1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Banorët e Gazës vajtojnë për të afërmit - civilët janë viktima të sulmeve izraelite

Izraeli i vazhdoi të martën për të katërtën ditë me radhë sulmet e rënda ajrore ndaj Rripit të Gazës.

default

Palestinezë dërgojnë në spital dy fëmijë të plagosur

Përsëri një baba vajton fëmijën e vet në Gazë. Ai është një prej të shumtëve që mbajnë zi për pjesëtarët e familjes. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, që prej fillimit të sulmeve izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë humbur jetën 64 civilë. 42 prej tyre janë fëmijë, njoftojnë agjencitë palestineze të lajmeve. Numri i të vrarëve, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, u rrit në më shumë se 360, ai i të plagosurve në më shumë se 1.700.

Aviacioni ushtarak izraelit ka bombarduar pesë ministri dhe për herë të dytë Universitetin Islamik në Qytetin e Gazës. Ministri izraelit i mbrojtjes Barak ka theksuar disa herë se avionët luftarakë të ushtrisë shënjojnë institucione të Hamasit, por dëshmitarët okularë në Gazë nuk mund ta konfirmojnë këtë.

Banorët e Gazës - të tmerruar

Njëri prej tyre, një palestinez nga Qyteti i Gazës, e përshkruan kështu gjendjen: "Njerëzit janë tmerruar. Ata nuk guxojnë të dalin në rrugë. Ata kanë frikë se mos goditen prej avionëve luftarakë izraelitë. Avionët nuk kanë caqe të dallueshme. Izraelitët thonë se shënjojnë pozicione të Hamasit, por ata godasin gjithçka këtu. Civilët janë viktimat."

Israel Palästinenser Angriff auf Gaza Verletzter in Rafah

Të plagosur në Rafah

Të martën në mëngjes aviacioni ushtarak izraelit shkatërroi shtëpinë e një bashkëpunëtori të radios gjermane ARD në Qytetin e Gazës, Fauas Abu-Sita. Shtëpia gjendet në afërsi të disa ndërtesave ministrore. Fauas Abu Sita dhe gruaja e tij, Anke Abu Sita, shpëtuan në bodrum nga sulmi. Zonja Abu Sita është gjermane dhe drejton përfaqësinë e Republikës Federale Gjermane në Gazë. Të dy sapo ishin dekoruar javën e kaluar për punën e tyre në Gazë me kryqin federal për merita.

Sulmet e palës palestineze

Luftëtarët palestinezë po arrijnë me raketat e tyre çdo ditë caqe më të largëta. Ata e kanë shfrytëzuar armëpushimin muajt e kaluar për të importuar predha të reja. Një raketë ra të martën në vendbanimin beduin Rahat në shkretëtirën e Negevit, rreth 30 kilometra në lindje të Gazës. Kaq larg në lindje nuk kishte depërtuar deri tani asnjë predhë nga Gaza në brendësi të Izraelit. Ditët e kaluara raketat shënuan largësi rekord edhe në drejtimin verior. Në Ashdod, 35 kilometra në veri të Rripit të Gazës u vra një grua nga goditja e një rakete.

Ndërkaq zëvendësministri izraelit i mbrojtjes, Matan Vilnai, e ritheksoi në radion izraelite vijën e pandryshuar: "Ne duam t'i japim Hamasit një goditje shumë të fortë. Ata e ndiejnë mjaft mirë këtë që prej së shtunës së kaluar dhe ne do të vazhdojmë e do t'i godasim aq fort sa të kuptojnë se ç'do të thotë të biesh në konflikt me Izraelin. Ne duam një ndryshim parimor, rrënjësor të gjendjes në jug të vendit. Ata do të marrin një goditje të tillë sa të mendohen mirë se ç'është e mirë për ta dhe ç'nuk është."

Heine Preis für Amos Oz

Shkrimtari Amos Oz

Ndërkohë disa intelektualë izraelitë i kanë bërë thirrje për armëpushim qeverisë së tyre. Pas thirrjes së shkrimtarit Amos Oz për një armëpushim 48-orësh të paktën një armëpushim të përkohshëm kërkoi edhe publicisti David Grosman (Grossmann). Sipas tyre, në këtë mënyrë mund t'i jepej mundësia Hamasit që t'i ndërpresë sulmet e veta me raketa.

  • Data 31.12.2008
  • Autor Sebastian Engelbrecht
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GPkS
  • Data 31.12.2008
  • Autor Sebastian Engelbrecht
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GPkS