1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bashkimi Evropian do t'i zhdëmtojë fermerët e prekur nga patogjeni EHEC

Bashkimi Evropian vendosi t’i dali në ndihmë kultivuesve të perimeve në vendet e BE-së, të prekura nga patogjeni EHEC, me shumën prej 150 milionë eurosh. Kështu njoftoi komisioneri i BE-së për Bujqësinë Dacian Ciolos.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Bashkimi Evropian do t'iu paguajë fermerëve për produktet e prekura më së shumti 30 për qind të çmimit mesatar në katër vitet e kaluara, tha komisioneri për bujqësinë Dacian Ciolos të martën (07.06.) në Luksemburg. Sipas tij do të mbulohet koha prej fundit të majit deri në fund të qershorit. Por propozimi duhet të miratohet edhe nga ministrat e Bujqësisë të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Komisioneri i BE-së për Bujqësinë, Dacian Ciolos

Komisioneri i BE-së për Bujqësinë, Dacian Ciolos

Shpërthimi i infektimeve me patogjenin EHEC në Gjermani sipas të dhënave të Komisionit të BE-së ka pasur ndikim në konsumimin e trangujve, sallatës dhe domateve edhe në vendet e tjera. Para së gjithash Spanja ka kërkuar kompensim për humbjet e shkaktuara nga Bashkimi Evropian dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë një gjë të tillë edhe nga Gjermania. Ministrja belge e Bujqësisë Sabine Laruelle tha se paralajmërimet për prodhimet bujqësore kanë prekur një treg shumë të ndjeshëm. Bashkimi Evropian duhet tani t'iu qëndrojë në krah fermerëve. Në Spanjë vetëm brenda pesë ditësh llogaritet të jenë shkaktuar dëme në vlerë prej 200 milionë eurosh, në Holandë nga pesë milionë në ditë ndërsa në Belgjikë tre milionë në javë.

Çështje e sigurisë apo kaos informativ?

Komisioneri për Shëndetësinë i Bashkimit Evropian John Dalli kritikoi autoritetet për kaosin e krijuar informativ në Gjermani. Ai paralajmëroi nga konkluzionet e tjera të shpejtuara për origjinën e patogjenit EHEC. Të dhënat e tilla duhet të jenë vërtetuar shkëncërisht para se ato të publikohen, tha ajo në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Ministrja gjermane e Bujqësisë, Ilse Aigner

Ministrja gjermane e Bujqësisë, Ilse Aigner

Ministrja gjermane e Bujqësisë Ilse Aigner hodhi poshtë kritikat e kolegëve të saj. "Në tranguj është zbuluar prania e patogjenit EHEC, kjo duhet të njoftohej, këto janë rregullat evropiane". Po ashtu edhe dyshimet për origjinën e patogjenit në Saksoninë e Poshtme ishin të drejta. "Siguria ka përparësi", tha ministrja gjermane, "Bëhet fjalë për jetën e njerëzve, bëhet fjalë për sëmundje të rënda."

Në mbarë Gjermaninë sipas të dhënave të Institutit Robert Koch që nga fillimi i majit kanë vdekur 21 njerëz të prekur nga infektimet me patogjenin EHEC. Instituti ka korigjuar kështu të dhënat e një dite më parë. Numri i të prekurëve në Gjermani është 1.683. Prej tyre nga komplikimet e rënda me sindromin hemolitik uremik janë prekur 642 njerëz.

Spitalet kërkojnë ndihma financiare

Spitalet kërkojnë ndihmë

Spitalet kërkojnë ndihmë

Ndërkohë që ekspertët po kërkojnë pa pushim origjinën dhe burimin e infektimeve me patogjenin EHEC, Shoqata e spitaleve gjermane i druhet mbingarkesës financiare të klinikave. "Unë apeloj tek politika që duke marrë parasysh epideminë me patogjenin EHEC të heqë dorë nga planet për shkurtimet financiare të spitaleve", tha drejtuesi i Shoqatës së Spitaleve gjermane Georg Baum për gazetën "Rheinische Post". Epidemia tregon se sa e rëndësishme është që në spitale të ruhen kapacitet e shtretërve dhe personelit për të menaxhaur sa më mirë gjendjet e këtilla. Aktualisht gjendja po mbahet nën kontroll pasi që klinikat po shkëmbejnë personelin.

Autor: Reinhard Kleber / Esat Ahmeti (dapd, rtr, dpa)
Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

Audio dhe video për temën