1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ballkani si portë sulmi për "IS"?

Në Ballkan jetojnë miliona myslimanë. Sipas medieve, ky rajon ndodhet gjithnjë e më fort në shënjestër të terroristëve islamikë. Por vlerësimet për shkallën reale të rrezikimit nuk janë të njëjta.

Pamje nga nje video e IS

Pamje nga nje video e IS

Historia e Ballkanit e 100 vjetëve të fundit është një kronologji e vetme e shtypjes së myslimanëve: këtë e pohon grupi terrorist "Shteti Islamik", propaganda e të cilit ka si objektiv edhe këtë rajon. Rrugëdalja e vetme në luftë kundër komunistëve, të ashtuquajturve "kryqtarë" ose hebrej vetëkuptohet që është xhihadi: në një video të prodhuar me kujdes, myslimanëve të Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë u bëhet thirrje të vrasin fqinjin "e pafe".

"Vendosni lëndë shpërthyese nën automjetet dhe shtëpitë e tyre. Hidhni helm në ushqimin e tyre, lërini të ngordhin", thërret një i ri me mjekër në gjuhën boshnjake. Terroristëve në video madje u kishin vënë edhe nofka, të cilat kanë të bëjnë me origjinën e tyre: Al-Bosni, Al-Albani, Al-Kosovi.

Teprim apo realiste?

Propaganda e plotësoi një objektiv të parë: të gjitha mediet rajonale raportuan me ditë të tëra se IS e ka vendosur Ballkanin veçanërisht në shënjestër. Por ky raportim i mediave është i dobishëm për ekstremistët, kritikon eksperti boshnjak i terrorizmit, Vlado Azinovic. "Vetëm në twitter, IS publikon çdo javë mbi 200.000 lajme të shkurtra. Të gjitha përmbajnë kërcënime të tilla në gjuhë të ndryshme. Prandaj është gabim të besosh se IS e ka mendjen thjesht në Ballkan," thotë Azinovic në bisedë me DW. Teorinë se pikërisht Ballkani paraqet një portë invazioni për xhihadistët, eksperti i terrorizmit e sheh si produkt medial dhe shprehje të "histerisë".

Edhe gazeta "Welt am Sonntag" raportoi se islamistët radikalë po ndërtojnë gjithnjë e më shumë rrjete në Ballkanin Perëndimor dhe se ofron "një lloj arsimi parashkollor për xhihadistët e ardhshëm". Sipas të dhënave të saj, gazeta këtë e ka mësuar nga qarqe gjermane të sigurisë: se situata është aq shqetësuese, sa ka qenë temë e strukturave parlamentare të Bundestagut dhe madje edhe e takimit më të fundit të G7-ës.

Filij Ejdus nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd nuk beson se IS do të themelojë tani qendër në Ballkan. Megjithatë ai druhet se terroristët do të kryejnë më me forcë atentate terroriste në Evropë. "Për shkak të mungesës së stabilitetit, Ballkani do të rezultojë shpejt si plaçkë e lehtë. Elitat politike duhet ta kuptojnë se pa një bashkëpunim të vendosur me demokracitë perëndimore nuk mund të ketë përgjigje ndaj kërcënimit global terrorist", tha Ejdus në bisedë me DW.

Nga mjerimi ekonomik në xhihad

Megjithëse mendimet e ekspertëve për përmasat e kërcënimit të IS në Ballkan nuk përputhen, një gjë është e sigurtë: në këtë rajon, "Shteti Islamik" rekruton shumë mbështetës. Sipas medieve, vetëm nga Kosova kanë shkuar në luftë për IS 250 meshkuj, një rekord në Evropë në raport me numrin e popullatës. Edhe Bosnjë-Hercegovina besohet se qendron në krye të listës së rekrutimit të xhihadistëve. "Bëhet fjalë shumicën e herëve për të rinj nga periferia ekonomike e shoqërisë, që nuk kanë shkollë dhe as përvojë pune", thotë Azinovic, që ka bërë kërkime për këtë temë i ngarkuar nga Iniciativa Atlantike.

Por të rinjtë radikalizohen jo vetëm prej gjendjes ekonomike të pasigurt në vendin e tyre, por edhe për shkak të "vuajtjes globale të komunitetit të identitetit të tyre", thotë Azinovic. "Ata shkojnë në zona të largëta lufte, të cilat më parë nuk do t'i kishin gjetur as në hartë - në një luftë, të cilën nuk e kuptojnë. Dhe të gjitha i bëjnë me besimin se po plotësojnë porosinë e Zotit."

Financim nga Gjiri Persik

Në luftën në Jugosllavi, në anën e boshnjakëve luftuan edhe muxhahedinë nga hapësira arabe. Pas largimit të tyre në rajon mbeti interpretimi i tyre radikal i fesë islame - dhe xhamitë e tyre mbështeten edhe sot financiarisht nga vendet e Gjirit Persik. "Ky interpretim i fesë shërben si frymëzim për "luftën e shenjtë". Megjithëse një pjesë e madhe e myslimanëve në Ballkan i kundërshton këto ide anticivilizuese, për fat të keq ato e gjejnë rrugën tek një pjesë e njerëzve", thotë eksperti beogradas Ejdus.

Kjo vlen edhe për Kosovën, konfirmon Ismail Hasani, sociolog i fesë nga Prishtina, në bisedë me DW. "Ka disa imamë, që janë shkolluar në Lindjen e Afërt dhe që propagandojnë një interpretim jo tradicional të fesë islame. Po këto variante radikale nuk gjejnë terren pjellor në Ballkan. Jam i bindur se këto interpretime shpejt do t'i përkasin së kaluarës", thotë Hasani. "Ka një paragjykim për Ballkanin: që njerëzit këtu mezi presin të vrasin fqinjin. Po këto kohë kanë kaluar." Për këtë Hasani është i bindur.

Në raportimin për propagandën e IS shpesh nuk përmendet një detaj: videoja e drejtuar myslimanëve të Ballkanit u xhirua vitin e kaluar - dhe shumë prej luftëtarëve të filmit ndërkohë kanë vdekur.