1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bankat: zbukurimi i situatës nuk ndihmon

E habitshme: vetëm një në dhjetë nga 130 bankat e testuara duhet të bëjë përmirësime. Kjo është shumë e bukur për të qenë e vërtetë dhe duket si zbukurim i situatës, mendon redaktori i DW Rolf Wenkel.

Tani pra ka qartësi: në testin mbarëevropian të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) nuk e kanë kaluar „klasën“ 25 nga 130 bankat më të rëndësishme, kapitali që mungon është 25 miliardë euro. 13 banka duhet ta plotësojnë nivelin e kërkuar të kapitalit të vet, 12 e kanë bërë këtë tashmë.

Porträt - Rolf Wenkel

Rolf Wenkel

Por a është vërtet e qartë situata? „Ishte një ushtrim serioz dhe i marrë me seriozitet nga të gjithë pjesëmarrësit“, kështu vlerëson shefja e autoritetit për mbikqyrjen e bankave dhe instituteve financiare në Gjermani (BaFin) Elke König, në bisedë me DW testin e stresit.

Por unë kam një përshtypje krejt tjetër: në rastin më të mirë është një ushtrim nxehje rezultati i të cilit ka vlerë të kufizuar sa i takon aftësisë së pjesëmarrësve, në rastin më të keq një kërkim i shtrenjtë për të gjetur ato banka, të cilave shefi i BQE Mario Draghi duhet t‘u blejë të parave kreditë e këqija.

Në testin e stresit në thelb bëhet fjalë për pyetjen nëse kapitali i vet i bankave është në raport të arsyeshëm me rreziqet që kanë marrë përsipër me biznesin e kredidhënies dhe nëse kjo është e vërtetë a vlen edhe për rastet kur bankat përballen me situatë stresi, duke supozuar një rënie të koniunkturës dhe plasjen e një flluske imobiliesh.

Kjo tingëllon e arsyeshme pasi në 4 nëntor BQE do të marrë përsipër mbikqyrjen e bankave më të rëndësishme evropiane dhe është e natyrshme që nuk dëshëron të marrë përgjegjësi për rreziqe të vjetra.

Një gabim në konstruksionin e këtij testi është megjithatë që bankave iu lihet në dorë të vlerësojnë vetë rreziqet e tyre. Dhe tundimi është i madh që të zbukurojnë të ashtuquajturat aktive „që mbartin rreziqe“. Më e ndershme do të ishte që bankave t‘u përcaktohej një rregull i qartë për raportin e kapitalit të vet me totalin e aktiveve. Në këtë rast testin nuk do ta kishin kaluar shumë më tepër banka se ato 13 që tani duhet të plotësojnë mungesat në kapitalin e vet.

Dhe kjo çon në konfliktin tjetër: pasi kapitali i vet mund të sigurohet duke emetuar aksione të reja ose duke reduktuar rreziqet që do të thotë më pak kredi.

Efekte anësore

Të dyja këto masa kanë pasoja anësore të shëmtuara: me një emër të cënuar është e vështirë të gjehen investitorë të rinj, ndërkohë që aksionerët e vjetër do të inatoseshin shumë pasi vlera e aksioneve të tyre bie.

Për këtë arsye bankat do t‘i drejtohen masës së dytë që në aspektin makroekonomik ka pasoja edhe më shkatërrimtare: do të jepen më pak kredi pra do të praktikohet pikërisht e kundërta e asaj që BQE kërkon të arrijë pra që ekonomia të furnizohet mjaftueshëm me para për investime.

Vetëm 13 nga 130 banka evropiane janë „sëmurë“, kjo të kujton shumë zbukurimin e situatës: pa shihni, tani gjithçka është rregull. Por lutjet për shëndet deri tani nuk kanë pasur asnjëherë efekt. Dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar jep shifra krejt të tjera. Sipas të dhënave të veta ai ka marrë në shqyrtim 300 banka të mëdha në vendet e industrializuara.

Krahasuar me shumën e bilancit 40 për qind e bankave nuk janë në gjendje për një kreditim të përshtatshëm të ekonomisë. Në eurozonë madje këtë problem e kanë 70 për qind e bankave. Dhe drejtori i departamentit për tregjet financiare në FMN, Jose Vinals, nuk e fsheh se i konsideron të panevojshme këto banka.

Por meqenëse kjo nuk pranohet nga BQE, shefi i saj Mario Draghi fillon të blejë rreziqet nga kreditë para së gjithash të bankave në jug të Evropës, përfshirë Francën. Këto kredi të këqija aktualisht sipas BQE kanë një volum prej 879 miliardë euro.

Në këtë mënyrë BQE po ecën drejt asaj që politikanët gjermanë kanë theksuar që nuk do të ndodhte kurrë: ngarkimi i peshës së borxheve mbi supet e gjithë bashkësisë. Pra testi i stresit mund t‘u ketë sjellë disa bankierëve më shumë qartësi për volumin e titujve pa vlerë që qarkullojnë në Evropë por peisazhin e bankave në Evropë nuk e ka bërë aspak më të sigurt dhe të qëndrueshëm.