1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bashkë me Kroacinë në BE vijnë edhe fushat e minuara

Kur Kroacia të bëhet më 1 korrik anëtare e BE-së, së bashku me vendin në BE do të futen edhe disa fusha të minuara. Bëhet fjalë për 680 kilometra katrorë, të mbetura të minuara nga lufta e viteve 90-të.

default

680 kilometra katrorë kanë mbetur të minuara nga lufta e viteve 90-të

"Ne lejohemi të punojmë vetëm pesë orë në ditë", shpjegojnë Stjepan Tadić dhe Tomislav Ledić, "dhe ne punojmë gjithnjë jashtë. Ne lëvizim përgjatë linjave të mëparshme të frontit". Këta dy kroatë janë piroteknikë dhe punojnë për firma private që janë specializuar për largimin e minave në Kroaci. "Ne ndodhemi gjithnjë në lëvizje, nga një vend në tjetrin, kjo është e bukura e punës sonë," thonë ata. "Por sa herë kthehemi në shtëpi mendojmë se mund të jetë edhe hera e fundit. Puna jonë nuk lejon gabime."

Një punonjës që merret me largimin e minave në Kroaci merr 800 deri 900 euro në muaj, kjo shumë është më e lartë se mesatarja e vendit. "Secili duhet ta vlerësojë vetë, nëse është bërë për këtë punë", thotë Ledić. Sipas vlerësimeve, që prej përfundimit të luftës në Kroaci, në vitin 1995, rreth 60 punonjës që merren me largimin e minave kanë humbur jetën dhe më shumë se 200 janë lënduar, pjesërisht edhe rëndë. Pjesa më e madhe e punonjësve që merren me largimin e minave janë veteranë të luftës, të cilët mund të dilnin si të tillë në pension. "Por ne e bëjmë me dëshirë këtë punë, ne jemi krenarë për të", thekson Tomislav Ledić.

Minenräumung in Kroatien

Stjepan Tadic dhe Tomislav Ledic

Vendi dhe minat

Sipas të dhënave zyrtare edhe kaq vite pas luftës, në Kroaci ekzistojnë 12 deri 21 fusha të minuara. Gjatë katër viteve të luftës, nga 1991 deri në 1995 në të gjithë vendin u vendosën rreth 90 mijë mina, pjesa më e madhe në mënyrë arbitrare, pa kurrfarë plani. Në një vend, ku shumë njerëz jetojnë prej bujqësisë dhe ku turizmi është një sektor i rëndësishëm ekonomie, minat përbëjnë pengesë të madhe për zhvillimin e mëtejshëm të rreth 100 qytezave dhe komunave. 15 vitet e fundit më shumë se 500 vetë kanë humbur jetën nga minat në Kroaci.

Megjithëse vendi bën përpjekje të mëdha për ta hequr këtë ngarkesë. "Direkt pas luftës 2500 kilometra katrorë në Kroaci ishin kontaminuar me mina. Që në atë kohë janë dhënë 500 milionë euro për pastrimin e fushave nga minat", thotë Dijana Pleština, drejtoreshë e zyrës shtetërore për heqjen e minave. Sot, ndodhen vetëm 680 kilometra katrorë të minuara, por "pastrimi" i tyre do kushtonte edhe një herë kaq shumë. Pjesa më e madhe e parave vijnë nga buxheti i vendit, "për këtë janë marrë kredi të favorshme nga Banka Botërore". Edhe shumë ndërmarrje shtetërore financojnë programe të vetat, dhe kohët e fundit para janë duke u dhënë edhe nga fondet e BE-së, në të cilën Kroacia do të bëhet anëtare më 1 korrik.

Minenräumarbeiten in Kroatien ARCHIVBILD

Në Kroaci ekzistojnë 12 deri 21 fusha të minuara

Çmime dumping për heqjen e minave

Në Kroaci sot ka 36 firma, që merren me heqjen e minave, shumica e tyre janë të vogla. Firma më e madhe është ajo shtetërore "Mungos" – ku punojnë 80 vetë. Megjithëse puna e tyre është e rrezikshme për jetën, ata nuk fitojnë shumë, për një metër katror vend të pastruar nga minat ata marrin 0,5 deri 1,2 euro. Aktualisht sundon konkurenca dhe çmimet dumbing janë mjet për të zënë vend në treg. "Unë kam kërkuar para vitesh vendosjen e çmimeve minimale", thotë Dijana Pleština. Por kjo nuk ka ndodhur dhe tregu i lirë vendos për çmimin.

Ata që vuajnë prej kësaj janë kryesisht punonjësit e çmontimit të minave. Ata nuk e dinë a do të kenë sa duhet punë muajin tjetër, nganjëherë nuk marrin rrogë me muaj të tërë.

Kjo mungesë sigurie dëmton edhe punën, thotë Ledić – shpesh mendojmë a ka familja para për të jetuar. Sipas ligjit kroat punonjësit e heqjes së minave janë dhjetë vjet përgjegjës për terrenin që kanë pastruar.

Minenräumung in Kroatien

Dijana Plestina

Nga pikëpamja juridike është rregulluar edhe statusi i punonjësve. Nëse lëndohet gjatë punës, ai merr të drejtat e një veterani lufte, duke përfshirë pensionin e invaliditetit. Nëse humbet jetën, familja e tij merr të drejtat si në rastin e ushtarëve të vrarë.

Por ata nuk mendojnë kurrë për këto gjëra, me frikë puna nuk mund të bëhet si duhet. Ata mendojnë më shumë për të ardhmen, ditën kur Kroacia të mos ketë më mina. Sipas planeve në vitin 2019, do jenë hequr të gjitha minat në Kroaci.