1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Barak Obama emërohet nga kongresi i demokratëve si kandidat për president të SHBA

Karsten Schmiester/Mimoza Kelmendi28 Gusht 2008

Hillari Klinton e mbështeti me gjithë zemër Obamën. Ish-presidenti amerikan Klinton i solli kongresit së partisë pasqyrën e dështimeve ekonomike të Republikanëve.

https://p.dw.com/p/F6L2
Bill Klinton duke mbështetur Obaman në kongresin e demokratëve
Bill Klinton duke mbështetur Obaman në kongresin e demokratëveFotografi: AP

Dita e mërkurë ishte dita më e madhe e Partisë Demokrate Amerikane. Për delegatët e entuziazmuar nuk kishte më asgjë që i ndalte. Deri në fjalimin e saj të mbrëmshëm kishte shumë spekullime nëse Hillari Klinton do ta mbështeste me gjithë zemër Obamën, apo nëse këtë do ta bënte me gjysëm zëri. Por, Hillari Klintoni nuk la asnjë dilemë në mbështetjen e saj për Obamën. Ish rivalja e Senatorit Obama u kërkoi delegatëve të kuvendit të pezullonin votimin shtet pas shteti duke iu drejtuar me këto fjalë:

"Me frymën e unitetit, me qëllimin për fitore, me besimin tek partia dhe vendi ynë, le të deklarojmë këtu edhe një herë se Barak Obama është kandidati ynë për president dhe ai do të bëhet presidenti ynë", tha senatorja e Nju Jorkut.


Thirrja e saj u prit me ovacione të stuhishme në sallën e mbushur plot e për plot të Kuvendit të Partisë Demokrate në Denver të Kolorados.

Më pas në podium doli ish-presidenti amerikan, Bill Klinton. Ai e nisi fjalën e tij pas një duartrokitjeje të gjatë disaminutëshe:

"Dje Hilari ka thënë troç dhe qartë se do të bëjmë gjithçka që Barak Obama të zgjidhet".

Ish-presidenti amerikan Klinton i tha Konventës së partisë se senatori Obama ishte i kualifikuar në mënyrë unike për presidencën e SHBA-ve.

"Është e qartë se detyra e presidentit të ardhshëm do të jetë ndërtimi i ëndrrës amerikane dhe ringritja e lidershipit amerikan në botë."

Ndërkohë, kandidatit republikan për president, senatorit Xhon Mekkejn, Bill Klintoni iu kundërvu duke berë një krahasim të punës së tyre në këto tetë vjet:

"Ne kishin një sufiçit buxheti, ndërsa ata kanë një defiçit buxheti. Numri i vendeve të reja të punës është zbritur nga 22 milion në pesë milion. Ne kemi arritur të nxjerrim nga varfëria tetë milion amerikanë, ata kanë kthyer në varfëri përsëri më shumë se pesë milion e gjysëm njerëz, ndërsa miliona amerikanë të tjerë kanë humbur sigurimet shëndetësore. Dhe megjithatë, kandidati i tyre premton vijimin e kësaj politike", tha Bill Klintoni.

Obama vetë bëri një paraqitje të paplanifikuar në skenën e konferencës.

"Ne hapëm kongresin, me qëllim që secili që dëshiron t'i bashkohet partisë i bashkohet përpjekjeve për të rikthyer Amerikën. Kjo e bën të nesërmen të mrekullueshme. Zot, na mbro neve dhe Amerikën!", tha Obama.

Ai falenderoi bashkëshortët Klinton për mbështetjen që ata i dhanë në konventë.

Obama përballet me republikanin Xhon MakCain në zgjedhjet e 4 nëntorit për president të SHBA-ve.