1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bashkimi Energjetik Evropian - bashkarisht të pavarur?

BE-ja është e varur prej furnizimeve me naftë dhe gaz nga Rusia. Evropianët duan tani të shtojnë përpjekjet e tyre për t'u bërë më të pavarur.

Kriza aktuale në Ukrainë i ka bërë edhe një herë të bëhen të vetëdijshme shtetet anëtare të BE-së, se sa të varura janë ato ende prej furnizimeve me naftë dhe gaz nga Rusia. Presidenti Vladimir Putin mund ta përdorë furnizimin me energji si armë politike. Që nga viti 2009, kur furnizimi i gazit për Evropën Perëndimore u reduktua për shkak të një mosmarrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës si vendit tranzit, BE-ja është duke u përpjekur që të bëhet më e pavarur. Me projektin "Bashkimi Energjetik," evropianët duan tani të shtojnë përpjekjet e tyre për të siguruar çmime energjie "të sigurta, të qëndrueshme dhe të përballueshme" për qytetarët dhe bizneset. Kështu thuhet në propozimin e Komisionit të BE-së. Komisioneri evropian Maroš Sefcovic e vlerëson projektin që tani si një arritje historike, të krahasueshme me Bashkimin e Qymyrit dhe të Çelikut që ishte thelbi i sotëm i themelimit të BE-së: "Ky është pa dyshim projekti më ambicioz i energjisë që nga Bashkimi i Qymyrit dhe i Çelikut Evropian. Ai ka potencial për ta nxitur integrimin e Evropës ashtu si edhe Bashkimi i Montanës në vitet 1950. "

Negociatat të përbashkëta me Gazprom?

Disa vende të BE-së si Bullgaria dhe Sllovakia varen 100 për qind nga furnizimet ruse me gaz. Në nivel BE-je Rusia është me 39 për qind burimi kryesor i gazit, ndërsa furnizimet me naftë nga Rusia janë 37 për qind. Presidenti polak i Këshillit Evropian, Donald Tusk, sikurse edhe shtetet lindore të BE-së e konsideron sigurinë e furnizimit me energji, si objektivin kryesor të Bashkimit të Energjisë. Tusk dëshiron që blerjet e energjisë së evropianëve në Rusi të mos bëhen veç e veç po të përbashkëta. Në këtë mënyrë mund të negociohen çmime më të mira. Komisioni Evropian dëshiron t'i negociojë kontratat e kompanive të ndryshme evropiane të gazit me koncernin shtetëror rus Gazprom dhe t'i koordinojë ato. Kundër kësaj ideje janë kompanitë e energjisë të organizuara privatisht, sepse ato thonë se kjo gjë bie ndesh me rregullat e konkurrencës dhe sekretit tregtar. I kësaj pikëpamjeje është edhe qeveria federale. Negociata të përbashkëta për çmime duhet të ketë vetëm në raste të jashtëzakonshme, tha Ministri federal i Ekonomisë, Sigmar Gabriel (SPD).

Më shumë burime energjie të rinovueshme dhe gaz i lëngshëm

Më shumë pavarësi nga Rusia mund të arrihet kryesisht përmes burimeve të reja të furnizimit dhe mundësive të tjera, thuhet në strategjinë e Bashkimit Energjetik. Kësaj i japin rëndësi të madhe Gjermania, Danimarka dhe Austria. Ato dëshirojnë të përdoren më shumë burime të ripërtëritshme energjie si era dhe ajo diellore dhe të kursejnë energji ose ta përdorin atë në mënyrë më efikase. Ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane Michael Roth, i cili udhëhoqi negociatat e fundit për Bashkimin Energjetik në Bruksel, tha se ai nuk ka asnjë kritikë në drejtim të Bashkimit Energjetik.

Importi i gazit të lëngshëm nga SHBA apo Lindja e Mesme do të jetë një tjetër mundësi. Por ndërtimi i platformave të nevojshme për shkarkimin e gazit në brigjet evropiane po ecën shumë ngadaltë, sepse është shumë joekonomik. Gazi rus është shumë më lirë se sa gazi i lëngshëm. Ringjallja e projektit të gazsjellësit "Nabucco" që kalon nga Turqia do të jetë e mundur në qoftë se BE-ja do të gjejë furnizues në Azinë Qendrore.

Për të rritur sigurinë e furnizimit me energji BE-ja synon zgjerimin e tubacioneve të gazit dhe rrjetit të energjisë elektrike përtej kufijve të vendeve anëtare dhe lidhjen e tyre në Bashkimin Energjetik. Komisioni Evropian dëshiron ta shtojë deri në vitin 2020 nga sot tetë në dhjetë përqind të ashtuquajturën kuotë të lidhjeve energjetike ndërmjet vendeve të BE-së. Duke pasur parasysh prodhimin gjithnjë e më të decentralizuar të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme nevojitet një rrjet rajonal më i zgjuar për energjinë, tha Komisioneri Maroš Sefcovic.