1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bamir Topi: Reforma në drejtësi pa ndërhyrjet e politikës

Arben Muka20 Nëntor 2008

Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet me imponim nga klasa politike ka deklaruar Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi në një takim të përbashkët të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

https://p.dw.com/p/Fyfn
Presidenti Bamir TopiFotografi: AP

Me mandatin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, presidenti Bamir Topi, ka folur të enjten në Tiranë për reformën në drejtësi. I duhet prerë rruga ndërhyrjeve të politikës dhe interesave momentale, ka thënë ai. Presidenti ka vënë gishtin dhe tek e meta që është e dukshme në sistemin e drejtësisë, moskooperimi mes strukturave brenda sistemit. Ai ka bërë fjalë për realizimin e një reforme integrale, vizionare dhe komplekse, gjatë takimit të përbashkët mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejësisë dhe Gjykatës së Lartë.

Defekti në drejtësi: Moszbatimi i vendimeve të gjykatave

Presidenti Topi ka përmendur një nga aspektet me të dobëta të shoqërisë shqiptare, moszbatimin e vendimeve të gjykatave të çdo niveli, madje dhe kur ato janë të formës së prerë. "Në bazë të statistikave më të fundit që janë të azhornuara dalin se 3/5 e vendimeve të gjykatave, ose 8868 çështje nuk janë ekzekutuar, madje edhe kur vendimet kanë qënë të formës së prerë. Kjo është skandaloze", sipas presidentit Topi.

Zentrum von Tirana Albanien
TiranaFotografi: DW / Cama

"Nga informacionet që kam edhe në raste kur jepet vendimi i formës së prerë ka ndërhyrje nga institucionet për t'i trajtuar ato administrativisht. Ku është shteti në këtë mes?" Presidenti Topi i ka drejtuar apel të faktorëve të përfshirë të reagojnë me përgjegjësi.

Presidenti bëri referenca me treguesit e raportit të fundit të Komisionit Europian, ku flitet dhe për ecurinë e reformave në sistemin e drejtësisë. Sipas tij ky raport ishte realist dhe se krahas nxjerrjes së mjaft aspekteve pozitive është theksuar se vendi ka ende shumë punë për të bërë në plotësimin e objektivave madhore të anëtarësimit në NATO dhe në BE.