1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bakojani: pjesëmarrja jonë në EULEKS nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës

Niko Anagnosti/ Athinë11 Shtator 2008

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç dhe ministrja e jashtme greke, Dora Bakojani lëvdojnë "marrëdhëniet e shkëlqyera serbo-greke". Jeremiçi e cilesoi pavaresine e Kosoves si "sfiden me te veshtire ne Ballkan"

https://p.dw.com/p/FGHK
Athina
AthinaFotografi: Bilderbox

Siç u duk dhe në konferencën e shtypit të shefit të diplomacisë serbe Vuk Jeremiç me homologen e tij greke, Dora Bakojani, problemi i Kosovës ishte arsyeja kryesore e vizitës së tij të parë në Athinë, si anëtar i kabinetit të ri qeveritar serb. Jo pa qëllim ai i filloi deklaratat e tij me çështjen e Kosovës, duke e cilësuar si "sfidën më të vështirë sot në Ballkan", për t'i mbyllur ato me vlerësimin maksimal të "marrëdhënieve të shkëlqyera serbo-greke", siç ishte shprehur më parë edhe e zonja e shtëpisë Bakojani.

Ndonëse pa apelin dramatik për mosnjohjen e Kosovës, të dy vizitave të tij të mëparshme të këtij viti në kryeqytetin grek, Jeremiçi nuk mungoi të theksojë se "vazhdimi i njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës do të përkeqësojë dhe destabilizojë situatën në rajon dhe do të japë shembullin e keq", duke nënkuptuar më këtë zhvillimet në Kaukaz. Në këtë kontekst, vendi i tij do të ndërmarrë një iniciativë që përbën "zemrën e demarsheve diplomatike" të Serbisë:

"Ne do të shkojmë këtë vjeshtë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me një iniciativë dhe në kushtet e ekzistencës dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës do të shtrojmë pyetjen: a është njohja e njëanshme e Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?", tha Jeremiçi për të theksuar në vazhdim se vendi i tij "nuk përdori as dhunë dhe as sanksione kundër Kosovës".

Iniciativa e paralajmëruar e Beogradit ka për synim të parandalojë njohjen eventuale të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme nga vende të tjera, veçanërisht të botës arabe, siç përflitet së fundi. Kjo sidomos pas dobësimit të kundërshtimit rus për mosnjohjen e Kosovës, pas njohjes së njëanshme që Moska u bëri pavarësisë së Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Nga Athina Jeremiçi kësaj radhe mund të largohet i qetë, siç u duk dhe nga deklaratat e homologes së tij Bakojani:

"Pavarësisht nga statusi Kosovës, ajo çka është me rëndësi jetike është përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës dhe veçanërisht të minoriteteve" tha Bakojani, që e përcaktoi si "misionin kryesor të EULEKSIT" dhe preferoi ta qetësojë Jeremiçin se "pjesëmarrja jonë në EULEKS nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës". Ky qëndrim në fakt, që shtyn për të ardhmen vendimin e Athinës, u shpreh nga vetë kryeministri Karamanlis të dielën e kaluar në Selanik kur tha "se duke i venë gjërat në peshore shohim se nuk ekzistojnë ato kushte që do të ndryshojnë qendrimin tonë".