1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ballkani në BE si rajon i tërë

Ç'pret lidhur me politikën e jashtme politikani liberal dhe eksperti për Ballkanin Rainer Stinner prej ministrit të ri Punëve të Jashtme, i cili pritet të jetë nga radhët e partisë së tij.

Rainer Stinner

Rainer Stinner

DW: Zoti Stinner, partia juaj së shpejti do të ketë në dorë Ministrinë e Jashtme. Sa do të ndryshojë politika gjermane në lidhje me vendet e Ballkanit?

Stinner: Për politikën e jashtme ekziston një konsenus i madh tek të gjitha grupet parlamentare. Nuk llogarisim me ndonjë ndryshim thelbësor as në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian e as në atë kundrejt Ballkanit.

DW: Unioni më parë është shprehur që pas Kroacisë të bëhet një pauzë zgjerimi. Çfarë qendrimi kanë këtu liberalët?

Stinner: Ne qendrojmë pas deklaratave të Selanikut për perspektivën evropiane. Procesi mund të zgjasë disa vjet, por perspektiva është që vendet ballkanike një ditë duhet të hyjnë në Bashkimin Evropian. Por nuk mund të përcaktoj një shinë kohore. Kjo nuk do të kishte kuptim.

DW: Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, që nuk përmendet në deklaratat e zgjerimit, ndërkohë që Serbia është më afër anëtarësimit në BE. Cili është mendimi i liberalëve për këtë çështje?

Stinner: Ne tani jemi një ditë pas zgjedhjeve dhe nuk e kemi gati programin e qeverisë. Por Kosova duhet t'i afrohet Evropës, ne e mbështesim atë. Serbia është rrugës për në Evropë. Ne këtë sigurisht që e mbështesim por edhe ngulim këmbë që Serbia t'i përmbushë të gjitha kriteret dhe kur ta ketë bërë këtë do të përpiqemi ta fusim të gjithë rajonin në Evropë.

DW: A duhet të hyjë edhe Turqia në Bashkimin Evropian?

Stinner: Sa i përket çështjes së Turqisë qendrimi i liberalëve ka qenë gjithnjë i qartë. Ne filluam me negociatat të cilat janë të hapura, tani po presim procesin e negociatave. Kur të përfundojnë ato do të vendoset se a mjafton kjo apo jo dhe se si do të shkohet më tutje me Turqinë. Por ky do të jetë një proces, që do të zgjasë disa vjet.

DW: Meqë ju nuk doni të ndryshoni asgjë, a jeni të kënaqur me politikën e jashtme që ka bërë Frank Walter Steinmeier?

Stinner: Në vija të përgjithshme ne do ta vazhdojmë politikën e Steinmeierit. Ne e kritikojmë zotin Steinmeier, sepse ai është angazhuar shumë pak konkretisht për politikën e çarmatimit, ne kritikojmë qeverinë e deritanishme, sepse ajo ka arritur shumë pak ndikim gjerman në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në këtë drejtim presim impulse të reja. Por në vija të trasha, të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament, t'i lëmë mënjanë të majtët, ndjekin të njëjtën linjë në politikën e jashtme.

Intervistoi: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JrJ9
  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JrJ9