1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bashkëpuntorët e organizatave të ndihmave në shënjestër të sulmeve në rajonet e krizave

Mbi 100 bashkëpunëtorë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë humbur jetën gjatë vitit të kaluar. Dhjetë vjet më parë kanë gjetur vdekjen vetëm 36, ndërkohë që janë shtuar edhe rastet e rrëmbimeve të tyre

default

Elaine Caux e mban mend mirë momentin e shpërthimit. Bashkëpunëtorja franceze e UNICEF-it, i mbijetoi më 9 qershor shpërthimit të bombës në hotelin Continental në Pakistan. Si pasojë e këtij shpërthimi humbi jetën kolegu i saj, Aleksandar Vorkapiq.

„Me lot në sy, humba vetëdijen, sepse ndodhi diçka që nuk e kisha pritur. U shokova kur dëgjova për vrasjen e kolegut. Më vonë u detyrova t'i tregoj kolegëve për vdekjen e Aleksandrit, që për mua ishte shumë dramatike. Është kjo një gjendje shumë e çuditshme: nga njëra anë je e traumatizuar dhe e pikëlluar, ndërsa në anën tjetër mundohesh t'i largosh emocionet dhe të vazhdosh punën.“

Symbolbild UNO Gaza

Rritet numri i të vrarëve dhe shpeshtohen rrëmbimet

Aleksandar Vorkapiq ishte një nga tre bashkëpuntorët e OKB-së që u vranë gjatë këtij viti. Gjatë vitit të kaluar janë vrarë rreth 120 bashkëpunëtorë të OKB-së në rajonet e krizave. Para dhjetë vitesh, numri i të vrarëve ishte 36. Ndërkohë është shtuar shumë edhe numri i rrëmbimeve. Bashkëpuntorët e organizatave të ndihmave u nënshtrohen tani rreziqeve më të mëdha se më parë, thotë Veronique Taveau nga UNICEF-i.

„Kërcënimet dhe sulmet ndaj ndihmësve janë të papranueshme. Bashkëpunëtorët e OKB-së janë atje për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë, fëmijët dhe gratë. Ndihmësit kanë për qëllim zbutjen e pasojave të urisë, mbrojtjen e fëmijëve dhe përkujdesjen më të mirë mjekësore."

Sudani - vendi më i rrezikshëm në botë për bashkëpuntorët e OKB-së

Tri të katërtat e sulmeve ndaj ndihmësve të OKB-së janë zhvilluar në gjashtë vende. Sudani është vendi më i rrezikshëm, në veçanti zona e Darfurit. Por në rrezik janë edhe bashkëpunëtorët e OKB-së në Somali, Afganistan, Çad, Irak dhe Pakistan. Në këto vende ata shikohen prej grupeve terroriste dhe milicëve si përfaqësues të vendeve perëndimore.

Kryqi i Kuq u shpërndan medikamente refugjatëve në jug të Sudanit

Kryqi i Kuq u shpërndan medikamente refugjatëve në jug të Sudanit

Disa organizata janë tërhequr për shkak të rreziqeve në rajonet e krizave. Megjithatë OKB-ja ende nuk ka problem me rekrutimin e bashkëpunëtorëve për organizatat e ndihmave. Elaine Caux thotë se megjithë përjetimet traumatike do të vazhdojë punën e saj.

„Është kjo një dilemë e madhe e ndihmësve. Në njërën anë duan të punojnë dhe ndihmojnë, sepse prej punës së tyre varet ndoshta jeta e 1000 refugjatëve, por në anën tjetër e dinë se në rrezik është edhe jeta e tyre, që është më e vlefshmja për secilin."

Elaine Caux përpiqet që gjatë punës ta harrojë frikën, por nuk ia del gjithmonë. Pas kthimit nga Pakistani në Gjenevë i janë dashur dy javë për t'u qetësuar. Ajo e di se atje ka shumë rreziqe, por mendon sërish të kthehet dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë.

Autor: Pascal Lechler / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 22.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JGLz
  • Data 22.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JGLz