1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Bashkëjetesa Ndërfetare - Rreze e zbehtë drite"

Në mars të këtij viti një ngjarje tragjike në Tuluzë shokoi Francën kur një person qëlloi për vdekje katër vetë para një shkolle hebreje. Lëvizja "Për Bashkëjetesën Ndërfetare" synon nxitjen e dialogut mes komuniteteve.

default

Organisata "Coexister"

Tre fëmijë hebrenj dhe një mësues mbetën të vrarë gjatë sulmit (22.03.2012) në Tuluzë. Tre ushtarë nga Afrika e Veriut dhe një me origjinë nga Karaibet gjithashtu ishin qëlluar nga vrasësi Mohammad Merah një javë më parë. Vrasjet bashkuan komunitetet hebreje dhe muslimane në brengën dhe dënimin e tyre ndaj këtyre sulmeve. Për Samuel Grzybowski, themeluesin e lëvizjes franceze të "Bashkëjetesës Ndërfetare", bashkimi i dy feve ishte një rreze drite e zbehtë e krijuar nga tragjedia. “Në ngjarjet e marsit pamë një unitet të theksuar mes komuniteteve hebreje dhe muslimane. Ata thanë se askush nuk do të ushtronte dhunë ndaj fesë së tyre nëse do të qëndronin të bashkuar. Që të dy bashkë e bënë këtë deklaratë, dhe ai ishte një moment historik”, thotë Grzybowski.

Samueli ishte vetëm 16 vjeç dhe së bashku me disa prej miqve të tij themeluan lëvizjen e bashkëjetesës ndërfetare që bashkoi muslimanët francezë, hebrenjtë dhe të krishterët. Ishte viti 2009 dhe lajmi për konfliktin në Gaza rriti tensionet mes këtyre komuniteteve në Evropë.

Tur në Paris për dialog ndërfetar

Samueli tregon se një nga qëllimet e bashkëjetesës ishte që t'i siguronte të rinjtë francezë të mos e kthenin luftën në një konflikt fetar. "Ne u thamë që mos ta konsideronin atë si konflikt fetar, por politik. Dhe ky konflikt nuk ishte francez, as mes hebrenjve dhe muslimanëve. Ishte një luftë mes Izraelit dhe Palestinës," thotë Grzybowski, i cili së bashku me stafin e vullnetarëve hartojnë planet e aktiviteteve në zyrën e bashkëjetesës.

Një nga aktivitetet e organizuara nga Samueli është një tur në Paris, që kalon në një zonë hebreje. Lagjjja e hebrenjve në Paris është në zemër të një prej pjesëve më moderne të qytetit, rruga është e populluar me të rinj e të moshuar, turistë dhe banorë të zonës. „Ata kanë pasur një akt terrorist në këtë rrugë, prandaj në këtë vend duhet hapur një dialog ndërfetar“, thekson Grzybowski. Në Pletzl, në sheshin hebre, një stemë e thjeshtë ka mbetur në një mur. Tridhjetë vite më parë, ai ishte objektivi i një sulmi terrorist. Gjashtë vetë mbetën të vrarë dhe 22 u plagosën.

Ka qenë energjia dhe dëshira e Samuelit për t'i ndryshuar gjërat mes të rinjve në Francë. Ideja e një adoleshenti u kthye në një lëvizje kombëtare, dhe është një ide, për të cilën Samueli shpreson që të kalojë jo vetëm linjën fetare, por ndonjë ditë të kalojë edhe kufinjtë.