1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Botërore shqyrton kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Bekim Shehu/Prishtinë 24 Shtator 2008

Kërkohen gjashtë deri nëntë muaj kohë që Kosova të marrë përgjigje nga Banka Botërore.

https://p.dw.com/p/FOD8
Godina kryesore e Bankës Botërore në Uashington
Godina kryesore e Bankës Botërore në UashingtonFotografi: picture-alliance/dpa

Në Kosovë po qendron një delegacion i lartë i Bankës Botërore për të parë nga afër zhvillimet në vend dhe për të diskutuar me autoritetet kosovare procedurat e anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm financiar. Zëvendëspresidenti regjional i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Shigeo Katsu, tha në Prishtinë se procedurat për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore janë në rrugë të mirë, por, kjo çështje sipas tij do të marrë kohë. Bordi i Bankës Botërore tashmë është duke e shqyrtuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim:

"Mund ta konfirmoj se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore është duke vazhduar. Por, siç e dini procesi i anëtarësimit merr pak kohë, afërsisht gjashtë deri në nëntë muaj, sepse procedurat janë të atilla, kërkohen shumë kalkulime dhe kjo natyrisht merr kohë", tha Shigeo Katsu.

Ai tha se lajmi i mirë për Kosovën është se bordi i Bankës Botërore është duke e shqyrtuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim, megjithë kundërshtimet që kanë ardhur nga disa shtete anëtare të bankës. Banka Botërore që nga përfundimi i luftës ka përfaqësinë e saj në Kosovë dhe ka ndihmuar më shumë projekte. Ndihmat më të mëdha janë dhënë në sektorin e energjisë dhe të arsimit. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se në Kosovë ka një demokraci dhe ekonomi në zhvillim, për të cilat ka kontribuar edhe Banka Botërore dhe në këtë linjë, ai shpreson se Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare me të drejta të plota në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

"Kosova jo vetëm që ka nëvojë për mbështetje financiare, por ka nevojë dhe e meriton të jetë anëtare me të drejta të plota në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ne tashmë kemi aplikuar për anëtarësim dhe besoj se do të kemi përgjigje pozitive

", thotë Kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi, ka emëruar një këshilltar të posaçëm në kabinetin e tij, i cili do të angazhohet vetëm për procesin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Banka Botërore dhe FMN disa herë i kanë krikuar qeveritë e Kosovës për numrin shumë të madh të të punësuarve në administratën publike, numër që kalon shifrën e mbi 70 mijë personave. Buxheti i Kosovës sipas mekanizmave financiarë ndërkombëtarë është shumë i vogël, që të përballojë një numër kaq të madh të të punësuarve në administratë publike. Ato kanë kërkuar nga qeveria që të koncentrohet më shumë në projekte zhvillimore, të krijojë kushte për zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm, në mënyrë që të ketë hapje të reja të vendeve të punës. Papunësia në Kosovë arrinë shifrën e mbi 50 përqind dhe kjo e radhit Kosovën ndër vendet më të varfra në Evropë.