1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bashkëpunim i ushtarëve gjermanë me ata amerikanë në Afganistan

Deri në 5000 ushtarë amerikanë do të përforcojnë kontigjentin e trupës mbrojtëse ndërkombëtare në veri të Afganistanit, e cila është nën komandën e një gjenerali gjerman. Ata do të sjellin edhe helikopterë.

Ushtarët gjermanë në Afganistan do të marrin përforcime amerikane

Ushtarët gjermanë në Afganistan do të marrin përforcime amerikane

Gjatë vizitës së tij të fundit në Veri të Afganistanit, ministri i Mbrojtjes zu Guttenberg bisedoi edhe me ushtarët amerikanë. Zu Guttenberg-u i falenderoi efektivat e helikopterëve amerikanë, që kishin transportuar dhe evakuuar në prag të Pashkëve ushtarët e rënë dhe ata të plagosur në Kunduz.

Pak pas kësaj amerikanët u angazhuan për transportimin e viktimave të luftimeve në Baghlan. Skuadrat e shpëtimit janë pjesë e rreth 5.000 ushtarëve amerikanë të ISAF-it, që do të dislokohen në Afganistanin e Veriut. Numri i tyre është thuajse aq i madh , sa edhe ai i ushtarëve gjermanë të ISAF-it.

Koloneli Michael Matz, deri tani komandant i trupës së ndërhyrjes së shpejtë në Afganistanin e Veriut e përshëndet këtë përforcim nga pala amerikane:

"Sepse aleatët tanë amerikane sjellin me vete aftësi, që nevojiten me urgjencë këtu në veri të vendit."

Brigada e 10-të alpine pritet të trajnojë në Kunduz shumë më tepër policë afganë nga ç'janë në gjendje EUPOL-i apo grupi i policëve gjermanë. Po ashtu amerikanët kanë një numër të madh helikopterësh, me të cilët mund të mbështesin shumë mirë shërbimin sanitar, si dhe shumë helikopterë luftarakë apo helikopterë transporti. Për krahasim, ushtria gjermane Bundeswehr ka aktualisht gjashtë helikopterë transporti kurse aerikanët do të vënë në dispozicion deri në 70 të tillë, madje edhe nga ata që janë në gjendje të fluturojnë natën. Kjo gjë do të bëjë të mundur që trupat e ISAF-it në veri të vendit të jenë në gjendje të lëvizin edhe më shpejt. Prej të gjitha këtyre përforcimeve do të përfitojnë si dy batalionet gjermane edhe një batalion skandinav, që merren me trajnimin e ushtrisë afgane.

Amerikanët dërgojnë ushtarë dhe helikopterë

Për të bërë të qartë pretendimin e saj për të qenë vendi drejtues i trupave të ISAF-it në veri në Afganistanit, qeveria gjermane do të dërgojë në verë si komandat rajonal një gjeneral me dy yje. Megjithatë ushtarët gjermanë kanë dyshime, nëse ushtarët amerikanë do t'i nënshtrohen komandës gjermane. Ushtarët gjermanë mendojnë se amerikanët "do t'u përvishen" rebelëve me më shumë intensitet se gjermanët. Eshtë një sekret i hapur se në këtë rajon ka kohë që veprojnë trupa speciale amerikane, që asgjesojnë komandatët e rebelëve apo ata që ndërtojnë bomba.

Po amerikanët po angazhohen më me forcë edhe në sektorin civil. USAID do të vërë vitin e ardhshëm 4 miliardë dollarë për rindërtimin në Afganistan, dhe një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume pritet të shkojë në veri. Kurse Ministria gjermane e Ndihmës për Zhvillimin e shtoi me mundim kontributin e saj me 230 millonë euro.

Dhe ndërsa zyra e përfaqësimit të Ministrisë së Jashtme gjermane gjendet në kampin fushor në hyrje të Mazar-e-Sharif, SHBA janë duke ndërtuar një konsullatë në mes të këtij qyteti, më të rëndësishmit në Afganistanin e Veriut.

Autor:Sabine Matthay/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 26.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N6He
  • Data 26.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N6He