1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bashkëpunimi me Greqinë, i rëndësishëm për eurointegrimin e Maqedonisë - Intervistë me Teuta Arifin

Zëvendëskryeministrja për Eurointegrim në Maqedoni, në një intervistë eksluzive për programin tonë, ndalet në prioritetet e kësaj qeverie të sapozgjedhur lidhur me procesin e integrimit të vendit në BE.

Kabineti qeveritar i Maqedonisë, në rradhën e parë zevendëskryeministrja Teuta Arifi

Kabineti qeveritar i Maqedonisë, në rradhën e parë zevendëskryeministrja Teuta Arifi

DW: Në qeverinë e re të sapoformuar në Maqedoni, për herë të parë një shqiptare emërohet Zevëndëskryeministre për Eurointegrim, një post ky mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ju zonja Arifi vetë, si e vlerëson këtë post?

Teuta Arifi: Ky post do të thotë shumë në rradhë të parë për shkak se një parti politike shqiptare në Maqedoni arrin në këto 20 vjet të udhëheqë me proceset integruese dhe kjo sfidë sa është e madhe për shtetin, është po aq e madhe për partinë time shqiptare, Bashkimi Demokratiik për Integrim. Kjo detyrë është e madhe edhe për mua personalisht duke pasur parasysh faktin që përkrahja e shqiptarëve në Maqedoni për sa i përket procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por edhe në Nato është 100 për qind dhe pa kurrfarë dileme. Në këtë drejtim obligimet që vijojnë lidhur me realizimin e këtyre synimeve janë tejet të mëdha dhe tejet serioze. Mendoj se për Maqedoninë procesi i integrimit është i ndërlidhur sa me çështjen e realizimit të detyrimeve dhe proceseve reformuese, po aq edhe me gjetjen e një zgjidhjeje kompromise për sa i përket kontestit të emrit me Greqinë, një zgjidhje kjo që do të ndihmonte në zhbllokimin e proceseve eurointegruese.

DW: Ndërkohë Maqedonia ballafaqohet me probleme të cilat janë vërejtur edhe nga Bashkimi Evropian, siç janë ato në fushën e gjyqsorit dhe të drejtat e njeriut, etj. A ka projekte konkrete nga qeveria në këtë drejtim për realizimin e kritereve që kërkon BE-ja, zonja Arifi?

Kërkesat e BE-së në rradhë të parë janë për interesat tona

Teuta Arifi: Në raportin e fundit për Progresin të Bashkimit Evropian për Maqedoninë, gjyqsori ka qenë vërtet sektori më i kritikuar dhe kërkesat ndaj tij janë tejet serioze dhe shumë të qarta. Tendenca dhe puna kryesore që duhet të bëjmë është pikërisht realizimi i obligimeve apo listës së detyrave që ne i kemi marrë nga Brukseli dhe që nënkupton ndryshime dhe reforma brenda gjyqsorit. Ne jemi të detyruar t'i bëjmë në rradhë të parë për shkak të interesave tona. Mirëpo në obligimet ndaj Bashkimit Evropian përveç sferës së gjyqsorit ku hyjnë këtu edhe Marrëveshja e Ohrit, domethënë të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera që do të jetë po ashtu një synim serioz në plotësimin e kritereve të Bashkimit Evropian.

DW: Procesi i eurointegrimit kërkon jo vetëm bashkëpunim mes forcave politke brenda për brenda vendit, por edhe një bashkëpunim ndër rajonal mes vendeve fqinjë. Kam parasysh këtu faktin e aspiratës së përbashkët për të hyrë në familjen e BE-së, vendet si Shqipëria, Kosova dhe Serbia. A ka diçka të veçantë në prioritetet e qeverisë suaj lidhur me këtë bashkëpunim, zonja Arifi?

Teuta Arifi: Një nga synimet e mia në këtë mandat është intensifikimi i bashkëpunimit rajonal për sa i përket çështjeve euro-integruese, sepse mendoj që eurointegrimet janë shanset dhe rruga e vetme për daljen e rajonit të Evropës Juglindore apo të Ballkanit Perëndimor nga gjendja ku 20 vjet me rradhë po na mban më pak të zhvilluar ekonomikisht, më pak edhe- nëse mund të shprehem kështu-" demokratik" në sistemet tona politike. Mendoj që bashkëpunimi do të jetë një prioritet i imi dhe në këtë kuadër sigurisht që ka prioritet bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën duke pasur parasysh edhe një fakt mjaft interesant për mua që proceset eurointegruese si në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni drejtohen nga tre gra politikane në qeverisje, që do të thotë megjithatë diçka për shoqëritë shqiptare. Dua të veçoj po ashtu për rastin e Maqedonisë bashkëpunimin e veçantë me Greqinë, për shkak se pa marrë parasysh kontestet e hapura që ekzistojnë mes dy vendeve, atmosfera e mirë politike e bashkëpunimit është një rrugë që do të lehtësonte proceset eurointegruese.

DW: Bashkimi Evropian në përgjithësi është i angazhuar në procesin e integrimit të Maqedonisë dhe vendeve të tjera në rajon. Por sa ndjehet kontributi i Gjermanisë në këtë drejtim dhe çfarë prisni nga ky vend në të ardhmen?

Gjermania si investues i madh për paqen, duhet të jetë më aktiv në Ballkan

Teuta Arifi: Mendoj se përgjithësisht shtetet evropiane, duke përfshirë edhe Gjermaninë kanë pasur gjithmonë qëndrime shumë korrekte dhe qëndrime shumë përkrahëse në procesin integrues të Maqedonisë për në BE. Në këtë drejtim Gjermania ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në Ballkan, veçanërisht në këto dhjetë vitet e fundit. Ajo së bashku edhe me shtetet e tjera është një ndër investuesit e mëdhenj për paqen dhe zhvilimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këtë moment mendoj se do të ishte shumë e rëndësishme për ne dhe po ashtu do të ishte me vlerë të madhe për elitën politike ballkanike që politika gjermane të mbante interesimin për rajonin në një shkallë më të lartë, sepse rajoni i Ballkanit perëndimor ka nevojë mbase për shtytjen e fundit për të dalë nga situatat që bllokojnë proceset eurointegruese pa marrë parasysh se cilat janë ato. Pra do të ishte shumë e rëndësishme që roli i Gjermanisë të ishte më aktiv në rajonin e Ballkanit.

Intervistoi: Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Esat Ahmeti