1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bashkimi fiskal europian - rrugëdalja?

26 shtetet e BE-së në samitin e së hënës (30.01.) do të miratojnë traktatin e ri për disiplinën buxhetore. A qëndron zgjidhja tek krijimi i institucioneve paralele në kohë krizë?

Merkel dhe Sarkozy flasin një gjuhë të përbashkët

Merkel dhe Sarkozy flasin një gjuhë të përbashkët

Në samitin e fundi të BE-së në Dhjetor 2011 kancelarja gjermane Angela Merkel ishte akoma entuziaste, se marrëveshja e shteteve të BE-së, përveç Britanisë së Madhe, përbënte përparim në zgjidhjen afatgjatë të krizës së borxhit. Ndërkohë teksti i traktatit për kushtet e BE-së u negociua në një kohë rekord. Ai nuk është aq i ashpër, siç e kishin imagjinuar Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy, si nëna dhe babai i kësaj ideje. Presidenti i bankës federale gjermane Jens Weidmann flet ndërkohë vetëm për një "kontribut" të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës.

Sanksione kundër shteteve me borxhe

Eurodeputeti Elmar Brok

Eurodeputeti Elmar Brok

Deputeti evropian i CDU, Elmar Brok, i cili mori pjesë në bisedime, e konsideron paktin si një "kontribut " të rëndësishëm, por që i vetëm është i pamjaftueshëm. "Natyrisht që ju mund të imagjinoni më mirë një gjë, apo një tjetër. Por unë besoj se tani është e mundur, të vihen sanksione dhe të nisin procedura ligjore për vendet në borxhe përmes një automatizmi. Dhe nga kjo ruhet metoda e komunitetit, në mënyrë që të mos krijohet një ndarje e Evropës."

Pakti do të vendoset jashtë traktateve aktuale evropiane, sepse Britania e Madhe vë veton kundër këtij veprimi. Kryeministri britanik David Cameron kishte frikë nga humbja e sovranitetit kombëtar buxhetor. Në fakt pakti fiskal parashikon dënime automatike për deficitet shumë të larta në buxhetet shtetërore. Kjo në periudhë afatgjatë do të çojë në stabilizimin e buxheteve. Kjo pikë ishte shumë e rëndësishme për kancelaren Merkel, sepse kushtetuta gjermane përmban në vetvete një frenim të tillë për borxhin. Ajo e kundërshton akuzën se do t'ua imponojë të tjerëve vullnetin e saj, sepse ajo përfaqëson vendin më të madh në eurozonë.

"Asnjë vend nuk mund t'i japë direktivë një vendi tjetër në këtë fushë. Por ne natyrisht duhet të diskutojmë me njëri-tjerin. Dhe ne nuk mund të bëjmë sehir dhe të themi se secili do t'i bëjë të gjitha në rregull. Ne jemi edhe të gatshëm të mësojmë nga njeri-tjetri. Kjo në radhë  të parë nuk ka bëjë aspak me dominancë. Dhe që ne jemi tani kaq të mëdhenj, nuk kemi çfarë të bëjmë."

Rregullat nuk janë krejt të reja

Kryeministri britanik David Cameron - i vetëm kundër të gjithëve

Kryeministri britanik David Cameron - i vetëm kundër të gjithëve

Deri tek frenimi i borxheve, pra te direktiva për të reduktuar deficitin dhe për të zhvilluar një ekonomi pa borxhe, rregullat e bashkimit fiskal në fakt nuk janë krejt të reja.Olli Rehn, komisioneri përgjegjës i BE-së për Çështjet Monetare, tha se 99 përqind e dispozitave të paktit të ri janë pjesë e konventës ekzistuese ligjore të BE. Qëllimi është që të riafirmohet edhe një herë e tëra, thotë Rehn: "Paketa fiskale përbën një detyrim qënësor të parlamenteve kombëtare të shteteve të BE-ë ndaj disiplinës buxhetore. Kjo është vlera e tyre e vërtetë. Pakti zbatohet kryesisht nga rregullat dhe ligjet tashmë ekzistuese."

Vetëm shtete të tilla, që i bashkohen paktit fiskal, do të marrin në të ardhmen ndihma nga fondi i shpëtimit të 17 shteteve të eurozonës. Pas një viti marrëveshja duhet të hyjë në fuqi nga parlamentet kombëtare. Edhe kjo do të ishte një periudhë rekord e shkurtër kohe. Ekspertët pajtohen se marrëveshja nuk do të ndihmojë në krizën aktuale, por do të ketë efektin e vet vetëm në të ardhmen. Jean Pisani-Ferry, nga instituti studimor "Bruegel" në Bruksel, mendon se është një rrugë e gjatë deri tek një bashkim fiskal me politikë të përbashkët të buxhetit dhe borxhit.

"Nuk do të keni borxhe të përbashkëta, në qoftë se nuk mund të kontrolloni, se çfarë bëjnë partnerët e tjerë. Kush mund ta kontrollojë këtë? Ky duhet të jetë një institucion i BE, ose i Eurozonës, që është i legjitimuar politikisht. Ne na nevojitet pra më shumë integritet politik. Por ne shohim pikërisht të kundërtën. Nuk ka ndonjë vullnet të veçantë për integrimin e mëtejshëm në eurozonë, sidomos në Francë."

Një institucion paralel?

Barroso: Marrëveshja e re duhet ta forcojë Evropën

Barroso: Marrëveshja e re duhet ta forcojë Evropën

Presidenti i Komisionit të BE, Jose Barroso, porosit se përmes paketës fiskale, që është nënshkruar pa Britaninë e Madhe, nuk duhen krijuar institucione të reja, që mund të konkurronin strukturat e përbashkëta ekzistuese. Barroso tha se çdo gjë tjetër do të shkaktonte vetëm konfuzion. "Marrëveshja e re, e cila nënshkruhet ndërmjet qeverive, duhet të respektojë sistemin ligjor ekzistues, metodat e përbashkëta dhe institucionet e BE. Ai në fund të fundit duhet ta forcojë Evropën dhe jo ta dëmtojë atë."

Autor: Bernd Riegert/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM