1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bartolomeu I për vizitë në Gjermani

Vizita dhjetëditore e kreut të nderit të Ortodoksisë Botërore, Patriarkut Bartolome I i Konstandinopojës në Gjermani zyrtarisht është vizitë priftërore. Por dimensionin e saj politik nuk mund të mos e vësh re.

Gjashtë qytete gjermane në dhjetë ditë, takime të shumta me përfaqësuesit më të lartë ortodoksë, katolikë dhe evangjelistë të kishës, biseda me përfaqësuesit kryesorë të shtetit, fjalime para një publiku të veçantë, nderime publike. Për mungesë vëmendjeje gjatë vizitës së tij nga 10.-19. maj, kreu i Ortodoksisë Botërore nuk mund të qahet.

Në fakt, Bartolomeu I donte ta kryente që vitin e kaluar vizitën e tij të dytë në Gjermani, sepse atëherë metropolia greke-ortodokse në Republikën Federale mbushte 50 vjet nga themelimi. Atëherë vizitën e shtynë për shkak të agjendës së ngarkuar të takimeve. Në metropoli bëjnë pjesë 500 mijë të krishterë grekë-ortodoksë, të cilët, sipas të dhënave të tyre kanë më shumë se 70 kisha dhe mbi 150 vende të shërbesave fetare në Gjermani.

Veçanërisht kontributin e tyre për integrimin e të ashtuquajturve punëtorëve mysafirë "Gastarbeiter", siç quheshin atëherë, njohësit e quajnë sot histori suksesi. Merita e metropolisë greke-ortodokse: ajo u ofroi migrantëve një atdhe të njohur të besimit në botën e huaj.

Mbështetës i reformave

Patriarku Bartolome I, prej vitit 1991 në krye të Ortodoksisë botërore, konsiderohet si përfaqësues i orientuar te reformat, i kishës së tij. Vetëm pak javë më parë ai arriti të bindë krerët e njëmbëdhjetë kishave nacionale ortodokse për t'u mbledhur në vitin 2016 në një konsil panortodoks - i pari që prej ndarjes së kishës në vitin 1054. Në të do të forcohet uniteti i ortodoksisë, do të zhvillohen konsultime dhe do të përcaktohet kursi i ardhshëm i saj.

Në Bonn Bartholomeu do të zhvillojë bisedime edhe me Konferencën e Ipeshkvë romakë-katolikë. Kryetari i saj, Reinhard Marx do ta presë atë edhe dy herë të tjera, në funksionin e tij si ipeshkv i Mynihut dhe i Freisingut në kryeqytetin e Bavarisë. Fakulteti katolik-teologjik i qytetit, ku Bartolomeu ka kryer dikur studime, do t'i japë atij titullit e doktorit të nderit. Këtu ndoshta pasqyrohet edhe vlerësimi katolik për sinjalet ikumenike të Patriarkut. Së bashku me Papën Benedikt XVI, pas dekadave të heshtjes, Bartolomeu I nisi bisedat e afrimit dhe bashkimit të të dy kishave.

Patriarku Bartolome dhe Papa Francesk - afrim mes kishave

Patriarku Bartolome dhe Papa Francesk - afrim mes kishave

Veç kësaj, në mars 2013, Patriarku ishte kreu i parë i Kishës Ortodokse që prej ndarjes së kishës 959 vjet më parë, i cili mori pjesë në ceremoninë e marrjes së postit të një kreu të kishës romake.

Jo më të parëndësishme do të jenë takimet me përfaqësuesit evangjelistë. Patriarku do të takohet me drejtues të kishave të landeve dhe me Nikolaus Schneider, kryetarin e radhës së Kishës Evangjelike.

Biseda politike të nivelit të lartë

Që kreu i ortodoksisë botërore do të takohet në biseda të veçanta me Presidentin e Bundestagut, me Presidentin e Gjermanisë dhe me Kancelaren, ky është një nder që u bëhet pak mysafirëve të lartë shtetërorë. Tema për bisedime ka shumë: dëbimi i të krishterëve nga Lindja e Afërt dhe Afrika e Veriut, situata e të krishterëve në luftën civile siriane dhe atyre në arrati, konflikti midis ukrainasve dhe rusëve, ku ortodoksët luftojnë kundër ortodoksëve. Si pati shkruar Patriarku para pak kohësh në mesazhin e tij për Pashkët "Trompetave të vdekjes dhe të errësirës u bien me çmenduri këto kohë."