1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Basha: mesazh i përkrahjes totale nga Berlini për dekriminalizimin e politikës

Hetimi i "aferës Doshi" nuk mund të jetë objektiv, përballë presionit qeveritar. Kryetari i PD, Lulzim Basha tha në Berlin se ka besim se institucionet ndërkombëtare do të japin ndihmë për hetimin e plotë të akuzave.

Basha kerkon mbeshtetjen gjermane

DW: Zoti Basha, cili ishte qëllimi i kësaj vizite të përfaqësuesve të opozitës së Shqipërisë, në këtë kohë në Gjermani?

Basha: Vizita ishte parashikuar prej disa muajsh në kuadrin e kontakteve me institucionet gjermane, me partinë tonë simotër, kristjandemokratët e Angela Merkelit, por edhe më partitë e tjera të koalicionit qeveritar, siç është partia socialdemokrate dhe ka një qëllim dyplanësh: së pari, për të informuar mbi situatën në Shqipëri nga pikëpamja e opozitës; për t'i informuar mbi sfidat para të cilave gjendet Shqipëria dhe mënyrat se si ne, si opozitë përpiqemi të çojmë përpara integrimin evropian të vendit; por edhe për të hedhur urat e bashkëpunimit dypalësh me Partinë Demokratike dhe në veçanti në hartimin e programit të Partisë Demokratike, të platformës së re të Partisë Demokratike dhe të ekipit të Partisë Demokratike.

DW: Spektri i partnerëve gjermanë që takuat ishte shumë i gjerë: nga politika, tek ekonomia gjermane, por kontaktuat edhe "Reporterët pa kufij". Ishte një takim prezantues i juaji apo kishit një mesazh specifik për t'ua përcjellë kaq shumë biseduesve?

Basha: Agjenda e këtij takimi është mbizotëruar nga ngjarjet aktuale në Shqipëri. Në këtë kuadër mikpritësit kanë bërë të mundur takime me drejtues të lartë të ekzekutivit, me zotin Altmeier, me zotin Heusgen, që janë stafi i ngushtë i kancelares Merkel, me deputetët e Bundestagut dhe me institucione të tjera këtu në Berlin, për të diskutuar pikërisht shqetësimet që ne kemi ngritur si opozitë, në veçanti përsa i përket shqetësimit tonë për situatën e krimit në vend, penetrimit të krimit në nivelet e larta vendimmarrëse të politikës, procesin e dekriminalizimit, në të cilin jemi angazhuar dhe për të cilën kemi edhe një marrëveshje kuadër, të firmosur me ndihmën e një personaliteti gjerman, siç është eurodeputeti Fleckenstein; për hapat që ne propozojmë për ta shpëtuar vendin nga ky kancer, që kërcënon demokracinë dhe aspiratat evropiane të të gjithë shqiptarëve, që është penetrimi i krimit në nivelet më të larta të vendimmarrjes, si sfida më e madhe që Shqipëria duhet të zgjidhë para se të ecë përpara me reformat e tjera që do të bëjnë të mundur integrimin evropian të vendit: siç janë reforma në drejtësi, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit e krimit në tërësi, respektimi i të drejtave të njeriut - pesë prioritetet kryesore të Shqipërisë në rrafshin e integrimit evropian të vendit.

Në këto takime, vend ka zënë shqetësimi i madh për skandalin e dy javëve më parë, ku një nga deputetët më të njohur të shumicës ka akuzuar kryetarin e Kuvendit se ka porositur dhe ka parapaguar vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit. Kjo ka sjellë në vëmendjen e publikut më fort se kurrë problemin e krimit të ngritur në sistem. Unë kam insistuar, edhe këtu në Berlin, se opozita e sheh një hetim të besueshëm, objektiv dhe të gjithanshëm si rrugën e vetme për të trajtuar këtë problem që ka pllakosur demokracinë shqiptare, më të rëndin në 25 vite. Dhe se për këtë arsye duhet bërë gjithçka që hetimi të jetë i papenguar, i plotë, i gjithanshëm, i besueshëm. Parakusht për këtë është dorëheqja e Ilir Metës si kryetar i Kuvendit. Ky hetim nuk mund të jetë as i besueshëm, as objektiv, për sa kohë që ndeshet në presionin e bllokut qeveritar dhe bllokut legjislativ; për sa kohë që i akuzuari kryesor në këtë aferë është numri dy i shtetit.

Njëkohësisht kam kërkuar mbështetje europiane për këtë hetim të rëndësishëm, në mënyrë që Prokuroria shqiptare dhe organet shqiptare të ligjzbatimit të ndiejnë, jo vetëm mbështetjen morale, po po qe e nevojshme edhe asistencën teknike për ta çuar deri në fund këtë hetim, me rëndësi të madhe për transparancën dhe për të vendosur një precedent pozitiv në një proces shumë më të gjerë që është procesi i dekriminalizimit të politikës shqiptare.

DW: Morët premtim konkret për mbështetje ndërkombëtare në procesin e hetimeve?

Basha: Ka një mirëkuptim këtu në Berlin, sikundër edhe në Strasburg, ku ndodhesha para një jave, nesër (19.03.2015) do të udhëtoj për në Bruksel për domosdoshmërinë që hetimi të jetë objektiv, i plotë dhe i besueshëm. Dhe pjesë e këtij mirëkuptimi është edhe nevoja për të mbështetur edhe nga ana morale, por edhe nga ana e asistencës organet e drejtësisë, Prokurorinë në veçanti. Në rastin Doshi akuzat janë nga më të rëndat të bëra ndonjëherë. Dhe asgjë nuk do ta dëmtonte më shumë perspektivën evropiane të Shqipërisë, se sa një përpjekje për ta mbyllur këtë hetim shpejt e shpejt dhe për ta çuar në hullinë e paracaktuar nga krerët e shumicës. Ndaj unë jam plot besim se thirrja jonë është gjykuar një thirrje e arsyeshme dhe shpresoj se në bashkëpunim edhe me institucionet e vendit, komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti institucionet evropiane do të dinë të japin ndihmën dhe inkurajimin e tyre për një hetim të plotë të akuzës më të rëndë që është bërë në këto 25 vite.

Parlamenti në Shqipëri

Parlamenti në Shqipëri

DW: Në takimin me bashkëpunëtorët e kancelares Merkel, ku u përqendruat kryesisht?

Basha: Edhe zoti Altmeier, edhe zoti Heusgen janë shumë të informuar për gjendjen në Shqipëri. Unë ndava me ta shqetësimin e thellë për gjendjen në vend, në veçanti pas "aferës Doshi", pas akuzave të bëra kundër numrit dy të shtetit, por po kështu për kontekstin e këtyre akuzave: është konteksti i depërtimit të krimit në nivelet më të larta të administratës dhe në Parlamentin Shqiptar; shpreha vullnetin e plotë që në kuadër të marrëveshjes së dekriminalizimit, nënshkruar midis partive shqiptare në 24 dhjetor, të punojmë së bashku.

Në këtë kuadër informova edhe për platformën e PD për të ngritur Komisionin e Integritetit brenda PD, i cili do të vlerësojë të gjitha figurat që garojnë në emër të PD dhe nën siglën tonë, për ta bërë të pamundur që persona me kredenciale të dyshimta, akoma më keq persona të lidhur me krimin, të mund të garojnë nën siglën tonë. Kjo do të jetë e pamundur duke nisur që nga zgjedhjet e ardhshme dhe besoj se me këtë ne vendosim një standard të ri dhe të shumëpritur për popullin shqiptar.

DW: PD ka deklaruar se do të vijojë protestat në rrugë deri në dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Dhe faktikisht keni deklaruar se do të bojkotoni komisionet parlamentare. Çfarë ju bën të besoni që strategjia e tanishme e protestës së opozitës do të ketë rezultat, aq më tepër kur edhe partnerët gjermanë janë të rezervuar për ndjekjen e rrugëve jashtë Parlamentit, siç u shpreh edhe zoti Krichbaum?

Basha: Ne jemi për funksionimin e kuadrit të plotë institucional dhe të shtetit ligjor. Ne jemi në Parlament dhe do të vazhdojmë të jemi në Parlament. Ajo që s'mund të pranojmë është një Parlament jo funksional, që mbetet i tillë për sa kohë kryesohet nga një person nën akuzë se ka porositur dhe parapaguar vrasjen e dy deputetëve, akuzë që vjen nga radhët e maxhorancës, nga miqtë më të ngushtë të krerëve të kësaj maxhorance.

Po kështu kemi dyshimet tona se shteti ligjor në Shqipëri - i cili ka bërë hapa të mëdhenj përpara këto 20 vite, por ka sfida të mëdha për të përmbushur- është në gjendje të hetojë ashtu siç duhet, ashtu siç pritet, ashtu siç e përcakton ligji. Përballë ka një përpjekje tash gjashtëmujore, por që vazhdon, për të fshehur të vërtetën, për të trysnuar hetimet dhe për të trysnuar prokurorinë, përpjekje që vjen nga i akuzuari kryesor në këtë aferë, Ilir Meta, por edhe nga zoti Rama dhe nga ministri Tahiri.

Ndaj parakusht për hetimet objektive dhe të drejta është dorëheqja e Ilir Metës, parakusht është që zoti Rama të ndalë presionin, të ndalë përpjekjet për të paracaktuar përfundimin e hetimeve, për t'i çuar hetimet në hullinë ku dëshirojnë krerët e shumicës. Hetimet nuk mund të jenë as të shpejta dhe as të mbyllen me konkluzionet që kërkon zoti Meta dhe zoti Rama. Personat e përfshirë nuk janë aktorë, por janë një përzierje deputetësh shumë afër krerëve të shumicës dhe kriminelësh të njohur, të skeduar nga policia e shtetit. Ndaj asgjë nuk mund të pranohet nga PD dhe as nga qytetarë shqiptarë që shkon në drejtim të mbulimit me një çarçaf të një të vërtete të shëmtuar.

Ne mbështesim fuqimisht shtetin ligjor, mbështetim përpjekjet e Prokurorisë. Ndërkohë jemi në Parlament, jemi në komisionet parlamentare, dhe do të vazhdojmë të jemi në to. Po asgjë nuk na pengon që në këtë kauzë të madhe përbashkuese për shqiptarët, të jemi bashkë me qytetarët shqiptarë edhe në sheshet e protestave, të cilat në kushtet e mosfunksionimit të parlamentit, të braktisjes së shqiptarëve nga qeveria janë institucioni suprem i përfaqësimit të popullit.

DW: Nga bisedat në Berlin, cili është mesazhi më i rëndësishëm që merrni me vete në Shqipëri?

Basha: Është padyshim mesazhi inkurajues i përkrahjes totale për Partinë Demokratike, për opozitën shqiptare në këtë luftë të drejtë, të vështirë po të domosdoshme për dekriminalizimin e politikës; është mesazhi i inkurajimit dhe i përkrahjes në rrugën e reformimit të PD si një parti popullore, demokratike, qytetare, e cila synon që qytetarin ta vendosë në qendër të vendimmarrjes dhe jo ta braktisë dhe të kujtohet për të njëherë në katër vjet, vetëm kur shkohet për të marë votën; është mesazhi i mbështetjes për mua si kryetar i opozitës dhe për bashkëpunëtorët e mi për ofertën e re, që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e integrimit evropian, duke përqafuar normat dhe standardet. Dhe përmes realizimit të normave dhe standardeve të bëjë të mundur anëtarësimin e saj të plotë në BE, si mision hyjnor i PD.