1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Banka Botërore Shqipërisë: Të përshpejtohen ritmet e reformave fiskale dhe strukturore

Parashikimet në raportin e Bankës Botërore për “Perspektivat e Ekonomisë Globale 2013”. Borxhi i lartë publik shfaq në ekonominë shqiptare marrjen e huave informale me fajde.

Banka Botërore në raportin e saj “Perspektivat e Ekonomisë Globale 2013” parashikon se Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia dhe Rumania do të kenë një rritje ekonomike prej 1,6 % gjatë këtij viti. Raporti ndalet në mënyrë të veçantë tek Shqipëria si “një vend me ulje të ndjeshme të konsumit të brendshëm, nivelit të kreditimit, të ardhurave nga imigrantët, të papunësisë së lartë”. Ndërkohë pritet që borxhi publik të arrijë këtë vit në 64% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose në 9 miliardë dollarë, shifër që është ndër më të lartat në rajon.

Në këto kushte Banka Botërore i sugjeron Shqipërisë të përshpejtojë ritmin e kryerjes së reformave fiskale dhe strukturore për të mundësuar një rritje ekonomike më të madhe se 1,6%, që të lejojë ngritjen e nivelit të jetesës dhe uljen e papunësisë. Dr. Selami Xhepa, ekspert në fushën e ekonomisë, deputeti i PD-së në komisionin parlamentar të ekonomisë thotë për DW në shqip: ”Reforma fiskale nënkupton në rradhë të parë vendosjen me ligj, në kushtetutë të një rregulli fiskal më të ashpër, që të mundësojë uljen e borxhit publik, të ekuilibrojë të ardhurat dhe shpenzimet. Sfida më e madhe e Shqipërisë është pikërisht reduktimi i borxhit publik.”

Përballimi i kësaj sfide vjen në një kohë kur Parlamenti miratoi, në fund të vitit të kaluar, vetëm me votat e maxhorancës ligjin për heqjen e tavanit prej 60% të PBB për borxhin publik dhe lënien e tij pa kufij. Ky ligj, sipas ekspertëve vendas, mund ta zhysë më thellë qeverinë në borxhe dhe fatura të papaguara dhe të lëkundë qëndrueshmërinë fiskale. "Heqja e tavanit të borxhit publik nuk është një sinjal pozitiv, pasi nuk i shërben shëndoshjes së financave publike dhe as tregjeve financiare", thotë Selami Xhepa.

Rishfaqet fenomeni i marrjes hua me fajde

Rritja e borxhit publik nga pamundësia e qeverisë për të likuiduar faturat e aktorëve të biznesit vendas, që kanë kryer punë të mëdha publike, ka rishfaqur fenomenin e marrjes së parave hua me fajde, pra në tregun informal. Dr. Gjergj Filipi, ekspert në fushën e ekonomisë, në Institutin Axhenda, me seli në Tiranë shpjegon pse po ndodh kështu: "Bizneset po i drejtohen për të marrë hua kanaleve informale, pra nuk marrin kredi në banka, por tek njëri – tjetri hua me fajde. Kjo pasi kanë marrë kredi në banka dhe nuk kanë mundur ta shlyejnë. Bankat nuk u japin më pasi i klasifikojnë si kredimarrës jo të besueshëm. Mospagimi i kredive ose i huave në banka ka shtuar kreditë e këqia, pra të papaguarat. Sipas burimeve zyrtare këto kredi përbëjnë 25% të të gjitha kredive, nga bankat e nivelit të dytë, që është një tregues shumë alarmant. Në Shqipëri po inkurajohet borxhi dhe vendi nuk po hyn në një hulli zvillimi. Bankat e nivelit të dytë më mirë investojnë jashtë Shqipërisë, pasi nuk janë të gatshme të marrin risk dhe të shtojnë përqindjen e kredive “të këqia”, thekson Filipi.

Description: 1. Gergjii Filipi, Economy Expert, Agenda Institute Author: Ani Ruci, shot on February 2013, in Tirana Key words: Al- Weltbank

Gergj Filipi, ekspert i ekonomisë, Instituti Axhenda, Tiranë

Si mund të frenohet marrja e huave informale me fajde?

"Pagesat e detyrimeve që ka qeveria për investimet në sektorin publik të kryera nga biznesi duhet të jetë një emergjencë. Me këto pagesa bizneset do të kenë mundësi të kthejnë kreditë në banka dhe të paguajnë huatë informale, paratë e marra me fajde duke stabilizuar kështu tregun financiar,” thotë për DW, eksperti i ekonomisë, dr. Selami Xhepa.

Por krahas vendosjes së një rregulli te ashpër fiskal dhe shlyerjes së detyrimeve financiare të shtetit ndaj biznesit vendas, sugjerimi i BB drejtuar Shqipërisë për reforma fiskale ka të bëjë edhe me një menaxhim më të mirë të administratës tatimore të mbledhjes së taksave dhe tatimeve, shmangien e evazionit fiskal. "Refomat duhet të sigurojnë më shumë pavarësi në planifikimin makro- ekonomik të vendit , në mënyrë që parashikimet të kalojnë në institucione dhe grupe të pavarura , jashtë qeverisë", thotë Xhepa.

Reformat strukturore - Prioritet tregu i punës

Drejtimi tjetër i sugjerimit të Bankës Botërore për Shqipërinë është përshpejtimi reformave strukturore. “ Prioritare është reforma strukturorre në tregun e punës, hiq nga rruga brezin e ri dhe jepi një perspektivë”, thotë dr. Gjergj Filipi.

Kurse dr. Selami Xhepa mendon se të gjitha sektorët e ekonomisë kanë nevojë për reforma strukturore. "Duke filluar nga reformimi i administratës publike, për të pasur një administratë me integritet dhe efikase, duke vazhduar me luftën kundër korrupsionit, burimit kryesor për pengimin e investimeve vendase dhe të huaja, reformimit të politikave ekonomike dhe të administrimit më të mirë të burimeve natyrore të vendit.”