1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani dhe programi qeveritar

11 Nëntor 2009

Parlamenti gjerman debatoi të martën edhe për politikën e jashtme e të sigurisë. Deputetët e opozitës e kritikuan ministrin e jashtëm Guido Westerwelle ndër të tjera edhe për mospërmendjen e vendeve të Ballkanit.

https://p.dw.com/p/KTwv
Vestervele foli për vazhdimësi në politikën e jashtme dhe të sigurisë, pa përmendur Ballkanin
Vestervele foli për vazhdimësi në politikën e jashtme dhe të sigurisë, pa përmendur BallkaninFotografi: AP

"Nuk ka vende të vogla në Evropë"

Fjalimi i parë programatik i ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, ishte relativisht i shkurtër dhe parimor. Politikani liberal foli për vazhdimësi në politikën e jashtme dhe të sigurisë, në marrëdhëniet me Francën, Gjermaninë dhe Poloninë, ato transatlantike dhe në politikën evropiane, duke e vënë theksin tek vendet e vogla.

“Nuk ka vende të vogla në Evropë. Respekti para të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian duhet dhe do të karakterizojë politikën time,” premtoi ministri i ri, duke parasysh këtu më shumë anëtarët e vjetër të Bashkimit Evropian, si Holandën, Belgjikën, Luksemburgun.

Zgjerimi i BE-së përmendet vetëm përciptazi

Pikërisht mungesën e fokusimit ndaj vendeve të lindjes dhe Rusisë e kritikoi Gernot Erleri, ish-ministri i shtetit për Evropën, i cili në legjislaturën e tanishme është në radhët e opozitës.

Erleri kritikoi ndër të tjera edhe faktin që në marrëveshjen e koalicionit zgjerimi i BE-së përmendet vetëm përciptazi, pa folur konkretisht se për cilat vende bëhet fjalë. “Ky ndryshim në (politikën e jashtme), jo vetëm që po ndiqet me shqetësim në vendet e Ballkanit, por është edhe i rrezikshëm”, tha politikani socialdemokrat dhe shtoi: “Ju mbani përgjegjësi të plotë për pasojat e tij në Ballkan.”

Kristdemokrati Andreas Schockenhoff e mori në mbrojtje politikën e rezervuar të qeverisë aktuale ndaj zgjerimit të BE-së: “Përvoja e keqe me hyrjen e parakohshme të Bullgarisë dhe Rumanisë na paralajmëron se duhet të jemi më në dijeni për gjendjen e kandidatit, para se të marrim vendim për pranimin e tij”, tha ai. Schockenhofi përshëndeti faktin, që ministri i jashtëm Guido Westerwelle nuk është dorëzuar para presionit të kryetares së radhës së BE-së, Suedisë, për t'u pozicionuar në lidhje me Maqedoninë dhe Islandën.

Politikën ndaj Ballkanit e kritikoi edhe deputeti i Të Gjelbërve, Fritjof Schmidt. “Ku janë iniciativat për t'i ofruar një të ardhme shteteve pasardhëse të ish-Jugosllavisë që janë ende të tronditur nga lufta?”, u ankua ish-deputeti i Parlamentit Evropian.

Vetëm Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg i përmendi vendet e Ballkanit, sidomos Kosovën, në kuadër të bilancit të angazhimit të deritanishëm të trupave gjermane në botë. Ai e vlerësoi pozitivisht reduktimin e trupave gjermane: “Në Kosovë ne arritëm të krijojmë një shtet të ri në rrugë paqësore, që ende është i varur nga ndihmat dhe ka një rrugë shumë të gjatë përpara, por sukseset tona të atjeshme na kanë mundësuar uljen e pranisë ushtarake”, tha zu Guttenberg.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi