1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bashkëpunim në fushën e avokatisë

Në Selanik të Greqisë u mbajt në fundjavë një konferencë treditore e Kolegjeve të Avokatëve me përfaqësues nga vende ballkanike, të Detit të Zi, Lindjes së Mesme, Evropa dhe Amerika. Në të u nënshkruan pesë deklarata.

Perëndesha romake e drejtësisë, Justitia

Perëndesha romake e drejtësisë, Justitia

Përfaqësues të kolegjeve të avokatëve të nivelit lokal dhe kombëtar të vendeve ballkanike, atyre të Detit të Zi dhe të Lindjes së Mesme por edhe të Federatës së Kolegjeve Evropiane të Avokatëve dhe Unionit Panamerikan të Avokatëve u mblodhën për tri ditë me radhë nga data 17 deri më 20 qershor në qytetin e Selanikut.

Rreth 2.5 milionë avokatë përfaqësoheshin në këtë konferencë, e para e llojit të vetë, e mbajtur me nismën e Kolegjet të Avokatëve të Selanikut dhe me të drejtë konsiderohet si konferencë interballkanike. Në themel të saj ishin problemet e drejtësisë nga këndvështrimi i avokatëve, pra i së drejtës së mbrojtjes dhe i rolit të kolegjeve të avokatëve si institucion,e por edhe avokatëve si mbrojtës profesionistë dhe misionarë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe funksionimit mormal të shtetit të së drejtës.

Arsyet e mbajtjes së një konference të tillë

“Janë pikërisht po ato arsye që diktojnë bashkëpunimin, paqen dhe vëllazërimin midis popujve të Ballkanit. Veçanërisht ne avokatët dhe komunitetet ligjore, falë peshës specifike që kemi në shoqëri marrim përsipër një barrë dhe përgjegjësi më të madhe në mënyrë që të zhvillojmë këto lidhje. Përpos kësaj ishin dhe problemet e përbashkëta që lidhen kryesisht me përpjekjen e pushtetit ekzekutiv në çdo vend për të reduktuar dhe revizionuar rolin e avokatëve dhe kolegjeve të avokatëve,” i thotë Deutsche Welles kryetari i Kolegjit të Avokatëve të Selanikut Manolis Llamxidhis.

Axhenda e “ngushtë” profesionale, përfshi edhe ndikimin që ushtron në jurisprudencën dhe legjislacionin kombëtar të çdo vendi “adoptimi” i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dominoi në konferencë dhe evitoi çdo pengesë dhe keqkuptim nga problemet pezull të rajonit të përfaqësuar. “Nuk injorojmë divergjencat shtetërore apo divergjencat e tjera, problemet ndërshtetërore, që mund të zgjidhen në nivel tjetër dhe me procedura të tjera. Përkundrazi jemi të përqendruar në mënyrë të qëndrueshme, mbi bazën e profesionit tonë si avokatë, si punëtorë të drejtësisë siç karakterizojmë vetveten, për të zgjidhur problemet në nivel profesional dhe institucional,” thotë Llamxidhis dhe e ilustron me faktin që në konferencë bashkëpunonin pa asnjë problem avokatët grekë dhe maqedonas apo qipriotë dhe turq.

Drejtësia nuk njeh kufi

“Drejtësia është një vlerë që i kalon caqet kohore dhe nuk njeh as caqe të tjera, pavarësisht se në çfarë gjuhe e artikulon ndokush, turqisht apo shqip, bullgarisht apo sërbisht,” shton ai. Në të njejtën frymë përgjigjet edhe kur pyetet nëse mospërfaqësimi i Kosovës në këtë konferencë fshihte ndonjë tendeciozitet. “Asnjë tendeciozitet. Ne ftojmë në bazë të listës së Kolegjëve Evropiane të Avokatëve, ku nuk ishte i regjistruar ndonjë kolegj nga Kosova”, siç ishte për shembull nga Mali i Zi, i cili ishte i pranishëm”.

Por aktualiteti me krizën gobale dhe sfidat e saj, papjekuria e demokracisë në vendet ballkanike, ato të Kaukazit apo të botës arabe nuk mund të mos impononin “axhendën e tyre”, që siç thotë Llamxidhis “hyri nga dera e pasme”. “Theksi u vu tek pavarësia e sistemit gjyqësor, por që lidhet dhe me sistemin e pavarësisë së avokatisë. Në kuptimin që organet ekzekutive nuk duhet të ndërhyjnë në pavarësinë e organizimit të sistemeve të avokatisë,” thotë Anastas Duro, anëtar i Dhomës Kombëtare të Kolegjit të Avokatëve.

Organet ekzekutive nuk duhet të ndërhyjnë

“Sigurisht me një arsenal më të pasur dhe me një bashkëpunim më të frytshëm për të ardhmen pasi në Selanik për këtë u hodhën piketat,” thotë nga ana e tij Fatmir Braka, kryetari i Kolegjit të Avokatëve të Tiranës, i cili me gjithë kritikat e dëgjuara në konferencë dhe për rolin “defiçitar” evropian përsosjen e misionit të avokatit e sheh pazgjidhshmërisht të lidhur me integrimin evropian të vendit të tij.

Mbrojtja e shtetit të së drejtës është guri i themelit në misionin e avokatit që kryetari i Kolegjit Panamerikan të Avokatëve dhe inspiruesi i Nismës për forcimin e shtetit të së drejtës Robert Grey, e shtroi me mënyrën e tij të njohur pasionante në konferencë. “Ne jemi lidër politikë, lidër socialë dhe njëkohësisht qytetarë të kryeqyteteve respektive... Të mbrojmë të drejtat e njeriut, të drejtat e individit, të drejtën e pronës. Mbrojtja e këtyre të drejtave është përgjegjësi profesionale e avokatit dhe drejtësisë,” thekson për DW Grey, i cili e cilëson “shumë të rëndësishme” konferencën e Selanikut me thekset që vuri në këtë çështje.

Fara e bashkëpunimit avokativ gjeti terren të begatë në Selanik, në vendlindjen Aristotelit, filozofit të lashtë grek që thoshte se pa drejtësi nuk mund të përparojë asnjë shoqëri. U aprovuan 5 deklarata të përbashkëta, që nga pavarësia dhe kushtet e punës së avokatit deri te zgjidhja e problemeve ndërshtetërore dhe krijimi i mirëqënies për qytetarët, që kolegjet do t'i paraqesin parlamenteve nëpër vendet e tyre. Veç kësaj konferenca do të institucionalizohet pasi siç thotë Llamxidhis “do të ketë të dytë, të tretë e kështu me radhë”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NzHy
  • Data 21.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NzHy