1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Banka Qendrore Evropiane streson bankat e mëdha

Banka Qendrore Evropiane merr përsipër në nëntor mbikqyrjen e bankave më të mëdha të Bashkimit Monetar. Por fillimisht bankat do t'u nënstrohen testimeve të rrepta. Më 26 tetor shpallen rezultatet e testeve të stresit.

Sikur eurozona të mos kishte mjaft halle: shifra ekonomike të ulëta, borxhe në rritje, papunësi të lartë dhe një Bankë Qendrore në qendër të kritikave. Tani pikërisht kjo Bankë Qendrore do t'i böjö një test stresi rreth 130 bankave të mëdha të vendeve të eurozonës. Të dielën e ardhshme do të dalë në dritë e vërteta. Emrat e kandidatëve, që mund të bien, qarkullojnë që tani. Ka edhe spekullime për turbullirat në tregjet financiare një ditë më pas.

Që BQE dhe bankat e mëdha e fusin vetën në një stres të tillë ka të bëjë me Unionin Bankar shumë të përfolur. Krijimi i një unioni të tillë u vendos një fund të qershorit 2012 në njërin nga samitet e shumta të krizës. Për të çarë rrethin vicioz mes krizave të bankave dhe krizave të shteteve dhe për të evituar një nga të këqijat më të mëdha të Bashkimit Monetar. Unioni Bankar do të mbështetet në tri shtylla: mbikqyrja, likuidimi dhe sigurimi i depozitave. Shpejt u ra dakord, që BQE duhej të merrte përsipër mbikqyrjen e bankave në nivel evropian. Pas diskutimesh të gjata në fund të vitit të kaluar u rregullua mënyra e shpërbërjes së bankave, që ndodhen në vështirësi. Heret apo vonë do të vendoset edhe një sigurim i përbashkët i depozitave. Atëherë unioni bankar do të shndërrohet në një lloj siguracioni.

Kush do të futet nën një supervizion të përbashkët, duhet të kualifikohet, thotë Hans-Peter Burghof

Kush do të futet nën një supervizion të përbashkët, duhet të kualifikohet, thotë Hans-Peter Burghof

Me qëllim që të mos hyjë asnjë bankë e dëmtuar, ekonomistët gjermanë kryesisht kanë këmbëngulur, që BQE t'i kontrollojë mirë bilancet e bankave, përpara se të fillojë me supervizimin. Hans-Peter Burghof nga Universiteti Hohenheim është njëri prej tyre: "Kush do të futet nën një supervizion të përbashkët, duhet të kualifikohet për këtë. Ai duhet të dëshmojë, se nuk është rrezik i patolerueshëm për anëtarët e tjerë në këtë bashkësi." Kjo është edhe në interes të BQE. Fundja ajo nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për rreziqet e vjetra, tha Burghof për DW.

Testi shqyrton në rradhë të parë kapitalin vetjak. Ai duhet të përbëjë së paku tetë përqind tö të ashtuquajturave asete të ngarkuara me rrezik. "Të ngarkuara me rrezik", do të thotë që asetet, që vlerësohen si pak të rrezikshme, janë të përfshira pjesërisht. Por ka një problem. "Në një farë mase vlerësimet bëhen nga vetë bankat", thotë Clemens Fuest, president i Qendrës për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW). Përvoja e krizës së fundit ka treguar se kuota e ngarkuar me rrezik e kapitalit vetjak nuk është indikator shumë i mirë. "Së pari është fakt që këto modele rreziku kanë punuar me të dhëna nga e kaluara. Dhe nuk është e qartë, nëse në këtë mënyrë krizat e së ardhmes mund kapen me të vërtetë", thotë Fuest në intervistë me DW.

Leverage ratio është indikatori më i mirë, mendon Clemens Fuest

Leverage ratio është indikatori më i mirë, mendon Clemens Fuest

Për mendimin tim do të ishte më mirë që nga bankat të kërkohej, që së paku tre përqind të të gjithë pasurisë ta financonin nga kapitali vetjak. Kjo është e ashtuquajtua leverage ratio. Një test i kryer nga instituti i tij tregon se diskrepanca e kapitalit në rast krize është më e madhe, kur llogaritja e kapitalit bëhet në bazë të leverage ratio. Me fjalë të tjera: me këtë model nevoja për kapital del krejtësisht e qartë.

Duke marrë modelin, që ka përcaktuar për rrezikun BQE, ZEW arrin në konkluzionin se bankat i përmbushin kërkesat për kapitalin vetjak, në rastin normal. Këtë bankat e kanë arritur, jo se kanë marrë para të re nga jashtë, po duke reduktuar asetet e tyre, thotë Clemens Fuest: "Ne tregojmë madje se për dhjetë bankat e mëdha kapitali vetjak në terma absolutë ka rënë. Vetëm se ata kanë reduktuar edhe më shumë bilancet e tyre, pra kanë reduktuar dhënien e kredive dhe investimin, kështu që kuoficenti i kapitalit është rritur."

Kjo tregon dilemën, në të cilën ndodhet Banka Qendrore Evropiane. Nga njëra anë ajo i fal si të thuash para bankave, me qëllim që ato t'u japin më shumë kredi bizneseve, për të stimuluar zhvillimin. Nga ana tjetër si rregullatore ajo u vë bankave kërkesa më të larta për kapitalin, në mënyrë që t'i bëjë më rezistente.

Dhe a janë bankat të përgatitura mirë për krizën e ardhshme? Kjo është në fakt pyetja me të vërtetë interesante në testin e stresit. Jo aq mirë sa duhet, është përfundimi i testit të ZEW. Sepse për një humbje vlere të letrave të mbajtura nga bankat prej 10 përqindësh krijohet një mungesë e kapitalit prej më shumë se 150 miliardë euro. Bankat në Gjermani dhe Francë dalin me rezultate mjaft të keqija sipas këtij skenari jo fort pesimist.

Jo me kaq shumë bujë: Prof. Thomas Hartmann-Wendels

Jo me kaq shumë bujë: Prof. Thomas Hartmann-Wendels

Se çfarë dëshmie marrin bankat nga BQE, varet prej faktit se çfarë skenarë krizash ka hartuar Banka Qendrore. Eksperti i financave, Hans-Peter Burghof, thotë se duhet të ketë skenarë të ndryshëm për vende të ndryshme: "Bankat gjermane duhet t'u nënshtrohen skenareve më të vështirë se bankat greke."

Përveç kësaj e gjitha kjo është edhe diçka politike, mendon Thomas Hartmann-Wendels nga universiteti i Këlnit në bisedë me DW: "BQE do ta ketë të vështirë të guxojë të thotë: përfytyroni, Greqia nuk është në gjendje të paguajë më. Do të ketë një tjetër falje borxhi."

Edhe këtu BQE është në dilemë. Nëse i vë bankat në një situatë shumë stresuese, rezultatet kanë për të shkaktuar një stres të madh në tregjet financiare. Nëse skenaret janë të formuluara të buta si gjalpi, humbasin kredibilitetin testi e bashkë me të edhe BQE.

Megjithatë Hartmann-Wendels mendon se teste të tilla janë të dobishme. Vetëm se rezultatet nuk duhen mbivlerësuar dhe "nuk duhen bërë me kaq shumë bujë."