1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bashkëpunimi gjermano-francez

Vërtet kriza e Greqisë mbizotëroi në këshillimet ministrore gjermano-franceze, po kancelarja Merkel dhe presidenti Sarkozy vendosën gjithashtu për një bashkëpunim më të ngushtë të dy vendeve, para së gjithash te taksat.

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy gjatë konferencës së përbashkët për shtyp (06.02.2012)

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy gjatë konferencës së përbashkët për shtyp (06.02.2012)

Sarkozy dhe Merkel në Paris

Sarkozy dhe Merkel në Paris

Vitin që vjen Franca dhe Gjermania duan të parashtrojnë propozime të rëndësishme për një bashkëpunim më të ngushtë të dy vendeve. Si pjesë thelbësore e tij është parashikuar barazimi i taksave mbi sipërmarrjet. Shkas për nismën e miratuar të hënën në këshillimet ministrore gjermano-franceze është 50-vjetori i Marrëveshjes së Elysee-së vitin që vjen. Kanclearja Angela Merkel theksoi rëndësinë e marrëveshjes, e cila 50 vjet më parë çoi në një bashkëpunim të ngushtë midis Gjermanisë dhe Francës. Marrëveshja duhet rivitalizuar, tha kancelarja.

Gjatë takimit të tyre në Paris të dy qeveritë paraqitën një "libër të gjelbër" për analizimin e sistemeve të tyre fiskale. Presidenti francez Nicolas Sarkozy vuri në dukje që aktualisht Gjermania ka një taksë korporatash më të ulët sesa Franca: "Përafrimi krijon një zonë stabiliteti, e cila ndikon mbi gjithë eurozonën." – tha Sarkozy.

Irlanda bën qëndresë kundër harmonizimit

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Taksë mbi korporatat duhet të paguajnë për shembull shoqëritë aksionare dhe kooperativat. Aktualisht taksa mbi sipërmarrjet është në Gjermani te 15 për qind, por duhet thënë se baza e taksimit është më e gjerë, pra me të taksohen më shumë sipërmarrje. Në Francë nga ana tjetër përqindja e taksimit është te 33 për qind, me diapazone të ndryshme. Mirëpo baza e taksimit është më e ngushtë, pasi ekzistojnë një sërë mundësish për t'iu shmangur kësaj takse. Megjithatë, kundër një harmonizimi të normave të taksimit në BE shprehen vende si Irlanda, përqindja e ulër e taksimit e së cilës tërheq në vend sipërmarrje.

Të dy qeveritë miratuan gjithashtu një fond të përbashkët në kërkime dhe shkencë. Kështu, ministrat e Kërkimit dhe Shkencës vendosën që dy shtetet të hulumtojnë bashkarisht rezervat e të ashtuquajturave tokëra të rralla dhe të shfrytëzojnë rezerva metalesh në Paqësor. Si arsyetim u tërhoq vëmendja te fakti që furnizimi i sigurt botëror me rezerva metalesh joenergjetike është përkeqësuar.

Diskutim për ndihmën në fushatën zgjedhore

Sarkozy dhe Merkel në Berlin

Sarkozy dhe Merkel në Berlin

Irritime këndej dhe matanë lumit Rin shkaktoi mbështetja demonstrative e Merkelit për Sarkozynë, i cili për dy muaj e gjysmë garon për zgjedhjet presidenciale. Pasdite ajo dha demonstrativisht një intervistë me kreun e shtetit francez. Ajo u transmetua në mbrëmje nga stacionet ZDF dhe France 2.

Kryetarja e Partisë Demokristiane tha se në Evropë është krejt e zakonshme që parti mike të ndihmojnë njëra-tjetrën edhe në fushata zgjedhore. Për shembull, tha ajo, Sarkozy doli në 2009-n në Berlin para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani dhe atyre për Parlamentin Evropian. Dhe kandidati socialiste për zgjedhjet presidenciale në prill, François Hollande, ka qenë në dhjetor në kongresin e Partisë Socialdemokrate Gjermane, shtoi ajo. Intervista televizive me Sarkozynë nuk ka të bëjë me ndihmën në fushatë zgjedhore, vijoi Merkel. Zëvendëszëdhënësi qeveritar Georg Streiter plotësoi: "Këtu bëhet fjalë për një angazhim personal të kryetares së CDU-së Angela Merkel."

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti