1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bashkëpunim rajonal kundër trafikut të qënieve njerëzore

Trafiku i qënieve njerëzore mbetet ende nje sfidë në Europën Lindore dhe Juglindore. Krahas bashkëpunimit mes institucioneve qeveritare dhe agjencive të specializuara, ndihmë japin dhe organizatat joqeveritare.

Tedi Mana, nga Qendra e rehabilitimit të traumës dhe torturës

Tedi Mana, nga Qendra e rehabilitimit të traumës dhe torturës

Lufta kundër trafiqeve njerëzore mbetet një sfidë për vendet e Europës Lindore dhe Juglindore. Harta e vendeve që janë burim trafiqesh, apo ato që shërbejnë si territore tranziti ndryshon kohë pas kohe. Por raportet ndërkombëtare konfirmojnë se fenomeni është ende prezent dhe shqetësues. Krahas autoriteteve zyrtare dhe institucioneve të specializuara të vendeve të rajonit, në mbështetje janë dhe organizatat joqeveritare. Prej vitit 2005 vepron dhe rrjeti ARIADNE kundër trafikut të qënieve njerëzore në Europën Lindore dhe Juglindore.

OJQ-të ndihmojnë për një "Shqipëri pa trafik"

Partnerë të rrjetit në Shqipëri janë dy ojq të njohura, shoqata "Në dobi të gruas shqiptare" dhe Qëndra shqiptare për rehabilitimin e traumës dhe torturës. Të dyja organizatat janë përfshirë në një fushatë sensiblizuese me moton "Shqipëria pa trafik!".

Tedi Mana psikolog në Qëndrën e rehabilitimit të traumës dhe torturës, thotë se personat dhe grupet kriminale që merren me trafiqet e qënieve njerëzore përpiqen të organizohen dhe funksionojnë si subjekte multinacionale. Edhe reagimi ndaj tyre, parandalimi dhe goditja ndaj akteve të shkeljes së ligjit nga ato duhet të jetë pa kufij. Ndaj dhe rrjeti ARIADNE është një aksion multinacional, ku bëjnë pjesë ojq nga vende të ndryshme të Evropës Lindore dhe asaj Juglindore, thotë ai për DW.

" Objektivi kryesor i këtij rrjeti është lufta kundër trafikut të qënieve njerëzore duke zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë dhe të koordinuar mes vendeve të origjinës, tranzitit dhe destinacionit të viktimave të trafikuara. Me qëllimin e nxitjes së aksioneve të përbashkëta për të ofruar mbështetje ndaj viktimave dhe të parandalojë këtë fenomen. Vizioni ynë është që të arrijë një shoqëri të qëndrueshme demokratike, pa torturë, keqtrajtime dhe dhunim të të drejtave të njeriut. Duke garantuar respektimin e dinjitetit njerëzor dhe fuqizimin e burimeve njerëzore në të gjithë sferat e shoqërisë".

Aktivistët e rrjetit ARIADNE janë të bindur se torturat, mashtrimet dhe dhunimi i të drejtave të njeriut në përgjithësi, mbeten mjetet më të zakonshme që përdorin organizatat kriminale në aferat e trafikut dhe shfrytëzimin e afateve njerëzore për qëllime të majme fitimi.

Sevim Arbana nga shoqataNë dobi të gruas shqiptare

Sevim Arbana nga shoqata "Në dobi të gruas shqiptare"

Shkëmbim eksperiencash mes shoqatave të rajonit

Sevim Arbana, drejtuese e shoqatës "Në dobi të gruas shqiptare" tregon për DW se rrjeti i ojq-ve të rajonit funksionon në bazë të shkëmbimit të përvojave dhe eksperiencave.

"Është bashkërendimi dhe komplementimi i shërbimeve që ne ofrojmë në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore. Sidomos në parandalimin e tij, Sensibilizim të opinionit, lobim për përmirësimin e legjislacionit në këtë fushë. Për të ngritur ura reale të bashkëpunimit me institucionet shtetërore. Duke nisur psh., nga Moldavia a Bjellorusia që janë anëtare të këtij rrjeti dhe deri tek organizatat që janë në Janinë ne furnizojmë me informatat më të fundit".

Arbana veçon dhe aspektin e trajtimit dhe riintegrimit të viktimave të trafikut, sidomos fëmijët, vajzat dhe gratë. Kooperimi rajonal i vlen dhe përhapjes së praktikave më të mira nga njeri vend në tjetrin në menaxhimin e strehëzave dhe vendqëndrimeve. Këtu ne e shikojmë shumë njeri-tjetrin, thotë ajo. Ka specifika, por dhe ka mjaft elementë të përbashkët në funksionimin e qëndrave rehabilituese në secilin prej shteteve anëtare.

Interneti, një mjet i dobishëm kundër trafikut të njerëzve

Ne kemi aplikuar dhe risitë teknologjike të komunikimit me njeri - tjetrin në këtë program, thotë për DW, Sevim Arbana, nga shoqata "Në dobi të gruas shqiptare".

Tregti me gratë, një rome 17 vjeçare, viktimë e trafikut

Tregti me gratë, një rome 17 vjeçare, viktimë e trafikut

"Kemi një faqe në internet që është shumë e dobishme. Ajo synon që ti japë të gjithë aktorëve kryesore në punën tonë, psh., policisë, institcioneve shtetërore dhe atyre që ngrenë strategjitë, që të freskojnë të gjitha të dhënat në vendet përkatëse".

Rrjeti ARIADNE kundër trafikut të qënieve njerëzore në Europën Lindore dhe atë Juglindore është krijuar në shtator të vitit 2005 në Athinë. 18 organizatat joqeveritare që janë bashkuar janë nga Bosnja, Bullgaria, Shqipëria, Moldavia, Serbia, Rusia, Kosova, Turqia, Ukrahina, Mali i Zi etj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Cika -Kelmendi

  • Data 15.10.2009
  • Fjalët kyç Muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K2y5
  • Data 15.10.2009
  • Fjalët kyç Muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K2y5