1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Barrë për presidenten e radhës

Kryeministri hungarez Viktor Orban prezantoi përpara Parlamentit Evropian në Strasburg programin e presidences hungareze dhe mbrojti ligjin e diksutueshëm hungarez për mediet.

Protestë e eurodeputetit francez Jean-Paul Besset gjatë fjalës së Orban

Protestë e eurodeputetit francez Jean-Paul Besset gjatë fjalës së Orban

Të gjithë e kritikojnë ligjin hungarez për mediet, OSBE-ja, KiE dhe madje edhe kryeministra konservatorë, pra kolegë të Viktor Orbanit. Duket ashiqare që me këtë ligj kryeministri hungarez i ka kaluar kufijtë.

Debati në Parlamentin Evropian u rrotulla vetëm rreth këtij ligji, dhe synimet ndoshta të mira të Hungarisë për gjashtë muajt si presidente e radhës e BE-së kaluan tërësisht në sfond. Orbani, të cilin pjesërisht e kritikuan ashpër, duhet ta kishte shfrytëzuar shansin dhe të kishte deklaruar se do ta ndryshonte atë ligj. Në këtë mënyrë ai do t'u priste vrullin kritikuesve të tij dhe do të ishte treguar si evropian që reflekton.

Në vend të kësaj ai nguli këmbë që ligji për mediet është vetëm një çështje kombëtare dhe se e kishin keqkuptuar. "Evropa e fortë", që ka zgjedhur ai si moto për presidencën e radhës, nuk mund të zhvillohet në këtë mënyrë. Kryeministri hungarez bëri thirrje për të kapërcyer lodhjen prej zgjerimit dhe për t'i dhënë Kroacisë një datë konkrete për pranim në BE. Me këto fjalë mund të jesh vetëm dakord, por Victor Orban duhet ta mendojë që Kroacia nuk do të mund të pranohej në BE në rast se do të kishte një ligj mediash si ai i Hungarisë, i cili bie dukshëm në kundërshtim me të drejtën themelore të lirisë së shtypit.

Ky është një gabim në konstrukt i BE-së: BE ka ndikim të madh ndaj kandidatëve për anëtarësim, por mund të bëjë fare pak në rast se ndonjë nga vendet anëtare largohet nga rruga e parimeve politike. Kryeministri hungarez deklaroi se nuk i merr për keq kritikat dhe se për të ligji i mediave nuk është çështje prestigji. Në rast se është kështu ai duhet ta përshtasë sa më shpejt që është e mundur këtë ligj me normat evropiane. Natyrisht që edhe qeveri të tjera evropiane përpiqen të ndikojnë ndaj medieve të tyre, por asnjë prej tyre nuk ka arritur deri tani të miratojë një ligj që t'i mundësojë kontrollin faktik ndaj përmbajtjes së mediave.

Viktor Orban mund të drejtojë si të dojë, sepse elektorati hungarez i ka dhënë shumicën e dy të tretave të vendeve në parlament. Ligji për mediat është vetëm një nga përpjekjet për ta mbushur shtetin, administratën dhe drejtësinë me pasues besnikë të partisë së tij konservatore Fidesz. Pas flakjes së FMN-së nga vendi politika ekonomike po formësohet në formë më "patriotike", në ndërtesat publike bëhet propagandë nacionale, kompetencat e Gjykatës Kushtetuese po kufizohen. Të gjitha këto bëjnë që në radhën e shumë deputetëve evropianë, dhe jo vetëm te opozita e majtë, të tingëllojnë sirenat e alarmit.

Viktor Orban ka ende mundësi që të ndërrojë drejtim, në rast se do që ta çlirojë presidencën hungareze prej përshtypjes, që ai do të tregohet si i fortë dhe të vërë në rrezik demokracinë hungareze. Hungaria është ende larg "shtetit të fyhrerit" apo raporteve totalitare, sikurse shkruan disa gazeta evropiane. Që kjo të mbetet kështu mund të kujdesen edhe kryetarët e tjerë konservatorë të shteteve dhe të qeverive evropiane. Ata duhet të ushtrojnë hapur dhe privatisht në biseda presion ndaj Orbanit, që të lejojë sërish një demokraci pluraliste në Hungari bashkë me mediat përkatëse.

Autor: Bernd Riegert / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 20.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zzoS
  • Data 20.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zzoS