1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ballkani boshti i kriminalitetit të organizuar përtej kufijve

Në territorin e ish -Jugosllavisë para dhe gjatë luftës së viteve 90-të shërbimet sekrete shtetërore i përgatisnin kriminelët ordinerë për vrasës dhe plaçkitës. Kur luftimet përfunduan, mbetën lidhjet.

Njësi speciale e policisë anti-krim SIPA në Sarajevë, Bosnje - Hercegovinë. 10.09.2009

Njësi speciale e policisë anti-krim SIPA në Sarajevë, Bosnje - Hercegovinë. 10.09.2009

Në Paris nga data 12. deri më 13.11. përfaqësues të qeverive dhe ekspertë diskutuan për metodat për luftimin e kriminalitetit në kufijtë ndërmjet vendeve. Një vend të veçantë zë këtu Ballkani.

Afro 80 tonë heroinë, sipas studimit të fundit të OKB-së, vijnë çdo vit nga shtetet që e mbjellin opiumin në Azinë Qendrore, përmes impianteve të prodhimit në Lindjen e Mesme nëpër Ballkan pastaj në Evropë. Oliver Erdmann, komisar i departamentit për drogën nga Hamburgu, tregon rrugën e drogës nga portet e Detit të Zi në BE. „Sigurisht rruga e Ballkanit luan një rol të madh në tregtinë e drogës. Përsa i përket heroinës shumë vjen nga Afganistani dhe Turqia, pra nga vende që e mbjellin dhe e prodhojnë, dhe pastaj përmes Ballkanit në Evropën Perëndimore." - shpjegon Erdmann.

Policia vepron - kontrolle dhe arrestime në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci

Komisari Erdmann këshillon që prej dy vjetësh në kuadër të misionit policor të BE-së kolegët e tij në Sarajevë. Ai është i kënaqur, këtë vit në kryeqytetin e Bosnjë-Herzegovinës ka patur shumë kontrolle, gjatë të cilave njësi speciale të armatosura rëndë të SIPA-s, arrestuan disa dhjetëra anëtarë të bandave të rrezikshme kriminale dhe mundën të mbledhin dëshmi. Në të njëjtën kohë pati arrestime të bosëve rajonalë të mafies dhe të ndërmjetësve të tyre në Serbinë dhe Kroacinë fqinje. „Duhet thënë se kohët e fundit bashkëpunimi ndërkombëtar është përmirësuar. Ka relativisht shumë procese internacionale, ku janë të përfshirë shtetet fqinje, por edhe shtetet e Evropës Perëndimore. Ne kemi një proces, ku bënin pjesë Gjermania, Italia dhe Sllovenia." - thotë Erdmann.

Ky bashkëpunim është forcuar prej një viti me këmbënguljen e BE-së dhe po sjell ndërkohë frytet e para, thotë Tobias Flessenkemper. Ai është nga Këlni dhe punon si këshilltar politik në misionin policor të BE-së në Bosnjë.

„Kualifikimi profesional i policisë është shumë i mirë. Ne shohim një proces të ngadaltë dhe një vullnet nga ana e politikës për të krijuar kushtet. Por nuk duhet besuar, se problemi i kriminalitetit zgjidhet. Ai duhet menaxhuar më mirë! Dhe kjo është një detyrë e përbashkët.“ - shpjegon Flessenkemper.

Bashkëpunimi rajonal ende nuk përfshin të gjitha vendet

Aktualisht bashkëpunimi i policisë dhe i drejtësisë në rajon kufizohet shumicën e rasteve në Serbi, Kroaci dhe Bosnje - Herzegovinë. Para pak kohësh në Beograd dhe Zagreb u akuzuan zyrtarisht në të njëjtën kohë dy vrasës të porositur për rastin e Ivo Pukaniq.

Ndër të dyshuarit për vrasjen e Pukaniqit është edhe Joca Amsterdam, i cili gjendet nën arrest në Beograd. Dyshohet se për këtë atentat dhe atentatet tjera janë ndarë një milion e gjysëm euro, por ende nuk dihet se kush është organizatori kryesor i vrasjes. Një pjesë e këtyre parave duhet të ishte planifikuar për vrasjen e ministres serbe të Drejtësisë, sepse kjo i ka hapur rrugën një ligji kundër mafias. Atentati u pengua – një lehtësim edhe për gjykatën e posaçme për kriminalitetin e organizuar. Gjykatësja Maja Kovacevic-Tomic shpjegon: „Tani zhvillohen hetime edhe për aspektin financiar, jo vetëm për përfitimin nga krimi, i cili trajtohet nga gjykata, por për të shqyrtuar të gjithë pasurinë e personit të akuzuar. Të gjitha të ardhurat kontrollohen. N.q.s. ka një mospërputhje ndërmjet të ardhurave dhe pasurisë, urdhërohet shpronësimi. Prokuroria presupozon se pasuria rrjedh nga burime kriminale."

Çelësi për sukses janë dëshmitarët

Që prej një viti paralelisht me raportet për suksese ndërrajonale të policisë në Ballkan, ka edhe njoftime për të vdekur dhe të plagosur në betejat e vogla ndërmjet bandave. Krimi i organizuar e ndjen vetën të goditur pikërisht nga bashkëpunimi i sigurisë ndërkombëtare mendon në Beograd gjykatësja Kovacevic-Tomic: „Atij është shumë e vështirë t'ia gjesh gjurmët. Kriminaliteti i organizuar depërton në të gjitha strukturat e shoqërisë. Ai mbrohet nga pjesë të shtetit, drejtësisë dhe të policisë. Çelësi për sukseset e hetimeve është dëshmitari. Dikush nga ky terren, që është i gatshëm të flasë."

Autor: Filip Slavkovic / Angelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani