1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Barroso: Serbia duhet të gjejë zgjidhje pragmatike për Kosovën

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, qëndroi para vizitës me bashkëpuntorë të tij në Kosovë, edhe në Beograd ku u takua me autoritetet më të larta serbe.

Boris Tadiq dhe Jose Manuel Barroso

Boris Tadiq dhe Jose Manuel Barroso, 2008

"Beogradi dhe Serbia janë në rrugë të mirë drejt integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian, por kanë mbetur edhe disa detyra shumë të rëndësishme që duhet bërë", deklaroi presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, pas takimeve me autoritetet e Serbisë. Ndër detyrat më të rëndësishme, sipas tij, janë bashkëpunimi me tribunalin e Hagës dhe zgjidhja e problemeve në Kosovë.

"Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht kusht për negociata me BE-në, por duhet gjetur zgjidhje praktike edhe për këtë çështje", theksoi Barroso pas takimit me presidentin e Serbisë Boris Tadiq. Presidenti i Komisionit Evropian theksoi se bashkëpunimin rajonal është një prej kushteve më të rëndësishme për anëtarësim në BE. Në këtë kontekst, edhe çështja e Kosovës do të jetë një nga kushtet që Serbia duhet të plotësojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Duhet të gjejnë rrugë pragmatike për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me Serbinë, Kosovën, rajonin dhe të gjithë ne, tha Barroso i cili shpreson se dialogu Prishtinë - Beograd do të sjellë edhe zgjidhjen e disa çështjeve praktike.

Boris Tadiq dhe Jose Manuel Barroso, 2008

Boris Tadiq dhe Jose Manuel Barroso

Ndërsa presidenti i Serbisë Boris Tadiq, theksoi vendosmërinë e Beogradit për të kryer reformat, për të përfunduar bashkëpunimin me tribunalin e Hagës dhe për pjesëmarrje të sinqertë, siç u shpreh, në dialogun me Prishtinën. Serbia nuk është e interesuar që të ketë një konflikt të ngrirë në Kosovë, ndërsa qëllimi i saj është që deri në fund të vitit të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, tha Tadiq duke shtuar se konflikti në Kosovë nuk është në interesin e askujt. Tadiq theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të jetë kusht për integrim në BE.

Barroso theksoi se "koha po kalon, prandaj Serbia duhet që të zgjidhë sa më parë çështjet më të rëndësishme, në mënyrë që Komisioni të shprehë mendimin e vet në tetor të këtij viti, për fillimin apo jo të negociatave për anëtarësim në BE". Përveç bashkëpunimit me tribunalin e Hagës dhe zgjidhjes së problemeve me Kosovën, Beogradi duhet të intensifikojë edhe përpjekjet për sundimin e plotë të ligjit, luftimin e korrupsionit si dhe kriminalitetit të organizuar.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama