1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

“Barometri Ballkanik”, si skaner për performancën e medias në Shqipëri

Pas disa vendeve fqinje edhe Shqipëria bën vlerësimin e thelluar dhe të gjithanshëm për klimën mediatike, një format që fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” e aplikon prej kohësh në shumë vende të botës.

Barometri Ballkanik i Medias është një instrument vlerësues i përdorshëm për mjedisin e Europës Juglindore dhe ajo që ka rëndësi është fakti se ka natyrën e një sondazhi bazuar në standardet e BE dhe të Këshillit të Europës. Nga pikëpamja profesionale Barometri përbën një sistem vlerësimi të thelluar dhe të gjithanshëm për të karakterizuar klimën mediatike të një vendi, është një ushtrim vetëvlerësues bazuar në kritere të brendshme. Një format i tillë është aplikuar më herët në rajonin tonë dhe në Bosnjë Hercegovinë e në Bullgari e Maqedoni.

Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë

Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë

Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë e përshkruan Barometrin Ballkanik të Medias jo vetëm si një instrument analitik për atë që ndodh në median e një vendi të caktuar, por në të njëjtën kohë dhe si një argument praktik lobimi për reformat që duhet të ndërmerren në fushën e medias, nxisin përmirësimin bazuar në standardet më të mira europiane: “Barometri i Medias është mjaft i njohur në vende të ndryshme të botës, i mbështetur nga Fondacioni Gjerman ‘Friedrich Ebert', që synon skanimin e situatës së medias nga ekspertë të fushës por dhe nga publiku, nisur nga një sërë treguesish thelbësorë që bëjnë një panoramë të qartë të stadit ku je, por dhe që lehtësojnë krahasimin me vendet e tjera. Katër kolonat kryesore në bazë të të cilave është ndërtuar raporti janë gjendja e lirisë së shprehjes, peisazhi mediatik, ku përfshihen dhe mediat e reja, rregullimi i transmetimeve audiovizive dhe performanca e transmetuesit publik dhe kolona e katërt lidhet me nivelin e standardeve të gazetarëve.”

Aspekte pozitive dhe negative në median e Shqipërisë

Disa nga gjetjet pozitive të Barometrit për Shqipërinë janë shumëllojshmëria në peisazhin mediatik, investimet e konsiderueshme në teknologji, diversifikimin e burimeve të informacionit nga redaksitë, besueshmëria mbetet e lartë, qëndrueshmëria e rritur në skenën mediatike, përmirësimi i legjislacionit të fushës që ka ndikuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm, gazetaria online dhe mediat e reja në përgjithësi iu kanë ofruar një shkallë më të madhe lirie gazetarëve etj.

Por gjatë analizës së klimës mediatike shqiptare ka dhe aspekte negative të evidentuara si për shembull fenomeni i kapjes nga politika, por dhe fakti që politika është tema që çdo media shteron duke lënë mënjanë çështje të interesit publik. Ndër gjetjet e tjera që flasin për zhvillime negative janë dhe elementi i partishmërisë si një fenomen gjithnjë e më i pranishëm, duke mjegulluar gjithnjë e më shumë vijën mes politikës dhe medias, gazetaria investigative është përgjithësisht e dobët dhe nuk ka ndikim të kënaqshëm, mungojnë raportimet e thelluara, janë evidentuar raste të arrogancës së medias, ku vlerësohet oferta për mbështetje politike më tepër se për çdo gjë tjetër, media kombëtare nuk përdor një këndvështrim mjaftueshëm social në agjendën dhe mbulimin e tyre të lajmeve, dështimi i medias për të funksionuar si biznes i mirëfilltë e ka prishur natyrën e tregut mediatik.

Frank Hantke, drejtor për Shqipërinë i Fondacionit “Friedrich Ebert”, FES, në prezantimin publik të ditëve të fundit të “Barometrit Ballkanik të Medias, Shqipëria 2013” thotë se media mbetet ndër fokuset kryesore të fondacionit që ka degë në 110 vende të botës. “Sepse ajo ka një rol të pazëvendësueshëm në demokracinë e çdo vendi, shtyn përpara proceset demokratike. Por nuk janë të pakta rastet kur ajo direkt ose indirekt përdoret nga pushteti për qëllimet e veta. Mendoj se sasia nuk është cilësi. Shpesh gazetarët nuk gërmojnë thellë për tek shkuar tek e vërteta, nuk u lejohet t'u shkojnë kërkimeve deri në fund për t'ja pasqyruar publikut. Gjithmonë më kalon në mendje pyetja se si mund të sigurohet për publikun një infromacion i pavarur nga gazetarë të varur?”

Frank Hantke, drejtor për Shqipërinë i Fondacionit “Friedrich Ebert”.

Frank Hantke, drejtor për Shqipërinë i Fondacionit “Friedrich Ebert”.

Duke ju refreuar peisazhit mediatik shqiptar dhe rezultateve të Barometrit, Hantke i Fondacionit “Friedrich Ebert” nënvizon faktin se gazetarët hasen me presion nga pronarët, nga ata që i punësojnë, nga bizneset ose nga politika, faktorë që pengojnë ata të raportojnë se mund të humbasin vendin e punës, pa pasur siguri se mund të mbijetojnë në gazetari.

Analizë ciklike në ndihmë të përparimit të reformave në media

Përmbajtja e Barometrit Mediatik për Shqipërinë doli nga një diskutim i thelluar mes përfaqësuesve të medias dhe aktorëve nga shoqëria civile, të 45 treguesve që janë vlerësues për situatën. Raporti është shpërndarë në grupet e interesit për t'u njohur në detaje dhe në një faze të dytë do të ketë diskutime publike për gjetjet kryesore dhe propozimet konkrete në favor të përmirësimit të gjendjes. Për përfaqësuesit e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë në realizimin e Barometrit Mediatik praktikohet përsëritja e tij çdo 2 ose 3 vjet me qëllim që të mund regjistrohet përparim në reformat për median, përkrah nevojave të ardhshme për politikat në këtë sektor. Kjo mënyrë ka rezultuar e suksesshme në pjesë të tjera të botës si në Azi e në Afrikë.