1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ballkani "biznes i papërfunduar" për NATO-n përderisa rajoni nuk ka mbaruar proceset integruese euro- atlantike

Stefanie Babst, zv. Asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Divizionin e Diplomacisë Publike, thotë për DW: Nuk ka rënie të interesit të aleancës për Ballkanin.

Stefanie Babst, zv. Asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Divizionin e Diplomacisë Publike

Stefanie Babst, zv. Asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Divizionin e Diplomacisë Publike

Për NATO-n Ballkani mbetet një "biznes i papërfunduar" përderisa rajoni nuk ka mbaruar proceset integruese euro- atlantike, shprehet në intervistë për programin shqip të Deutsche Welle-s Stefanie Babst, zv. Asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Divizionin e Diplomacisë Publike. Ajo thekson se nuk ka rënie të interesit të aleancës për rajonin dhe se NATO-ja do të qëndrojë me trupa në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme për të garantuar atje siguri dhe stabilitet.

DW: Znj. Babst, cilat janë marrëdhëniet e NATO-s me Ballkanin Perëndimor? Çfarë pret NATO nga ky rajon?

Stefanie Babst: NATO është e angazhuar në këtë rajon , siç e dini, prej më tepër se dhjetë vitesh. Shumë vende të rajonit, në vitet e fundit, kanë ardhur më pranë NATO-s dhe kanë filluar të bashkëpunojnë intensivisht me Aleancën. Ne e shohim rajonin si pjesë të familjes së madhe të NATO-s dhe do të dëshironim shumë ta shihnim të përfunduar, le të them, biznesin, shprehje kjo që nënkupton përfundimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Jugor në familjen e NATO-s.

DW: A mund të thoni, ju lutem znj.Babst se çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Stefanie Babst: Kjo në praktikë do të thotë që ne po presim me padurim të shohim progres në Bosnjë- Hercegovinë, që ajo të bëhet anëtare e planit të veprimit për anëtarësim. Ndërkohë NATO ka lidhje shumë të ngushta me Malin e Zi, që ka shprehur interes për të qënë anëtar i Aleancës Atlantike. Kemi konstatuar me kënaqësi që Mali i Zi ka bërë përpjekje të sukseshsme për të plotësuar kriteret e pjesëmarrjes në planin e veprimit për anëtarësim. NATO po e mbështet Malin e Zi të kryejë reformat në sektorin e mbrojtjes. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen do të bëjë një vizitë në Malin e Zi, në fund të këtij muaji, dhe do të zhvillojë bisedime në Podgoricë me autoritetet e qeverisë malazeze.

Kjo vizitë është pjesë e angazhimit të Aleancës Atlantike për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dëshiron që të dërgojë përsëri mesazhin e gadishmërisë për të bashkëpunuar me vendet e rajonit.

Serbia është natyrisht një vend i rëndësisëhm për NATO-n, i cili ka intensifikuar marrdhëniet me aleancën, muajt e fundit, pas pranimit të Planin e Parë të Partnershipit Individual . Pas dy javësh Serbia do të jetë vendi pritës ku NATO do të organizojë në Beograd një seminar të rëndësishëm lidhur me sigurinë trans- atlantike por edhe rajonale. Mesazhi ynë është që NATO dëshiron që Serbia të bëhet një anëtare me të drejta të plota në NATO dhe se mirëpret çdo hap nga qeveria e Beogradit për të intensifikuar bashkëpunimin.

Lidhur me Kosovën, KFOR- i është i pranishëm atje dhe do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa do të duhet për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin. Edhe pse NATO po rishikon me shumë kujdes praninë e saj ushtarake në Kosovë, Aleanca Atlantike është e mendimit se Kosova ka ende nevojë për një angazhim ushtarak në vazhdim për t'u siguruar vërtet që në Kosovë ka siguri dhe stabilitet. Pra NATO do të vazhdojë të ketë në Kosovë prani ushtarake dhe do të mbështesë të gjitha aktivitetet e ndërrmara nga Forcat e Sigurisë së Kosovës për të qenë të sigurtë, që këto forca janë në gjendje të plotësojnë misionin e tyre.

Për Maqedoninë kemi parë me kënaqësi që qeveria e Shkupit ka treguar interes të bashkëpunojë me NATO-n dhe aplikimi për të marrë pjesë në planin e veprimit për anëtarësim ka mbetur pezull për shkak të çështjes së emrit, që për fat të keq nuk është zgjidhur ende. Është vështirë të shpjegohet pse dy qeveritë: ajo e Shkupit dhe e Athinës nuk arrrijnë një kompromis lidhur me emrin e ish-Republikës Federative Jugosllave të Maqedonisë. Nëse e shohim Ballkanin Perëndimot nga pikpamja strategjike atëhere kjo ish-republikë do të jetë pjesë e familjes së zgjeruar të NATO-s në të ardhmen. Por kushtet nuk janë plotësuar dhe tani topi nuk është në fushën e NATO-s por në atë të Shkupit dhe të Athinës, që po bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur një kompromis lidhur me emrin. Por NATO është e pranishme në Maqedoni duke mbështetur çdo aktivitet që lidhet me reformat në sektorët e mbrojtjes dhe të sigurisë. NATO nuk qëndron jashtë këtij procesi por përpiqet të jetë aktive dhe përfshihet sa më shumë që të jetë e mundur.

DW: Si dhe sa e ka përligjur Shqipëria pranimin që prej dy vitesh, si anëtare me të drejta të plota në NATO?

Stefanie Babst: Për kohezionin e Aleancës Atlantike është e rëndësishme që të gjithë anëtarët e saj të kontribuojnë. Shqipëria po jep kontribut të rëndësishënm në operacionet e NATO-s në Afganistan, po mbështet në mënyrë aktive operacione të tjera në Mesdhe, Shqipëria është në këtë kuptim po kaq e rëndësishmë sa të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s. Aleanca Atlantike dëshiron të jetë e sigurtë që kapacitetet e saj luftarake dhe trupat angazhohen në operacionet e saj shumë të rëndësishme. Dhe kontributi i Shqipërisë është vlerësuar lart nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen. Ndërkohë NATO inkurajon Shqipërinë dhe vendet e tjera të zhvillojnë më tej kapacitetet e tyre të mbrojtjes. Ky nuk është vetëm një problem i Shqipërisë, por edhe i vendeve të tjera anëtare , që vitet e fundit kanë ndërrmarë reforma në Forcat e Armatosura lidhur me modernizimin e tyre, reduktimin e numrit të ushtarëve etj. por në fund të fundit të gjitha vendet aletate duhet të kontribuojnë në operacionet e NATO-të tila si ai në Libi. Pra Shqipëria dhe vendet e tjera duhet ta sigurojnë NATO-n që në planet e tyre kombëtare të mbrojtjes të lënë hapësira për burime financiare që lejojnë investime për modernizimin e forcave të armatosura dhe rritjen e aftësive të tyre.

DW: Znj. Babst, më lejoni të kthehem sërish tek ajo që ju thatë në krye të kësaj interviste se për NATO-n "Ballkani është një biznes i papërfunduar": Por vëmendja e Aleancës, siç e tregoi edhe takimi i Ministrave të Mbrojtjes, javën e kaluar në Bruksel, tani është përqëndruar tek operacioni i NATOs në Libi, marrdhëniet e NATO-s me Rusinë, situata në Afganistan. Ballkani Perëndimor nuk ishte pjesë e axhendës. A ka një lloj ulje, qoftë edhe të përkohshme, të interesit të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor?

Stefanie Babst: Askush nuk duhet të mendojë që NATO po ul interesin e saj në Ballkanin Perëndimor. Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një rajon fqinjë por edhe pjesë e familjes euro- atlantike. Prandaj NATO do të vazhdojë t'i kushtojë vëmendje politike dhe strategjike, për t' u siguruar që rajoni po vjen më pranë NATO-s dhe do të integrohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky është kuptimi i shprehjes "Ballkani është një biznes i papërfunduar".

Nuk do ta përshkruaja situatën në Ballkan me ngjyra rozë. Ka probleme me korrupsionin, trafikun e qenieve njerëzore, progres shumë të ngadalshëm në reformat e sektorit të sigurisë, etj.. Ne nuk po i tregojmë me gisht këto mangësi por dëshirojmë të bashkëpunojmë në partneritet të plotë për t'i zgjidhur këto probleme, por në fund të fundit janë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që duhet të merren me to."

Intervistoi Ani Ruci

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora