1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ban: Tolerancë zero ndaj abuzimeve me fëmijë - Ndihmësit humanitarë si autorë abuzimesh

Schmidt, Thomas / New York (WDR) 28 Maj 2008

Fëmijët në rajonet e krizave shpesh herë bien viktimë e abuzimeve seksuale dhe autorët jo rrallë janë pikërisht ata që shkojnë për t´u ndihmuar atyre, akuzon organizata britanike e ndihmës për fëmijët Save the Children.

https://p.dw.com/p/E7vx
helmetkaltër në Sierra LeoneFotografi: AP

Trupat e paqes të OKB-së dhe punonjësit humanitarë herë pas here kanë abuzuar me fëmijë në rajone të tilla si Bregu i Fildishtë, Sudani dhe Haiti. «Njerëzit nuk ankohen, sepse kanë frikë që organizata e ndihmës mund të largohet", citon "Save the Children" një të ri nga Sudani i Jugut. Sipas këtij raporti shpesh herë fëmijët këmbejnë seksin me ushqime. Save the Children i ka shpallur luftë këtyre abuzimeve duke i paraqitur OKB-së një sërë propozimesh për mbrojtjen e fëmijëve.


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon në fakt të martën (27.5.) në Nju Jork donte të raportonte vetëm mbi udhëtimin e tij në rajonet e katastrofës natyrore në Birmani, por më pas atij iu desh të prononcohet lidhur me publikimet e organizatës britanike "Safe the Children'. Ai tha se është i prekur thellë për akuzat, por megjithatë raporti është me vlerë dhe i jep OKB-së të dhëna të rëndësishme për ta shqyrtuar këtë çështje. Parimisht OKB-ja ndjek një kurs të qartë: "Unë gjithmonë kam bërë të qartë, që politika ime në rastin e abuzimit me fëmijët është tolerancë zero."


Por kjo politikë e tolerancës zero që ndjek OKB-ja duket se aktualisht është e vështirë të zbatohet nisur nga volumi i misoneve të paqruajtëësve, ose siç quhen ndryshe helmetkaltërve. Rreth 100 000 ushtarë të dërguar në rajone të ndryshme të botës është e vështirë që të mbikqyren. Megjithatë OKB-ja do t´i verifikojë me konseguencë akuzat e dëshmuara. Nënsekretarja përgjegjëse për misionet e paqes Jane Lute në këtë mes sheh të ketë jo vetëm probleme organizative: "Këtu nuk kemi të bëjmë me menaxhim, por me cilësi drejtimi."


Parimet mbi disiplinën dhe rregullin në mision janë të përcaktuara qartë, në thelb ato edhe zbatohen me konseguencë, vuri në dukje Lute. Ajo tërhoqi vëmendjen, që megjithëse ushtarët helmtekaltër drejtohen ushtarakish prej OKB-së, komandantët e tyre kombëtarë kanë të drejta dhe liri të zgjeruara dhe se herë pas here ka përfytyrime të ndryshme mbi normat morale. "Këto kultura të tjera janë gjithashtu pjesë e problemit."


Për OKB-në çështja e abuzimeve seksuale nuk është e re: prej vitesh organizata përpiqet të gjejë zgjidhje, të cilat siç vërtetojnë akuzat e fundit mbeten të kufizuara. Njësi të tëra janë zëvendësuar për shkak të drejtimit të keq, por ky është vetëm një fillim i vogël, nënvizoi Jane Lute: "Ajo që kemi arritur deri tani, nuk i afrohet aspak asaj që ne kemi planifikuar."


Ndaj është e rëndësishme , që edhe të tjera organizata siç është ajo "Safe the Children" të verifikojnë respektimin e normave të OKB-së. "Unë ashtu si edhe shtabi im për misionet ndërkombëtare të paqes nukkemi asnjë rezervë, jo vetëm që të verifikohemi, por në rast nevoje edhe të mbajmë përgjegjësi.", tha Lute.