1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani perëndimor dhe anëtarësimi në BE: Hyrje individuale, apo rajonale?

16 Shtator 2011

Parlamenti Evropian mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes afrimit individual, në bazë të përgatitjes së tyre për anëtarësim. Por në qarkullim janë edhe idetë për afrim rajonal.

https://p.dw.com/p/12aVb
Përfaqësia e KE në Sarajevë
Përfaqësia e KE në SarajevëFotografi: DW

Mbrojtës i idesë së qasjes rajonale të BE ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor ose që këto vende t'i afrohen „në bllok“ Bashkimit Evropian është deputeti slloven, Jelko Kacin, raportues i Parlamentit Evropian për përparimin e Serbisë. Në debatin për Kosovën në Parlamentin Evropian ai argumentoi se „vetëm në këtë mënyrë mund të vendoset stabiliteti dhe prosperiteti“. Kacini është kontradiktor, sepse në një deklaratë për DW ka theksuar: „Unë në radhë të parë dëshiroj që të paktën një vend i Ballkanit perëndimor të ketë statusin e negociuesit. Ne nuk kemi asnjë përfitim, nëse Maqedonia ka prej gjashtë vjetësh statusin e kandidatit, pa datë dhe pa negociata për anëtarësim. Prandaj tani ne investojmë energji të mëdha që Mali i Zi të marrë një datë për negociata, me qëllim që gjithë Ballkani Perëndimor të mbetet në qendër të interesit të eurodeputetëve dhe institucioneve evropiane.“

Nëse Maqedonia deri në fund të muajit nuk gjen një lloj formule në mosmarrëveshjen me Greqinë lidhur me emrin e saj, Kacini mendon se duhet shtruar pyetja se çfarë kuptimi ka statusi si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Pozicioni i Kacinit përballet me kritika

Idetë e Kacinit nuk janë mjaft të qarta për disa nga kolegët e tij, sepse deri tani Parlamenti Evropian dhe gjithë BE kanë qenë për një qasje individuale të çdo vendi, duke u bazuar në ato, që ai ka arritur dhe duke këmbëngulur për bashkëpunimin rajonal. "Nuk e di se çfarë do të thotë me idenë e tij për një qasje rajonale, sepse secili vend ka problemet e veta, të cilat nuk mund të krahasohen me problemet e fqinjëve. Ne në Parlamentin Evropian gjithmonë kemi thënë se secili duhet të gjykohet nga meritat dhe përparimet e veta", tha për DW europarlamentarja gjermane, Doris Pack, e cila e njeh Ballkanin Perëndimor më mirë se shumica e deputetëve në Parlamentin Evropian.

Ajo ështe më tepër e shqetësuar që zgjerimi i BE të mos vihet në plan të dytë për shkak të krizës, me të cilën përballet Bashkimi Evropian:

"Kriza ekonomike është një gjë, por në qoftë se lihet pas dore politika e mbrojtjes së mjedisit, arsimi, apo zgjerimi e Bashkimit Evropian, kjo nuk do t'i shërbejë askujt. E nevojshme është të punohet për të zgjeruar dhe për të ndihmuar vendet e rajonit, secili sipas nevojave të tij. Tashmë është e qartë se Kroacia do të bëhet anëtare, por nuk shoh që së shpejti të gjeni një vend tjetër tek dera e BE-së. Prandaj ato duhen ndihmuar, që të afrohen, sepse kjo do te zgjasë shumë, shumë më tepër se sa disa politikanë i thonë popullsisë," vë në dukje Doris Pack.

Autor: Toni Glamceski/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi