1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Balkans@Work, një rrjet rajonal për punësimin e të rinjve

Rrjeti që është iniciuar në Tiranë synon që të krijojë sinergji për aplikimin e këshillimit drejt punësimit, si një metodë efikase për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.

Zhvillimi ekonomik dhe ulja e varfërisë në një vend është e lidhur ngushtësisht dhe me punësimin e qytetarëve, sidomos me grupmoshat e reja apo grupet e margjinalizuara. Kjo është një sfidë e mprehtë me të cilën përballen, ku më shumë e ku më pak vendet e Ballkanit. SwissContact, organizata zviceriane që mbështet zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe mjedisor prej rreth 6 dekadave në shumë vendeve të botës ka iniciuar ditët e fundit ndërtimin e një rrjeti ndërballkanik për punësimin e të rinjve. Jo pa qëllim Tirana ishte mikpritëse e takimit prezantues të rrjetit, pas SwissContact-i ka në kryeqytetin shqiptar zyrën rajonale të programeve mbështetëse.

Klidor Rustemi, menaxher për projektin "Këshillimi drejt punësimit dhe sipërmarrjes” prej vitit 2010, tregon se tani kjo metodë mund të aplikohet për kategori të ndryshme por dhe vende të ndryshme të rajonit. Jemi në kushtet kur eksperiencën mund ta ndajmë dhe me partnerë të tjerë në vendet ballkanike, agjenci ndërkombëtare, donatorë, aktorë të tregut dhe vendimarrës të cilët janë të angazhuar për punësimin e të rinjve, thotë Rustemi për Deutsche Welle-n.

"Takimi i Tiranës është lancimi i kësaj sinergjie që do të vijohet me kontakte periodike mes grupeve të interesit nga vendet tona, për bashkëveprim mes donatorëve dhe agjencive zbatuese, organizimin e projekteve të përbashkëta në nivel rajonal për të aplikuar modelet më të mira në shtetet tona. Ne kemi filluar me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Synojmë që ta zgjerojmë grupin bashkëpunues edhe me Serbinë, por dhe me dy vendet anëtare të BE-së Rumaninë dhe Bullgarinë.”

Orientim dhe formim profesional

Këshillimi drejt punësimit dhe sipërmarjes është një metodë zviceriane, e cila gjatë periudhës një vjeçare asiston të rinjtë dhe të rejat që kanë kualifikime të pakta dhe vështirësi për të gjetur punë. Sipas ekspertëve të SwissContact-it në Shqipëri, gjithçka arrihet përmes orientimit, formimit profesional, praktikave në biznes, granteve të vetëpunësimit, si dhe ndërmjetësimit për punësim. Eriola Shingjergji nga SwissContact në Tiranë thotë për Deutsche Welle-n se procesi realizohet nga këshillues të trajnuar, të cilët vijnë shoqëria civile dhe nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

"Universiteti i Lucernës në Zvicër kujdeset për specializmin e këshilluesve. Në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, të rinjtë arrijnë më në fund të integrohen në tregun e punës. Deri më tani rreth njëmijë vajza dhe djem janë përfitues nga ky program” Ranko Markuš, drejtues ekipi për punësimin e të rinjve në Bosnjë-Hercegovinë e vlerëson ndërtimin e rrjetit, pasi sipas tij, bëhet fjalë për një çështje që është shumë sensitive në të gjithë rajonin e Ballkanit.

"Kuptohet që ka diferenca në problematikën që has secili nga vendet tona, por ama ka shumë vend për të shkëmbyer eksperiencat dhe përvoja në përballjen me fenomenin e përhapur të papunësisë në radhët e të rinjve. Për shembull ne jemi duke bashkëpunuar me një kompani konsultuese gjermane, që ka dy shtylla kryesore: së pari, për të rikonstruktuar shërbimin publik të punësimit në vendin tonë, si dhe duke mbështetur sipërmarrje të të rinjve që kërkojnë të hyjnë në treg apo për t'i mbijetuar në të”.

Gjallërimi i aktorëve lokalë si oportunitet për punësimin

Linda Gashi, përgjegjëse për komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun në projektin e nxitjes së sektorit privat për punësimin e të rinjve që zbatohet në Kosovë e shikon tryezën e Tiranës si të frytshme. Aty u ulën të gjitha palët e interesuara, thotë ajo për Deutsche Welle-n, ishin dhe donatorët nga vendet e rajonit, por dhe organizata dhe institucione ndërkombëtare, si USAID-i, GIZ, agjenci austriake etj.

"Mua më duket me më shumë vlerë diskutimi për t'i bërë sa më efektive donacionet që jepen për programet e punësimit, sidomos tek të moshat e reja apo grupet e margjinalizuara sociale. Në Kosovë më shumë se gjysma e popullatës janë në grupmoshën 24-28 vjeç, të cilët janë vërtet në moshën aktive por nuk janë të tillë në kontributin që japin në ekonominë e vendit, sidomos në sektorin privat. Për aspektin e punësimit ne jemi të orientuar në dy sektorë, atë të turizmit, më shumë në Kosovën perëndimore ku përfshihet turizmi malor, së dyti, jemi të orientuar në fushën e përpunimit të ushqimit. Filozofia jonë është për gjallërimin e aktorëve lokalë, dmth fuqizimin e tyre për të krijuar oportunitet për punësimin e të rinjve.

Pjesmarrësit në takimin e Tiranës patën mundësi konkrete që të shkëmbejnë mendime dhe përvoja, por dhe të jenë bashkë në një vizitë pune në tre qendra punësimi: në një kompani biznesi, në një zyrë pune dhe në një organizatë joqeveritare që është e angazhuar në këtë drejtim.