1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bashkimi Evropian: NATO të vëzhgojë ndalimfluturimin mbi Libi

NATO duhet të marrë drejtimin e sulmeve ushtarake kundër Libisë dhe duhet të kontrollojë respektimin e zonës së ndalim fluturimit. Kryeministrat dhe presidentët e vendeve të BE-së ranë në ujdi për këtë në Bruksel.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në Bruksel

Me presionin e ushtruar nga Uashingtoni, partnerët evropianë të NATO-s reaguan ditën e gjashtë të këshillimeve të vazhdueshme mbi misionin në Libi. Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton pati bërë të qartë në bisedat telefonike me partnerët nga Turqia, Britania e Madhe dhe Franca se SHBA duan të tërhiqen nga marrja e vetme e përgjegjësisë dhe duan që të bien dakord me aleatët evropianë. Për gjendjen në Libi janë duke u këshilluar paralelisht me Këshillin e NATO-s në Bruksel, edhe kryeministrat dhe presidentët e vendeve të Bashkimit Evropian.

NATO ndjek politikën e bashkëpunimit me të gjithë aleatët

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen bëri të ditur se në princip është rënë dakord që kontrollin e ndalimfluturimit ta bëjë NATO.

"Aleatët e NATO-s kanë marrë vendim që të zbatojnë ndalimfluturimin mbi Libi. Ne mendojmë se kjo është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të mbrojtur civilët nga sulmet e regjimit të Gaddaf-it. Ne do të bashkëpunojmë me partnerët në rajon dhe përshëndesim kontributin e tyre. Të gjithë partnerët e NATO-s janë të detyruar të respektojnë pikat e rezolutës së OKB-së. Prandaj kemi marrë vendim që të marrim përgjegjësinë për zonën e ndalim- fluturimeve."

Hillary Clinton, sekretarja amerikane e Shtetit

Hillary Clinton, sekretarja amerikane e Shtetit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen tha se paralelisht me NATO-n, sulm mund të ushtrojnë edhe vendet aleate me Perëndimin, nëse mendojnë se kjo është e nevojshme. Ditët e ardhshme do të diskutohet nëse NATO do të zgjerojë përgjegjësitë e veta.

Sarkozy mbron përdorimin e raketave "cruise"

Presidenti francez Nicolas Sarkozy këmbënguli në samitin e BE-së, që aksioni ushtarak kundër Libisë të mos drejtohet politikisht nga NATO, por nga një koalicion ndërkombëtar. Sarkozy justifikoi sulmet e deritanishme ajrore me raketat cruise. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbrojë popullsinë civile me çdo kusht. Gaddafi ka kërcënuar me gjakderdhje:

"Përfytyroni, sikur koalicioni ynë të mos kishte vepruar në Bengazi. Mendoni çfarë mund të kishte ndodhur. Do të kishte ndodhur një masakër. Ne jemi atje për të vënë në jetë principet historike, të mbrojmë në mënyrë vendimtare popullsinë."

Turqia kishte bllokuar një angazhim të NATO-s, duke refuzuar sulmet direkte mbi forcat tokësore të pushtetmbajtësit libian, Gaddafi. Kryeministri Recep Tayyip Erdoğan pati thënë se sulmet e aleancës perëndimore do të shkaktojnë më shumë dëme se sa përfitime. Ato mund të kthehen në pushtim dhe të dëmtojnë unitetin shtetëror të Libisë.

Britania e Madhe, Hollanda dhe Italia preferojnë më mirë që NATO të ndërmarrë sa më shpejt të jetë e mundur disa aksione ushtarake. Italia kërcënoi Francën me mosdhënien më në dispozicion të aeroporteve të veta për sulmet në Afrikën e Veriut.

Nicolas Sarkozy mbi sulmet në Libi

Nicolas Sarkozy mbi sulmet në Libi

Gjermania: Embargo e përgjithshme e naftës

Kancelarja gjermane Angela Merkel pati bërë të qartë se Gjermania nuk do të marrë pjesë në sulmet dhe kontrollin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi.

"Për mua është e rëndësishme që nga ana e Bashkimit Evropian ne të arrijmë një embargo të përgjithshme nafte, për të bërë të qartë se ne nuk mund të bëjmë tregti me dikë që bën luftë me popullin e vet. Kufizimet tregtare duhet të jenë sa më të gjithanshme."

Merkel kërkoi embargo totale nafte dhe tregtie. Kjo u realizua pjesërisht ditën e enjte (24.3), sepse BE njoftoi në Fletoren Zyrtare ndalimin e tregtisë me firmat libiane te naftës dhe gazit. Megjithatë firma shtetërore italiane ENI nxjerr ende naftë dhe gaz në Libi. Kontot e Gaddafit dhe familjes së tij duhet të bllokohen. Italia dëshiron më shumë ndihmë për trajtimin e refugjatëve nga Afrika e Veriut. BE i kërkon pushtetmbajtësit libian Gaddafi të lëshojë pushtetin dhe të mos ushtrojë dhunë ndaj popullit të tij.

Autor: Bernd Riegert/Aida Cama

Redaktoi. Lindita Arapi

  • Data 25.03.2011
  • Fjalët kyç NATO, BE, Libi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10hL5
  • Data 25.03.2011
  • Fjalët kyç NATO, BE, Libi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10hL5