1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ballkani në paqe përmes integrimit ekonomik?

Jo vetëm tone nacionaliste, por edhe një retorikë tjetër po dëgjohet gjithnjë e më shumë në Ballkan. Ajo e tregut të përbashkët rajonal si garant për mirëqenie e paqe. Për BE ky projekt ka një rëndësi të veçantë.

Vetëm para pak më shumë se një muaji kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan deklaratën e përbashkët për krijimin e një hapësire të vetme ekonomike në Ballkanin Perëndimor (16.03.) Synimi është nxitja e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve dhe ndërtimi i një tregu të përbashkët, që përfshin qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, lëvizjen e lirë të forcës së kualifikuar të punës dhe një hapësirë dinamike investimesh.

Shanse për të gjithë

Për BE është mjaft i rëndësishëm krijimi i tregut të përbashkët, sepse unioni e sheh atë si pararojë të integrimit europian. Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për zgjerimin e fqinjësinë, theksoi në një intervistë për Deutsche Wellen në këtë kuadër, se "ekonomia është e para që sjell progres në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor”.

Megjithëse jo të gjitha vendet e Ballkanit janë të bindura për këtë treg të përbashkët, Johannes Hahn i inkurajon të gjithë, që të bëhen pjesë e tij, sepse sipas tij, "edhe skeptikët duhet ta kuptojnë, se ai është në interes të tyre." Në skenarin më të mirë nga krijimi i tregut të përbasshkët rajonal do të krijohen më shumë se 80.000 vende të reja pune në rajon deri në vitin 2025, shpreson Hahn. Ekipet e vendeve të rajonit po punojnë ndërkohë për të çuar përpara këtë idenë e tregut të përbashkët. Samiti i Triestes në kuadër të procesit të Berlinit në korrik të këtij viti do të tregojë, se sa sukses do të ketë ky bashkëpunim.

EU - Erweiterungskommissar Johannes Hahn (DW/A. Feilcke)

Johannes Hahn

Turizmi si motor bashkëpunimi

Edhe Shqipëria është e interesuar për projektin e tregut të përbashkët, por i kushton mjaft vëmendje turizmit në këtë drejtim. Milva Ekonomi, Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes është shprehur në kuadër të Panairit Mesdhetar të Turizmit që u zhvillua në mesin e Prillit në Tiranë, se Procesi i Berlinit për forcimin e bashkëpunimit rajonal si parakusht për shpejtimin e ritmeve të procesit integrues në BE për vendet e BP përfshin edhe Turizmin, që përbën një sektor prioritar në rritjen ekonomike të rajonit.

"Ballkani i dalë nga luftërat, është tani në paqe dhe siguri dhe ka një shans unikal për t'i treguar botës një rajon të paeksploruar, që mendon të ketë një zhvillim të përbashkët drejt BE. Në sajë të Procesit të Berlinit gjithë rajoni është përfshirë në atë që quhet projekt i ndërlidhjes ballkanike, ku synojmë të hapim kufinjtë tregtarë, kufijtë rrugorë dhe energjitikë për të nxitur zhvillimet ekonomike.

Milva Ekonomi, (DW/A.Ruci)

Milva Ekonomi

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ikonomi thekson se në kuadër të deklaratës së përbashkët, do të rritet edhe bashkëpunimi në fushën e turizmit në rajon. Ajo përmend projektet e GIZ për të ndërtuar atë që quhet „Piku i Ballkanit" që lëvizë mes tre vendeve, Shqipëri - Kosovë - Mali i Zi. Shumë operatorë turistike në rajon ofrojnë paketa turistike që përfshijnë disa shtete: Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri”, thotë Ekonomi. Nëse ekonomia mund të ndihmojë përmirësimin e marrëdhënieve në rajon, këtë do ta tregojë e ardhmja, por e rëndësishme është që një rrugë e re ka filluar - konkretizimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit.