1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bashkëpunimi rajonal është domosdoshmëri, por në një sërë fushash ai çalon

Në Berlin u mbajt të premten një podium diskutimi me ministrat e jashtëm të disa vendeve ballkanike mbi bashkëpunimin rajonal si domosdoshmëri për paqen e sigurinë e Ballkanit. Takimi organizohej nga instituti ASPEN.

default

Pjesëmarrës në panelin e diskutimit: “Security and Prosperity on the Western Balkans”

Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, kërkoi bashkëpunim me Serbinë dhe kritikoi vendin fqinj: "Nuk po presim nga Serbia që të na njohë, por mosnjohja nuk ka përse ta pengojë Serbinë dhe Kosovën që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në interes të sigurisë dhe paqes në rajon", tha Hyseni, i cili ishte folësi i parë në podium. Sa për procesin e njohjes së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, Hyseni u shpreh realist. "Unë asnjëherë nuk kam besuar se mbas pavarësisë do të vërshonin njohjet, por njohjet do të vazhdojnë dhe Kosova po ecën gradualisht përpara".

Aspen Konferenz

Antonio Milososki, Minister i Jashtëm i Maqedonisë, në diskutimin në Berlin

I zhgënjyer në të kundërt ishte ministri i jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, për bllokimin, që i bëri Greqia fillimit të negociatave me BE-në. Kritikë në adresë të Brukselit shkoi edhe nga ana e ministrit të jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës, Sven Alkalaj, për mospranimin e vendit të vet në planin e zgjerimit të NATO-s dhe në procesin e liberalizimit të vizave. "Lajme të tilla e ulin përkrahjen e qytetarëve për anëtarësim në BE dhe NATO", paralajmëroi ai.

Bosnja dhe Shqipëria të pakënaqur për lënien jashtë nga liberalizimi i vizave

Edhe Ilir Meta dukej i pakënaqur për lënien jashtë të Shqipërisë nga liberalizimi i vizave, që fillon më 19 dhjetor për disa vende të Ballkanit. Meta vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira të Shqipërisë me vendet e rajonit dhe u shpreh për forcim edhe më të madh të marrëdhënieve me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Por pakënaqësia më e madhe e kryetarit të Lidhjes Socialiste për Integrim dukej të ishte ndaj Edi Ramës: "Problemi i vetëm që ka Shqipëria është mungesa e pjekurisë së liderit të opozitës për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve", tha shefi i diplomacisë së Shqipërisë. Përveç kësaj ai apeloi tek shqiptarët jashtë trojeve që të luajnë një rol konstruktiv për sigurinë dhe paqen në rajon dhe paralajmëroi se Shqipëria do t'i përforcojë marrëdhëniet me Serbinë.

Aspen Konferenz

Anastassios Kriekoukis, ambasadori i Greqisë duke diskutuar në panel

Stuart: Integrimi në BE dhe NATO e vetmja alternativë

Për nëndrejtorin e departamentit për Evropën dhe Euroazinë në ministrinë e jashtme të SHBA-ve, James Stuart, rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve brenda ose ndërmjet vendeve të Ballkanit është ajo drejt Evropës. "Nuk alternativë tjetër. Këto vende duhet të integrohen në BE dhe NATO. E vetmja gjë, që duhet të bëjnë këto vende, është të plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe të trokasin në portën e Brukselit e t'i kërkojnë këtij të vërë në jetë premtimin e Selanikut dhe sigurisht që SHBA-të do t'i mbështesin ato", premtoi diplomati amerikan.

Ishte hera e dytë që instituti ASPEN e organizoi një takim të tillë në Berlin. Ministri serb i punëve të jashtme, Vuk Jeremic, i cili vitin e kaluar kishte mbajtur fjalën kryesore, si dhe homologu kroat, këtë radhë nuk kishin ardhur.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 14.12.2009
  • Autor dw
  • Fjalët kyç dw
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L1tc
  • Data 14.12.2009
  • Autor dw
  • Fjalët kyç dw
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L1tc