur. Në të ashtuquajturën Republika Demokratike e Gjermanisë (DDR) ishte e planifikuar të gjallërohej socializmi. Por në fund të viteve 1980 ky eksperiment dështoi.

Pas hapjes së kufirit gjermano - gjerman në vitin 1989 njerëzit nga Lindja kaluan në pjesët perëndimore, për të shijuar lirinë. Për të udhëtuar një herë pa pengesa dhe për të blerë gjëra të ndryshme, të cilat në DDR nuk kanë ekzistuar. Veshjet e njohura në pjesët lindore u zhdukën si: këpucët ngjyrë hiri, xhaketat nga materiali artificial apo veshmbathjet sportive të bëra nga parashutat. Ndryshuan edhe frizurat. Shumë shpejt u zhdukën dallimet në dukje mes gjermanolindorëve ( të quajtur në pjesët e tjera të vendit "Ossis") dhe gjermanoperëndimorëve. Por thellë në brendësi, ende ka dallime, paragjykimet kanë mbetur.

Paragjykimet e gjermanolindorëve

"Ata janë arrogantë, njohin vetëm paranë, janë burokratë dhe sipërfaqësorë". Kështu Thomas Petersen nga Instituti për hulumtimin e opinionit Allensbach shpjegon qëndrimet e shumë gjermanëve nga pjesët lindore për bashkëkombasit e tyre perëndimorë. Një sondazh i këtij instituti i bërë në vitin 2012 tregon se gjermanolindorët kanë më shumë paragjykime për gjermanoperëndimorët, se sa anasjelltas. Instituti Forsa pohon mbi bazën e studimeve të veta se gjermanët nga pjesët lindore dhe perëndimore të vendit në shumë gjëra ende nuk mund ta shohin veten si pjesë të një populli.

Maueroeffnung am Checkpoint Charlie Friedrichstraße 1989
Rënia e Murit - Friedrichstraße 1989 në BerlinFotografi: AFP/Getty Images

Banorët e pjesëve lindore e shohin veten madje "si qytetarë të rendit të dytë", shpjegon Andreas Zick. Sociologu nga Universiteti i Bilefeldit konstaton në hulumtimet e tij se shumë gjermanë që jetojnë në pjesën lindore mendojnë se janë të diskriminuar për shkak të kushteve më të këqija për jetë. Gati të gjitha godinat dhe rrugët e pjesës lindore janë modernizuar, por rrogat e njerëzve në këtë pjesë të vendit ende janë rreth 20 % më të ulëta se sa në pjesët perëndimore të vendit. Ndërsa pensionet në Lindje janë mëtë ulëta në 10 %.

Ekspertët e ekonomisë thonë se kjo ka të bëjë me llojet e sipërmarrjeve që ekziston në Gjermaninë e dikurshme Lindore. Shumë shpesh ato merren vetëm me gjëra për shërbime dhe furnizimin e Perëndimit. Në pjesët lindore ka shumë rrallë ndonjë qendër të ndonjë sipërmarrjeje të madhe me rroga të larta. Qindra miliardë subvencione nuk kanë mundur ta ndryshojnë këtë gjendje. "Dëshpërimet janë të mëdha", mendon sociologu Andreas Zick.

Paragjykimet e gjermanoperëndimorëve

Paragjykime ndaj bashkëkombasve të tyre në Lindje ka edhe në pjesët perëndimore të Gjermanisë, të cilët gjermanolindorët ende i quajnë "ossis" (që kanë një domethënie nënçmuese). Në sondazhet e bëra lidhur me raportet mes gjermanëve nga pjesë të ndryshme thuhet se gjermanoperëndimorët mendojnë se bashkëkombasit e tyre nga pjesët lindore gjithmonë janë të pakënaqur, të pabesueshëm dhe të frikësuar. Vetëm 43 % e gjermanoperëndimorëve mendojnë se banorët e Lindjes janë të gatshëm për më shumë punë apo "fleksibilitet".

Kontributi i solidaritetit, një lloj tatimi i veçantë për rindërtimin e pjesëve lindore, nga shumë gjermanë të pjesëve lindore konsiderohet si i tejkaluar dhe duhet të hiqet. Por nëse gjermanoperëndimorët mendojnë se vetëm ata janë që paguajnë për motrat dhe vëllezërit e tyre, e kanë gabim, sepse këtë kontribut e paguajnë edhe banorët e pjesëve lindore. Por vetë ky fakt dëshmon se bashkimi i plotë i gjermanëve në kokat e tyre nuk ka ndodhur ende.

Shkaqet dhe perspektiva

Symbolbild Wiedervereinigung deutsche Einheit Westdeutsche Ostdeutsche Mauerfall 1990
Foto simbolike e ribashkimit të GjermanisëFotografi: picture-alliance/dpa

"Mes "Ossis" dhe "Wessis" (gjermanët në Perëndimi) ka ende shumë pak miqësi, shumë pak kontakte dhe lidhje. Shumë më pak se sa që do të duhej", mendon Andreas Zick. Fajin për këtë e ka gjithmonë pala tjetër. Eksperti për sondazhe Thomas Petersen thotë se ky fakt nuk mund të barazohet me mungesën e interesit të njërës apo palës tjetër. "Pjesa perëndimore e Gjermanisë është shumë më e madhe se ajo lindore", thotë ai. Një rol të madh luan pra edhe largësia, sepse njerëzit nga këto pjesë kanë shumë pak konktakte, për t'u njoftuar më mirë mes njëri-tjetrit. Por kjo është vetëm çështje kohe.

"Gjenerata e dytë dhe e tretë pas bashkimit është shumë më optimiste dhe sheh më shumë vlera të përbashkëta mes Lindjes dhe Perëndimit", pohon Zick. Ndërsa Thomas Petersen konstaton: "Përqindja e njerëzve që sheh zvogëlimin e dallimeve mes Lindjes dhe Perëndimit po shtohet nga viti në vit".

Ndërkohë është rritur një gjeneratë e cila nuk e ka përjetuar fare Murin e Berlinit dhe ndarjen e Gjermanisë. Ndaj në sondazhet e sotme nuk vërehet gati aspak retorika agresive e dikurshme. Por askush nuk jep prognoza se deri kur do të zhduken dallimet në kokat e njerëzve nga Lindja dhe Perëndimi. Megjithë dallimet, shumica e njerëzve i gëzohet bashkimit dhe demokratizimit të Gjermanisë.