1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ballkani më i sigurt se Evropa Perëndimore?

Vrasja amok në Serbi e 13 personave para disa ditësh dhe vdekja e atentatorit kanë hapur debatin për sigurinë, në vendet e Ballkanit. Por a është niveli i dhunës në Ballkan më i lartë se në Evropë?

Atentatori i masakrës së 13 personave në fshatin Veliko Ivançe të Serbisë vdiq edhe vet të martën (09.04.2013) nga pasojat e përpjekjes për vetëvrasje. Kjo vrasje në amok, ka bërë që shumë media në Serbi dhe në Perëndim, të shkruajnë për nivelin e sigurisë në vendet e Evropës Juglindore dhe predispozitën për dhunë në këto vende. Gazeta e Zvicrës "Neuer Zürcher Zeitung" e krahason nivelin e gatishmërisë për dhunë në vendet ballkanike me atë në vendet perëndimore, pasi shumë qytetarë të Serbisë kanë përshtypjen se jetojnë në një shoqëri shumë të presidpozuar për dhunë.

"Por pavarësisht nga përshtypja e përgjithshme, vrasjet me armë zjarri në Perëndim dhe në vendet e tjera evropiane janë më të shpeshta se sa në vendet e ish-Jugosllavisë", shkruan gazeta.

Sipas hulumtimeve të fundit, në Serbi ekziston një sasi e madhe e armëve tek personat civil, gjë që mund të shpjegohet edhe me faktin se ky vend ka kaluar gjatë viteve 90-të nëpër periudha të shumta luftrash. Në 100 persona në Serbi 38 posedojnë ndonjë arme, që do të thotë se për nga niveli i armatimit ky vend renditet i pesti në botë, konstaton "Small Arms Survey", nga Gjeneva. E megjithatë numri i vrasjeve në 100.000 banorë është "vetëm" 1,2 vetë. Kjo do të thotë se Serbia është sa i përket nivelit të vrasjeve në të njëjtën shkallë me Britaninë e Madhe, Francën apo Holandën. Niveli më i ulët i vrasjeve në vendet e ish-Josllavisë është në Slloveni me 0.7, ndërsa më i larti në Mal të Zi me 3,5 vrasje në 100.000 vetë.

Por autoritetet ndërkombëtare dhe mediat paralajmërojnë se në këto vende shpesh nuk mund të bëhen matje të sakta të kriminalitetit, për shkak të mungesës së të dhënave të sakta.

Edhe më befasuese janë të dhënat e një studimi të Zyrës së OKB-së për Droga dhe Kriminalitet, sipas së cilave "niveli i plaçkitjeve, vjedhjeve dhe tentativave për plaçkitje është disa herë më i ulët në vendet e Ballkanit, se sa në vendet perëndimore".

Në këtë studim shtrohet edhe pyetja nëse kriminelët nga Ballkani kanë ikur në vendet perëndimore dhe e kanë shtuar atje nivelin e kriminalitetit. Por, sipas këtyre burimeve, as kjo nuk është e vërtetë, sepse "në burgjet e vendeve perëndimore është në rënie numri i të burgosurve me origjinë nga vendet e Evropës Juglindore.", shkruan "Neue Zürcher Zeitung"