1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bashkëpunim i frytshëm shqiptaro-gjerman në fushën e sigurisë

Gjermania mbetet partneri kryesor i Shqipërisë në mbështetjen për luftën kundër krimit të organizuar dhe akteve terroriste. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani thekson fushat e bashkëpunimit me palën gjermane.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Asistenca gjermane ndaj Shqipërisë në këto vite ka qenë e drejtëpërdrejtë ose e inkuadruar brenda të misionit policor të BE-së, Pameca, mision që për disa vite me rradhë e kanë drejtuar ekspertë nga Gjermania. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani thotë për DW-në se bashkëpunimi shqiptaro gjerman ka dhënë frute edhe në operacionet e përbashkëta në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.

Nga 30 operacione që policia shqiptare ka zhvilluar me policitë partnere në vende të tjera, gjatë vitit të kaluar, një pjesë e tyre u koordinuan me njësitë e antidrogës gjermane. Trafikimi i mjeteve motorike, kryesisht makina të vjedhura që janë me burim nga Gjermania është një tjetër objektiv në akordin mes autoriteve policore të të dy vendeve, sipas Nishanit. “Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që me palën gjermane të finalizojmë çdo lloj marrëveshje dhe memorandum bashkëpunimi që ndihmon në luftën kundër krimit. Në mënyrë që të gjitha ata qytetarë shqiptarë që mund të kryejnë veprime të kundraligjshme ose vepra kriminale në Gjermani e tentojnë që të fshihen në Shqipëri do të jenë padyshim pjesë e përballjes me sistemin e drejtësisë."

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani

Specializime të trupave policore në Gjermani

Gjermania jo vetëm ka qenë dhe është një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë thekson ministri Nishani. Ai vlerëson mjaft kontributin e saj në rritjen e nivelit profesional, në asistencën teknike dhe financiare që i ka ofruar policisë shqiptare dhe fokusuar në njësi e departamente të rëndësishme të policisë së shtetit. Ministri Bujar Nishani përmend asistencën për trupat speciale elitare të policisë që përballen në vijën e parë të luftës kundër krimit dhe veprave terroriste. “Efektiva të trupave speciale kanë qenë për kualifikime në Gjermani, sikundër dhe instruktorë dhe ekspertë gjermanë kanë zhvilluar programe kualifikimi në Shqipëri. Pajisje logjistike dhe luftarake që përdoren në operacionet e këtyre trupave janë dhuruar nga autoritetet gjermane”.

Abuzimet me lirinë e vizave në kuota normale

Prej më shumë se një viti qytetarët shqiptarë janë duke lëvizur pa viza në zonën Schengen të BE-së. Në përgjithësi ky proces sipas autoriteteve shqiptare është duke ecur normalisht dhe rastet e abuzimit për të bërë kërkesa të pabazuara për azil në këto vende është në kuota minimale. Lëvizja pa viza dhe mirëmenaxhimi i kufijve ka ulur ndjeshëm dhe rastet e trafiqeve të qenieve njerëzore, nga territori shqiptar për në atë të vendeve të BE-së. Sipas Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani deri më tani në bazë të evidencave nuk ka patur asnjë shqetësim të ngritur nga autoritetet gjermane për lëvizjen e shtetasve shqiptarë pa viza.

Nishani është i vetëdijshëm për sensibilitetin që ka kjo çështje për Komisionin Europian. Prandaj jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta, thotë ai. “Nëse qeveria dhe autoritetet gjemane ofruan në mënyrë shumë bujare këtë mundësi për qytetarët shqiptarë, nga ana tjetër gjithë përgjegjësia është tashmë e vetë qytetarëve shqiptarë dhe autoriteteve për të respektuar kriteret e lëvizjes së lirë. Duke ditur se në një periudhë të caktuar, kryesisht në muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit të kaluar patëm disa probleme me Belgjikën dhe Suedinë, atëherë kemi ngritur një task force mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme dhe përmes ambasadës sonë në Berlin mbajmë kontakte me autoritetet përkatëse në Gjermani, që nga ana e tyre na kanë përcjellë shifra që nuk përbëjnë shqetësim deri më tani.”

Bashkëpunim kundër krimit dhe drogës

Bashkëpunim kundër mafias dhe krimit të organizuar. Në pamje shihet shkatërrimi i bimëve cannabis

Marrëveshja për shkëmbimin e informacionit

Për cilindo qytetar shqiptar që tejkalon afatet e qëndrimit ose abuzon duke bërë kërkesa të pabazuara për azil në territorin gjerman, policia e shtetit në Tiranë ka bërë të qartë se do të kërkohet kthimi, riatdhesimi i menjëhershëm i tyre në Shqipëri dhe gjithçka që lidhet me kostot e udhëtimit në rrugë tokësore ose me linjat ajrore do të përballohet nga pala shqiptare. “Kthimi do të bëhet në siguri të plotë dhe duke garantuar të drejtat e qytetarëve, me asistencë sociale deri sa ata të mbërrijnë të sigurtë pranë familjeve të tyre në Shqipëri”, thotë për DW ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

Ekspertë nga Ministria e Brendshme në Tiranë dhe homologët e tyre në Gjermani janë duke finalizuar një marrëveshje të re bashkëpunimi, e cila pritet që në javët në vijim të nënshkruhet në Berlin. Marrëveshja në thelb ka angazhimin dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar dhe në shkëmbimin e informacionit të ndërsjellë për parandalimin dhe goditjen e individëve ose grupeve kriminale që operojnë në territoret e dy vendeve.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi