1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ballkan - Bavari dhe sërish kthim në Ballkan

Në një ish-kazermë në Ingolstadt do të strehohen 1500 refugjatë. Kjo qendër shërben enkas për azilkërkues nga Ballkani, të cilët nuk kanë asnjë perspektivë për të qendruar në Gjermani. Synimi janë procedurat e shpejta.

Gjatë hapjes së strehimores së re nuk pati as shirit dhe as gërshërë për inagurimin e saj - kjo me sa duket për shkak të mungesës së kohës, gjithçka duhej mbaruar shpejt. Të martën (01.09) ministrja e Bavarisë për Çështjet Sociale Emilia Müller hapi në Manching pranë Ingolstadt qendrën e parë në Gjermani enkas për pranimin e refugjatëve nga të ashtuquajturit vende të sigurta origjine. Në ish-kazermën Max këtej e tutje do të strehohen 500 refugjatë nga Europa Juglindore.

Kjo qendër pranimi është ndërtuar enkas për njerëzit, që nuk kanë shanse t'u njihet kërkesa e azilit në Gjermani, thuhet në deklaratën e shtypit të ministrisë së landit. Fjala është për azilkërkuesit që vijnë nga Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia. Qeveria e landit të Bavarisë do të preferonte që në listën e vendeve të sigurta të origjinës të ishin të përfshirë edhe vende të tjera si Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

Deutschland, Ingolstadt Ehemalige Bundeswehrkaserne

Ish-kazerma e Bundeswehrit në Manching/Ingolstadt

"Të gjithë duan të vijnë në Gjermani"

Të hënën në mbrëmje si dhe gjatë natës qindra refugjatë mbërritën në Bavari me trena nga Hungaria dhe Austria. Policia hungareze në stacionin më të madh të trenave në Budapest papritur u tërhoq dhe nuk i pengoi refugjtaët të hipnin nëpër trena në drejtim të Perëndimit. Për këtë arsye hapja e kësaj strehimoreje u bë në kohën e duhur, u tha ministrja Müller gazetarëve. "Azilkërkuesit në Hungari duan të vijnë të gjithë në Gjermani."

Ministrja e Çështjeve Sociale në Bavari Emilia Müller duke hapur strehimoren e re të pranimit të refugjatëve vizitoi për një orë resht bashkë me gazetarët mjediset e saj. Ndonëse të gjitha duken disi si provizore, mjediset janë të kompletuara me pajisjet e nevojshme. 250 azilkëkrues mund të strehohen në këtë ish-kazermë. 250 të tjerë do të pasojnë në ditët e ardhëshme.

Gjithsej në zonën e Ingolstadtit në tri qendra do të regjistrohen rreth 1500 refugjatë nga Ballkani. Të gjitha autoritetet përgjegjëse së bashku do të mund t'i realizojnë më shpejt se deri tani procedurat e nevojshme. Sepse qëllimi është që azilkërkeusit e refuzuar të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur në vendet e tyre.

Deutschland, Ingolstadt Ehemalige Bundeswehrkaserne

Strehim dhe mjediset e marrjes në pyetje të azilkërkuesvendodhen në një godinë

Nën një strehë

Nëse gjithçka ecën siç e ka parashikuar ministria, atëherë regjistrimet, kontrolli mjekësor dhe të gjitha masat e tjera të nevojshme do të kryhen në një vend, në mënyrë që gjithçka të përfundojë brenda katër deri në gjashtë javë. Madje kthimi i azilkëkruesve të refuzuar mund të realizohet menjëherë nga aerporti i Ingolstadtit, nëse këtë e miraton Bundeswehri (ushtria gjermane).

Në kazermën në Maching punojnë edhe nëpunësit që kryejnë procedurën e nevojshme dhe marrjen në pyetje të aplikantëve. "Nëse refugjatët vijnë për arsye ekonomike dëgjimi nuk zgjat shumë - rreth një orë", thotë Carsta Müller, një nëpunëse, e cila sapo është vendosur në zyrën e re. "Por nëse bëhet fjalë për njerëz, të cilët përndiqen, atëherë dëgjimi zgjat ndonjëherë edhe deri në pesë orë."

Nisma e Bavarisë për të mundësuar kthimin e shpejtë të azilkërkuesve nga Ballkani ka hasur edhe në kritika. Organizata Pro-Asyl që është kundër shpalljes së vendeve të sigurta të orijginës dhe vë në dukje, se ka shumë informacione të organizatave humanitare, sipas të cilave në rajonin e Ballkanit në mënyrë sistematike margjinalizohen romët dhe minoritete të tjera. "Debati për vendet e sigurta të origjinës e shkëput vëmendjen nga thelbi i kësaj sfide", mendon Günter Burkhardt nga Pro Asyl. "Qindra mijëra refugjatët duhet të pranohen në Europë dhe të integrohen këtu."