1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bashkëpunimi ushtri polici kundër terrorit

Nisur nga sulmet e fundit në Gjermani dhe në Francë disa lande po planifikojnë manovra të përbashkëta stërvitore mes policisë dhe ushtrisë.

Bëhet fjalë për rastin e ndonjë sulmi të rëndë terrorist në Gjermani, ndoshta në disa vende njëkohësisht. Në rate të tilla ushtria, Bundeswehr-i, mund t'i vijë në ndihmë policisë, - tha ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU). Nga pikëpamja kushtetuese kjo është e mundur, edhe nëse në fakt përgjegjëse për sigurinë e brendshme është vetëm policia. Deri tani ndërveprimi mes policisë dhe ushtrisë nuk është praktikuar në ndonjë skenar sulmi. Bundeswehr-i ka ndihmuar në rrethana të jashtëzakonshme brenda vendit sidomos gjatë fatkeqësive natyrore.

Prova për rast rreziku serioz

Nisur nga sulmet e fundit në Gjermani dhe në Francë skenari i terrorit ka dalë tani në plan të parë: Ministria e Mbrojtjes dhe autoritetet policore të disa landeve po planifikojnë manovra e para të përbashkëta stërvitore mes policisë dhe ushtrisë. "Në rast emergjence, zinxhiri i alarmit duhet të jetë gati", tha ministrja von der Leyen në një intervistë. Është më mirë që të përgatitemi për një skenar të tmerrshëm terrorist, se sa të dëgjojmë më pas akuza se pse nuk është bërë kjo.

Kancelarja Angela Merkel mendon të njëjtën gjë: "Tani është koha për të kryer stërvitje për raste sulmesh të rënda terroriste, stërvitje që mund të kryhen edhe sipas kushtetutës, në të cilat nën drejtimin e policisë mund të përfshihet edhe ushtria," tha ajo në një konferencë për shtyp javën e kaluar

Vetëm në rast katastrofe

Ministrat e Brendshëm të landeve duan të vendosin në takimin e ardhshëm, se ku dhe për cilat lloj rastesh do të zhvillohen stërvitjet. Tri lande - Saarlandi, Saksonia-Anhalt dhe Baden-Vyrtembergu - kanë shprehur tashmë interes për manovra të përbashkëta stërvitore me forcat e armatosura.

Neni 35 i Kushtetutës gjermane parashikon që policia në rast emergjence mund të kërkojë ndihmën e ushtrisë. Drejtimin për raste të tilla katastrofash natyrore ose fatkeqësishë të tjera të rënda e ka policia. Tani ndër rastet e fatkeqësive të rënda përfshihen edhe sulmet terroriste.

Diskutimet vazhdojnë

Partia Socialdemokrate, SPD, është kundër përfshirjes së ushtrisë në rastin e sulmeve terroriste. Eksperti i kësaj partie për mbrojtjen, Rainer Arnold, e kritikoi vënien në gjendje alarmi të një njësie sanitare të Bundeswehrit gjatë sulmit amok të Mynihut dhe do që për këtë temë të diskutohet në komisionin parlamentar për Mbrojtjen.

Edhe kryetari i partisë Ekologjike Cem Özdemir tha se nëse në Gjermani duhen më tepër policë, atëhere duhet të shtohet numri i tyre dhe e quajti angazhimin e ushtrisë për raste katastrofash si "votë mosbesimi" ndaj policisë. Pas sulmeve në Bavari qeveria e këtij landi vendosi të hapë vitin e ardhshëm 2000 vende shtesë për policë.

Edhe partia e Majtë kërkon që vija ndarëse mes detyrave të ushtrisë dhe të policisë të mos kapërcehet sikurse tha deputetja e kësaj partie Ulla Jelpke.