1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bashkëpunim me vendet evropiane në sistemin gjyqësor për çështjet penale

Legjislacioni i Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar transnacional është plotësuar së fundi me ligjin e bashkëpunmit gjyqësor ndërkombëtar për çështje penale. Ai është frut i bashkëpunimit të eksperteve.

Arben Braçe, ekspert në Ministrinë e Drejtësisë vlerëson harmonizimin e procedurave

Arben Braçe, ekspert në Ministrinë e Drejtësisë vlerëson harmonizimin e procedurave

Harmonizim i procedurave gjyqësore

Ky ligj do t'ua bëjë tepër të vështirë, në mos të pamundur, shtetasve shqiptarë dhe atyre të huaj që t'i shpëtojnë drejtësisë, kur kanë kryer një vepër penale. Për herë të parë ky ligj e shtrin bashkëpunimin ndërkombëtar në sistemin gjyqësor për çështjet penale. Ai harmonizon procedurat e Shqipërisë me ato të BE dhe vendeve te tjera në zbatimin në praktikë të Konventës së Këshillit të Europës për çështjet penale dhe të akteve të tjera ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë, prej më shumë se 10 vjetësh.

Arben Braçe, ekspert në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtor i Drejtorisë për Marrëveshjet dhe Juridiksionin Ndërkombëtar tregon për DW-në pse zbatimi i këtij ligji do ta bëjë më efikase se deri më tani luftën kundër rrjeteve të krimit të organizuar .

Angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, me nënshkrimin e akteve ndërkombëtare , kryesisht të Këshilllit të Europës ka ndodhur mjaft kohë më parë. Por ligji i tanishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor për çështje penale rrit efikasitetin dhe kontributin e palës shqiptare në bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar. Kjo duhet parë në kuadrin e angazhimeve ndërkombëtare që ka Shqipëria në procesin e integrimit në BE, në marrëveshjen e liberalizimin të vizave me BE dhe aftësimin e saj për të zbatuar akte ligjore sa më afër atyre të BE,” thotë ai.

Ajo që i bashkon sot të gjitha vendet në luftën e tyre kundër krimit të organizuar është domosdoshmëria jetike për të përballuar natyrën e tij transnacionale. Kohët kur krimi i organizuar ishte vetëm nacional i përkasin tanimë së shkuarës. Krahas natyrës transnacionale krimi i organizuar vë sot në shfrytëzim burime të mëdha financiare, që vijnë nga trafiqet ilegale si edhe dhe mjetet teknike me të përparura të elektronikës.

Njihen vendimet penale të gjykatave të huaja

Ligji i bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor për çështje penale vendos mbi baza ligjore kërkesat për ndihmë të ndërsjelltë juridike, shkëmbimin e informacionit, të të dhënave për çështje penale, njohjen nga Shqipëria të vendimeve penale të gjykatave të huaja për shtetasit shqiptarë, ekstradimin e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas. Ai parashikon transferimin në vendin e origjinës të personave të dënuar, përmes procedurave të harmonizuara mes palëve. Duke shpjeguar rezultatet e pritshme pozitive, që do të vijnë nga zbatimi i këtij ligji, eksperti Arben Braçe thotë:

“Në kushtet e globalizmit kemi të bëjmë me një krim transnacional sepse lëvizja e lirë e njerëzve sjell edhe rritjen e këtij lloji krimi. Krimi mund ta ketë fillesën në Shqipëri dhe mbarimin në një shtet tjetër, shumë më larg se Shqipëria duke kaluar dhe u organizuar në shumë shtete të tjera. Ligji synon rritjen e efikasitetit të instutucioneve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për goditjen e krimit. Ajo që do të sjellë ky ligj është më shumë siguri dhe paqe”.

Për ta realizuar këtë objektiv madhor, ligji ka ndryshuar në mënyrë thelbësore procedurat e zgjatura të deritanishme të ekstradimeve.

“ Synohet të rritet kapaciteti i shpejtësisë së procedurave për ekstradimin e shtetasve shqiptarë, që kanë kryer një vepër penale në Shqipëri dhe i janë shmangur drejtësisë shqiptare duke dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë. Veç konventës së ekstradimit ai sanksionon edhe shpalljen në kërkim të shtetasve shqiptarë që kanë kryer vepra penale jashtë Shqipërisë dhe janë në kërkim nga autoritetet e huaja,” thotë eksperti në Ministrinë e Drejtesisë, Arben Braçe.

Ligji për bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar për çështje penale është hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, të mbështetur nga ekspertë të Këshillit të Europës, të BE dhe Zyrës Qendrore të Interpolit.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 25.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KgNi
  • Data 25.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KgNi