1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260711 Norwegen Anteilnahme

26 Korrik 2011

Oslo, një qytet i ndryshëm nga ai që ka qenë më parë. Rrugët e boshatisura pas tragjedisë të premten, kanë nisur të mbushen. Jeta po rikthehet në këtë qytet. Njerëz nga të gjitha shtresat dhe moshat mbajnë zi.

https://p.dw.com/p/123R6
Norvegjia pas atentateve. Oslo
Norvegjia pas atentateve. OsloFotografi: dapd

Një pasdite në Oslo, një qytet i ndryshëm nga ai që ka qenë më parë. Rrugët të cilat u boshatisën pas tragjedisë të premten, kanë nisur të mbushen. Jeta po rikthehet në këtë qytet. Njerëz nga të gjitha shtresat dhe moshat janë mbledhur për të kujtuar ata që humbën jetën në ngjarjen më brutale për Norvegjinë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Ata ende po përpiqen të kuptojnë se si ka ndodhur tragjedia dhe akti terrorist nga një njeri aspak i dyshimtë.

Mona Svenning qëndron në linjë bashkë me babanë e saj në ambientet jashtë universitetit, duke pritur për të shkruar diçka në librin e ngushëllimeve. Ajo ishte shumë me fat, që nuk humbi njerëz të afërt në ngjarjen tragjike. Por, vëllai 18 vjeç i saj, nuk ishte kaq me fat, pasi humbi katër nga shokët e tij në ngjarjen e tmerrshme në ishullin Utoya.

"Ai po mundohet që të marrë veten, me sa të mundet. Ai po qëndron në shtëpi sot pasi mendon se është më mirë. Për momentin është shumë keq nga kjo ngjarje, por po mundohet të gjejë forca. "

Njëfarë lehtësimi që sulmi nuk qe nga Al Kaida

Jardar Hals Bjelland ka pritur prej disa orësh, nisjen e ceremonisë përkujtimore dhe qëndron duke parë turmën bashkë me gruan e tij. Prej kohësh një banor i Oslos, ai thotë se tani qyteti ka një ndjesi tjetër.

"Kjo është një ndjenjë boshe dhe shumë e çuditshme. Është dita e parë pas masakrës, që unë shoh njerëzit të dalin me vrull në rrugë. Deri tani Oslo ka qenë një qytet fantazmë por tani ende ka një ndjenjë të çuditshme. "

Ka një perceptim në opinionin publik, që duket lehtësues që sulmin terrorist nuk e kanë bërë njerëz të huaj. Shumë njerëz thonë se është më e lehtë të merresh me një terrorist të rritur në shtëpi, se sa një të huaj.

Lise Maloney ka jetuar për 17 vjet në Nju Jork dhe ajo di disa gjëra mbi aktet terroriste. Ajo thotë se autori i masakrës në Norvegji është nordik, dhe kjo e bën tragjedinë më pak të frikshme.

"Nëse do të kishte qenë një akt të cilin e mendonim si të Al Kaedës apo fondamentalistëve, do të ishim më shumë të tmerruar. Është e frikshme që autori është norvegjez, por në të njëjtën kohë është disi lehtësi pasi nëse do të kishte qenë diçka tjetër, do të ishte më keq. "

Ndërsa përkujtimi për të vrarët ka filluar, qyteti që dukej bosh në të gjithë fundjavën, nisi të mbushej dhe qindra njerëz u mblodhën në paradën e trëndafilave, një simbol i Partisë Laburiste, që mbushi rrugët e Oslos.

Autor: L. Sdal / A.Borici

Redaktoi: Auron Dodi