1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ballkani në paqe dhe siguri - shans unikal për treg të përbashkët

Panairi Mesdhetar i Turizmit në Tiranë - hap i parë për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Hapen shansa të reja.

Ballkani Perëndimor (BP) dhe rajoni i Mesdheut i janë bashkuar nismës së Kombeve të Bashkuara që ka shpallur këtë vit, Vitin Ndërkombëtar të Turizmit të Qëndrueshëm për Zhvillim (TQZH) për t'i dhënë impulse të reja bashkëpunimit rajonal në fushën e turizmit të nxitur fuqishëm nga Procesi i Berlinit. Panairi Mesdhetar i Turizmit, i hapur për herë të parë në Tiranë, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, synoi të forcojë bashkëpunimin rajonal për një turizëm të qëndrueshëm. Brian J. Williams, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, i ftuar në këtë panair, prezantoi konceptin e Kombeve të Bashkuara për TQZH.

"Turizmi i Qëndrueshëm për Zhvillim e sheh industrinë  e turizmit të lidhur jo vetëm me potencialet ekonomike por edhe i bashkon këto potenciale me ato sociale dhe mbrojtjen e mjedisit në terma kohorë afatgjatë. Kjo do të thotë kontribut i turizmit për të ulur varfërinë dhe rritur mirëqënien në komunitetet lokale, angazhimin e grave në tregun formal të punës në sektorin e turizmit dhe agro-turizmit lokal dhe rajonal. TQZH lidhet me ruajtjen e mjedisit, trashëgimisë historike dhe kuturore, zonave të mbrojtura pra frenimin e rritjes ekonomike që nuk mbron mjedisin”, theksoi  Brian J. Williams

Ballkani Perëndimor shans unikal për t'iu shfaqur botë

Në Panairin Mesdhetar të Turizmit morën pjesë 6 vende të BP, mes tyre edhe Italia dhe Greqia. 20 subjekte turitike, zyrat turistike të 30 bashkive të Shqipërisë, në 72 stendat e tyre ekspozuan produktet turistike që u ndoqën nga 2500 vizitorë dhe ofruan mundësi të shumta për bashkëpunm. Milva Ekonomi, Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes tha se Procesi Berlinit për forcimin e bashkëpunimit rajonal si parakusht për shpejtimin e ritmeve të procesit integrues në BE për vendet e BP përfshin edhe Turizmin, që përbën një sektor prioritar në rritjen ekonomike të rajonit.

Milva Ekonomi, (DW/A.Ruci)

Milva Ekonomi

"Ballkani i dalë nga luftërat, është tani në paqe dhe siguri dhe ka një shans unikal për t'i treguar botës një rajon të paeksploruar, që  mendon të ketë një zhvillim të përbashkët drejt BE. Në sajë të Procesit të Berlinit gjithë rajoni është përfshirë në atë që quhet projekt i ndërlidhjes ballkanike, ku synojmë të hapim kufinjtë tregëtarë, kufinjtë rrugorë dhe energjitikë për të nxitur zhvillimet ekonomike. Muajin e kaluar në Samitin e Sarajevës vendet e BP nënshkruan paktin për krijimin e tregut të përbashkët rajonal përfshirë e dhe sektorin e Turizmit. Synojmë të konkretizojmë projektet dhe idetë e Procesit të Berlinit, të paraqitura në samitet e Vjenës, Parisit dhe të përgatitemi për samitin e Triestes - në korrik të këtij viti. Synojmë të rrisim bashkëpunimin për të rritur dhe diversifikuar produktet turistike rajonale, dalë në tregun botëror të Turizmit global si treg i përbashkët.

Aktualisht kemi dy produkte turistike ballkanike: Via Egnatia dhe Via Dinarica, të cilat lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor në një tur të vetëm. Janë dhe projektet e GIZ për të ndërtuar atë që quhet „Piku i Ballkanit" që lëvizë mes tre vendeve, Shqipëri- Kosovë-Mali i Zi.  Shumë operatorë turistike në rajon ofrojnë paketa turistike që përfshijnë disa shtete: Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri”, thotë Ekonomi.

Ballkani si rajon në Panairin e sivjetëm të Turizmit në Tokio

Lejla Krsteska, Drejtore e Agjensisë për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit në Maqedoni, prezantoi idetë e një produkti të përbashkeët rajonal për turistë nga Azia.

"Askush nga Azia dhe kryesisht nga Japonia nuk vjen nga kaq larg në Ballkan për të vizituar një vend të vetëm. Por vjen nëse viziton gjithë rajonin që ofron paketa të përbashkëta turistike me qëndrim në bregdetin e Shqipërisë, qytetet nën mbrojtjen e UNESCO-s, në malet e Malit të Zi, atraksionet turtistike të Serbisë etj. Në panairin e turizmit në Tokio, sivjet po përgatitemi të marrim pjesë si rajon dhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i  Zi, Serbia, Bosnjë – Hercegovina do të prezantojnë produktet e përbashkëta tutristike si një treg i vetëm rajonal”, thaLejla Krsteska. 

Mundësi për të paraqitur realisht rajonin që ende ka imazh të deformuar

Arbër Muhaxhiri, përfaqësues i Kosovës, i ftuar në Panairin Mesdhetar tëTurizmit në Tiranë, e vlerëson bashkëpunimn rajonal në një drejtim tjetër: atë të paraqitjes reale të një rajoni në paqe dhe siguri, i vendosur të ecë përpara në rrugën e integrimit europian.

"Mos të harrojmë që BP në mendjen e turistëve nga vende të ndryshme të botës është akoma si në vitin 1990! Ata e mendojnë rajonin ende në luftë, pa stabilitet dhe siguri. Është koha që me produkte turistike të përbashkëta të ndryshojmë këtë imazh të  deformuar. Të udhëtosh dhe shikosh nga afër rajonin, mund të kuptosh sesa i gabuar është imazhi kur vendet e tij i sheh nga jashtë",  tha Muhaxhiri.

Turizmi në Shqipëri - hop cilësor

Bashkëpunimi rajonal në kuadër të procesit të Berlinit, paqja, stabiliteti në rajon dhe reformat i kanë dhënë hov zhvillimit të turizmit në vitet e fundit. Në Shqipëriturizmi hyri këtë vit me një kontribut prej 7 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe punësimin e 24 %  të forcës totale të punës në Shqipëri. Shqipëria sipas World Trade Tourism Center, renditet tani në vendin e 4 në botë për nivelin e punësimit në sektorin e turizmit. Vetëm vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan më shumë se 4 milionë e 700 mijë turistë, që përbën një rritje prej 15 % në krahasim me vitin e mëparshëm. Turizmi në vitin e kaluar i solli ekonomisë 1.5 miliard euro të ardhura, që është një rritje prej 38% krahasuar me 2013 dhe 13% krahasuar me 2015.

Qëndrimi mesatar i turistëve në 2016 u rrit në 6.3 ditë në 2016, nga 5.3 ditë sa ishte në 2015. Këta tregues e ngritën pozicionin e Shqipërisë me 8 pikë në Indeksin e Konkurrueshmërisë në sektorin e turizmit dhe udhëtimeve, në raportin e botuar së fundmi të World Economic Forum dhe ku Shqipëria bën pjesë në 15 vendet që kanë bërë progres në fushën e turizmit. Shqipëria është prezantuar gjatë vitit të kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti në më shumë se 15 panaire ndërkombëtare dhe rajonale nga të cilat kemi kuptuar se ka atraksione të shumta turistike për t'u zbuluar nga vizitorët e huaj në Shqipëri dhe rajon.